1 Kjo është e treta herë që po vij te ju. Në gojën e dy apo tre dëshmitarëve do të qëndrojë çdo fjalë.
2 Unë ju thashë më përpara, dhe ju parathem, sikur të isha i pranishëm, herën e dytë; dhe tani duke mos qenë i pranishëm u shkruaj atyre që kanë mëkatuar më përpara, dhe të gjithë të tjerëve, se, nëse vij përsëri, unë nuk do të kursehem;
3 Meqë ju kërkoni një provë të Krishtit që flet në mua, që ndaj jush nuk është e dobët, por është e fuqishme brenda jush.
4 Sepse megjithëse ai u kryqëzua përmes dobësisë, prapë ai jeton prej fuqisë së Perëndisë. Sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të jetojmë bashkë me të prej fuqisë së Perëndisë ndaj jush.
5 Hetoni veten tuaj, nëse jeni në besim, apo jo; provoni veten tuaj. A nuk e njihni vetë, se si Krishti Jezus është në ju, përveçse të jeni të refuzuar?
6 Por besoj se ju do ta merrni vesh që ne nuk jemi të refuzuar.
7 Tani, unë i lutem Perëndisë që ju të mos bëni të këqija; jo që ne të dukemi të pranuar, por që ju të bëni atë që është e ndershme, edhe pse ne jemi si të refuzuar.
8 Sepse ne nuk mund të bëjmë gjë kundër të vërtetës, por për të vërtetën.
9 Sepse ne jemi të gëzuar, kur jemi të dobët, dhe ju jeni të fortë; dhe këtë edhe urojmë, madje dhe përsosjen tuaj.
10 Prandaj i shkruaj këto gjëra kur mungoj, që kur të jem i pranishëm të mos përdor ashpërsi, sipas fuqisë të cilën ma ka dhënë Zoti, për ndërtim, dhe jo për shkatërrim.
11 Së fundi, vëllezër, lamtumirë. Jini të përsosur, jini plot ngushëllim, jini të një mendjeje, jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju.
12 Përshëndeteni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.
13 Të gjithë shenjtorët ju përshëndesin.
14 Hiri i Zotit Jezu Krisht, dhe dashuria e Perëndisë, dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë, qoftë me ju të gjithë. Amin.
(Letra e dytë për korintasit u shkrua prej Titusit dhe Llukës nga Filipia, një qytet i Maqedonisë.)