1 Mos e qorto një të moshuar, por lutju atij si një atë; dhe të rinjve si vëllezër;
2 Grave të moshuara si nëna; të rejave si motra, me gjithë dëlirësinë.
3 Nderoi të vejat të cilat janë me të vërtetë të veja.
4 Por nëse ndonjë e ve ka fëmijë ose nipër, le të mësojnë ata së pari të tregojnë nderim në shtëpi, dhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre; sepse ajo është e mirë dhe e pranueshme përpara Perëndisë.
5 Tani, ajo që është e ve me të vërtetë, dhe e shkretuar, beson te Perëndia, dhe vazhdon me përgjërime dhe lutje ditë e natë.
6 Por ajo që kalon jetën, e dhënë pas dëfrimeve, megjithëse rron është e vdekur.
7 Dhe jepi këto gjëra si urdhra, që ato të mund të jenë të pafajshme.
8 Por nëse dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe veçanërisht për ata të shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin, dhe është më i keq se një i pafe.
9 Le të mos pranohet në numër, një e ve nën gjashtëdhjetë vjeçe, edhe të ketë qenë gruaja e një burri;
10 Që ka emër për vepra të mira; nëse ka rritur fëmijë, nëse ka strehuar të huaj, nëse ka larë këmbët e shenjtorëve, nëse ka ndihmuar ata që vuajnë, nëse me zell ka ndjekur çdo vepër të mirë.
11 Por të vejat e reja mos i prano; sepse pasi të kenë filluar të bredhin prej Krishtit, ato do të martohen;
12 Duke pasur dënim, sepse e hodhën tutje besimin e tyre të parë.
13 Dhe në njëjtën kohë mësojnë të jenë përtace, duke bredhur nga shtëpia në shtëpi; dhe jo vetëm përtace, por gjithashtu llafazane dhe llaskuçe, duke thënë gjëra që nuk duhet të thonë.
14 Prandaj unë dëshiroj që gratë e reja të martohen, të bëjnë fëmijë, të drejtojnë shtëpinë, duke mos i dhënë shkak kundërshtarit për të folur keq.
15 Sepse disa tashmë janë kthyer prapa Satanait.
16 Nëse një burrë apo grua që beson ka vejusha, le t’i ndihmojnë ato, dhe të mos ngarkohet kisha; që ajo të mund t’i ndihmojë ato që me të vërtetë janë të veja.
17 Pleqtë që drejtojnë mirë, le të vlerësohen të denjë për dyfish nderim, veçanërisht ata që punojnë në fjalë dhe doktrinë.
18 Sepse shkrimi thotë: Mos ia zër gojën kaut që shin grurin. Dhe: Punëtori është i denjë për shpërblimin e tij.
19 Kundër një plaku mos prano një akuzë, përveç përpara dy ose tre dëshmitarëve.
20 Qortoji përpara të gjithëve ata që mëkatojnë, që edhe të tjerët të mund të frikësohen.
21 Unë të urdhëroj përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht, dhe engjëjve të zgjedhur, që t’i ruash këto gjëra pa parapëlqyer njërin mbi tjetrin, duke mos bërë gjë me anësi.
22 Mos vër duart shpejt mbi ndonjërin, as mos ji pjesëmarrës në mëkatet e të tjerëve; mbaje veten të pastër.
23 Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe sëmundjet e tua të shpeshta.
24 Mëkatet e disa njerëzve shfaqen para kohe, duke marrë gjykimin që më parë; dhe mëkatet e disa njerëzve më pas.
25 Po kështu edhe veprat e mira të disave shfaqen para kohe, dhe ata që janë ndryshe nuk mund të fshihen.