1 Pa dyshim nuk është mirë për mua që të mburrem. Unë do të vij në vegime dhe zbulesa nga Zoti.
2 Njihja një njeri në Krishtin para katërmbëdhjetë vjetësh, (ose në trup, s’mund ta them; ose jashtë trupit, s’mund ta them; Perëndia e di;) një i tillë u rrëmbye lart deri në qiellin e tretë.
3 Dhe unë njihja një njeri të tillë, (ose në trup, ose jashtë trupit, s’mund ta them; Perëndia e di;)
4 Se si ai u rrëmbye lart në parajsë, dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që për njeriun nuk është e ligjshme t’i thotë.
5 Për një të tillë do të mburrem; por për veten time nuk do të mburrem, përveç për dobësitë e mia.
6 Sepse megjithëse do të doja të mburresha, unë nuk do të isha budalla; sepse do të them të vërtetën; por tani përmbahem, që të mos mendojë ndokush për mua më shumë se ajo që shikon se jam, ose që dëgjon për mua.
7 Dhe që unë të mos lartësohem përtej masës nëpërmjet zbulesave të tepërta, mua m’u dha një gjemb në mish, i dërguari i Satanait të më qëllojë mua, që unë të mos lartësohem përtej masës.
8 Për këtë gjë iu luta tri herë Zotit, që të largohej prej meje.
9 Dhe ai më tha: Mjaft është hiri im për ty; sepse forca ime bëhet e përsosur në dobësi. Prandaj me gëzim të madh unë do të mburrem më shumë në dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të mund të mbetet tek unë.
10 Prandaj unë gjej kënaqësi në dobësitë e mia, në sharje, në nevoja, në përndekje, në shtrëngime për hatër të Krishtit; sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fortë
11 Jam bërë budalla në mburrje; ju më keni detyruar; sepse unë duhet të isha lavdëruar prej jush; se unë nuk jam mbrapa apostujve kryesorë në ndonjë gjë, edhe pse unë jam asgjë.
12 Me të vërtetë shenjat e një apostulli ishin bërë midis jush në gjithë durimin, në shenja, dhe çudi, dhe bëma madhështore.
13 Sepse çfarë është ajo në të cilën ju ishit inferiorë ndaj kishave të tjera, përveç të ishte që unë vetë nuk u bëra barrë ndaj jush? Falmani këtë gabim.
14 Ja, hera e tretë që unë jam gati të vij te ju; dhe nuk do të jem barrë për ju; sepse nuk e kërkoj gjënë tuaj, por ju; sepse fëmijët nuk duhet të mbledhin për prindërit, por prindërit për fëmijët.
15 Dhe unë me kënaqësi do të shpenzoj dhe të shpenzohem për ju; megjithëse sa më shumë që unë ju dua, aq më pak duhem.
16 Por qoftë kështu, unë nuk u bëra barrë për ju; megjithatë, duke qenë dinak, unë ju kapa me dredhi.
17 Përfitova gjë prej jush prej çdonjërit nga ata që ju dërgova?
18 Unë iu luta Titusit, dhe bashkë me të dërgova një vëlla. Përfitoi gjë Titusi prej jush? A nuk ecëm në të njëjtën frymë? A nuk ecëm me të njëjtat hapa?
19 Përsëri, a mendoni që ne e shfajësojmë veten para jush? Ne flasim para Perëndisë në Krishtin; por ne i bëjmë të gjitha gjërat, shumë të dashur, për ndërtimin tuaj.
20 Sepse kam frikë, se mos, kur të vij, nuk do t’ju gjej siç do të doja, dhe që unë do të gjendem prej jush ashtu si nuk do të donit; që të mos ketë debate, zili, zemërime, zënka, përgojime, pëshpëritje, fryrje, trazira;
21 Dhe se mos, kur të vij prapë, Perëndia im do të më përulë midis jush, dhe unë do të vajtoj për shumë që kanë mëkatuar tashmë, dhe nuk janë penduar për papastërtinë dhe kurvërinë dhe ndyrësinë që kanë kryer.