1 Të dashur, mos besoni çdo frymë, por i provoni frymërat nëse janë prej Perëndisë; sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.
2 Prej kësaj ju e njihni Frymën e Perëndisë: Çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish është i Perëndisë;
3 Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish nuk është i Perëndisë; dhe kjo është ajo fryma e antikrishtit, për të cilën keni dëgjuar se do të vinte; dhe madje tashmë është në botë.
4 Ju jeni të Perëndisë, fëmijë të vegjël, dhe i keni kapërcyer ata; sepse më i madh është ai brenda jush, se ai që është në botë.
5 Ata janë të botës; prandaj flasin për botën, dhe bota i dëgjon.
6 Ne jemi të Perëndisë; ai që e njeh Perëndinë na dëgjon; ai që nuk është i Perëndisë nuk na dëgjon. Prej kësaj ne njohim frymën e së vërtetës, dhe frymën e gabimit.
7 Të dashur, le ta duam njëri-tjetrin; sepse dashuria është e Perëndisë; dhe çdokush që ka dashuri ka lindur prej Perëndisë, dhe e njeh Perëndinë.
8 Ai që nuk ka dashuri nuk e njeh Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri.
9 Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur, që në të mund të jetojmë me anë të tij.
10 Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi, dhe dërgoi Birin e tij të jetë shlyerja për mëkatet tona.
11 Të dashur, nëse Perëndia kështu na deshi, edhe ne duhet të duam njëri-tjetrin.
12 Perëndinë nuk e ka parë njeri ndonjëherë. Nëse ne e duam njëri-tjetrin, Perëndia banon në ne, dhe dashuria e tij përsoset në ne.
13 Prej kësaj ne e dimë se banojmë në të, dhe ai në ne, sepse na ka dhënë prej Frymës së tij.
14 Dhe ne kemi parë dhe japim dëshmi se Ati e dërgoi Birin të jetë Shpëtimtari i botës.
15 Kushdo që do të rrëfejë se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia banon në të, dhe ai në Perëndinë.
16 Dhe ne e kemi njohur dhe besuar dashurinë që Perëndia ka ndaj nesh. Përëndia është dashuri; dhe ai që banon në dashuri banon në Perëndinë, dhe Perëndia në të.
17 Në këtë dashuria jonë përsoset, që ne të mund të kemi guxim në ditën e gjykimit; sepse ashtu siç është ai, kështu jemi ne në këtë botë.
18 Nuk ka frikë në dashuri; po dashuria e përsosur e flak jashtë frikën; sepse frika ka dhembje. Ai që ka frikë nuk përsoset në dashuri.
19 Ne e duam atë, sepse ai i pari na deshi.
20 Nëse dikush thotë: Unë e dua Perëndinë, dhe urren vëllain e tij, ai është një gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllain e tij që e ka parë, si mund të dojë Perëndinë të cilin nuk e ka parë?
21 Dhe këtë urdhërim e kemi prej tij: Se ai që do Perëndinë ta dojë edhe vëllain e tij.