1 Ja, çfarë mënyrë dashurie Ati na ka dhënë neve, që ne të quhemi bijtë e Perëndisë; prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e njohu atë.
2 Të dashur, tani ne jemi bijtë e Perëndisë, dhe ende nuk duket se çfarë do të jemi; por ne dimë që, kur ai të shfaqet, do të jemi si ai; sepse do ta shohim atë ashtu siç është.
3 Dhe çdo njeri që ka këtë shpresë brenda tij e pastron veten, ashtu siç është ai i pastër.
4 Kushdo që bën mëkat shkel gjithashtu ligjin; sepse mëkat është shkelja e ligjit.
5 Dhe ju e dini se ai u shfaq për t’i hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat.
6 Kushdo që banon në të nuk mëkaton; kushdo që mëkaton nuk e ka parë atë, as e ka njohur atë.
7 Fëmijë të vegjël, le të mos ju mashtrojë ndonjë njeri; ai që bën drejtësi është i drejtë, ashtu siç është ai i drejtë.
8 Ai që bën mëkat është i djallit; sepse djalli mëkaton që prej fillimit. Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, që ai të mund të shkatërronte punët e djallit.
9 Kushdo që lind prej Perëndisë nuk bën mëkat; sepse fara e tij mbetet në të; dhe ai nuk mund të mëkatojë, sepse ka lindur prej Perëndisë.
10 Në këtë duken fëmijët e Perëndisë, dhe fëmijët e djallit; kushdo që nuk bën drejtësi nuk është i Perëndisë, as ai që nuk e do vëllain e tij.
11 Sepse ky është mesazhi që ju dëgjuat që nga fillimi, që ne duhet ta duam njëri-tjetrin.
12 Jo si Kaini, i cili ishte i atij, të ligut, dhe vrau vëllain e vet. Dhe përse e vrau atë? Sepse vetë veprat e tij ishin të këqija, dhe ato të vëllait të tij ishin të drejta.
13 Mos u çuditni, vëllezërit e mi, nëse bota ju urren.
14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. Ai që nuk e do vëllain e tij qëndron në vdekje.
15 Kushdo që e urren vëllain e tij është një vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme brenda tij.
16 Prej kësaj e njohim dashurinë e Perëndisë, sepse ai dha jetën e tij për ne; dhe ne duhet t’i japim jetët tona për vëllezërit.
17 Por kushdo që ka të mirat e botës, dhe shikon vëllain e tij që ka nevojë, dhe i mbyll zorrët e tij të dhembshurisë ndaj tij, si banon dashuria e Perëndisë në të?
18 Fëmijët e mi të vegjël, le të mos duam me fjalë, as me gjuhë; por me vepra dhe me të vërtetë.
19 Dhe prej kësaj ne e dimë se jemi prej së vërtetës, dhe do t’i sigurojmë zemrat tona përpara tij.
20 Sepse nëse zemra jonë na dënon, Perëndia është më i madh se zemra jonë, dhe i di të gjitha gjërat.
21 Të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, atëherë ne kemi besim ndaj Perëndisë.
22 Dhe çfarëdo që kërkojmë, ne e marrim prej tij, sepse i ruajmë urdhërimet e tij, dhe bëjmë ato gjëra që janë të pëlqyeshme në sytë e tij.
23 Dhe ky është urdhërimi i tij: Që ne të besojmë tek emri i Birit të tij, Jezu Krishtit, dhe ta duam njëri-tjetrin, siç na dha urdhërim.
24 Dhe ai që i ruan urdhërimet e tij banon në të, dhe ai në të. Dhe prej kësaj ne dimë që ai banon në ne, prej Frymës që na ka dhënë.