1 Kjo është një fjalë e vërtetë: Nëse një njeri dëshiron zyrën e një peshkopi, ai dëshiron një punë të mirë.
2 Atëherë një peshkop do të jetë i pafajshëm, burri i një gruaje, vigjilent, i vetëpërmbajtur, me sjellje të mirë, i dhënë pas mikpritjes, i zoti për të dhënë mësim;
3 Jo i dhënë pas verës, jo rrahës, jo lakmitar i fitimeve të pista; por i durueshëm, jo sherrxhi, jo ziliqar;
4 Njëri që e drejton mirë shtëpinë e tij, duke i patur fëmijët e tij të nënshtruar me gjithë urtësinë;
5 (Sepse nëse ndokush nuk di si ta drejtojë shtëpinë e tij, si mund të kujdeset për kishën e Perëndisë?)
6 Jo një fillestar, që ai të mos lartësohet nga krenaria dhe të bjerë në dënimin e djallit.
7 Për më tepër ai duhet të ketë një emër të mirë midis atyre që janë jashtë; që të mos bjerë në përbuzjen dhe grackën e djallit.
8 Po kështu dhjakët duhet të jenë seriozë, jo me dy mendje, jo të dhënë pas shumë vere, jo lakmitar të fitimeve të pista;
9 Duke e mbajtur të fshehtën e besimit në një ndërgjegje të pastër.
10 Dhe gjithashtu së pari këta le të provohen; atëherë le ta përdorin zyrën e dhjakut, pasi të dalin të pafajshëm.
11 Madje edhe kështu gratë e tyre duhet të jenë të urta, jo shpifëse, të vetëpërmbajtura, besnike në të gjitha gjërat.
12 Dhjakët të jenë burra të një gruaje, duke drejtuar mirë fëmijët e tyre dhe shtëpitë e tyre.
13 Sepse ata që kanë përdorur zyrën e dhjakut mirë, fitojnë për veten e tyre një shkallë të mirë, dhe guxim të madh në besimin që është në Krishtin Jezus.
14 Këto gjëra unë t’i shkruaj, duke shpresuar që të vij te ti së shpejti;
15 Por nëse vonoj shumë, që ti të mund të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës.
16 Dhe pa diskutim, e madhe është e fshehta e perëndishmërisë; Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u pa prej engjëjve, iu predikua paganëve, u besua në botë, u pranua lart në lavdi.