1 Së fundmi, vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të ketë udhë të papengesë, dhe të lavdërohet, ashtu siç është me ju;
2 Dhe që ne të mund të çlirohemi prej njerëzve të palogjikshëm dhe të ligj; sepse jo të gjithë kanë besim.
3 Por Zoti është besnik, që do t’ju forcojë, dhe do t’ju ruajë prej të keqes.
4 Dhe ne kemi bindje ndaj Zotit në lidhje me ju, që edhe i bëni edhe do t’i bëni gjërat të cilat ne ju urdhërojmë.
5 Dhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Perëndisë, dhe në pritjen e Krishtit me durim.
6 Tani, ne ju urdhërojmë, vëllezër, në emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, që ju të largoheni prej çdo vëllai që ecën në mënyrë të çrregult, dhe jo sipas traditës që mori prej nesh.
7 Sepse ju vetë e dini se si duhet të na ndiqni; sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregult midis jush;
8 As nuk hëngrëm bukën e ndokujt kot; por punuam me mund dhe lodhje natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë ndokujt prej jush;
9 Jo se s’kemi fuqi, por për ta bërë veten tonë një shembull për ju që të na ndiqni.
10 Sepse edhe kur ishim me ju, këtë jua urdhëruam, që nëse ndonjëri nuk do të punonte, as nuk duhet të hante.
11 Sepse ne dëgjojmë se ka disa midis jush që ecin në mënyrë të çrregult, duke mos punuar fare, por janë llaskuçë.
12 Tani, ata që janë të tillë ne i urdhërojmë dhe i nxisim prej Zotit tonë Jezu Krisht, që të punojnë me qetësi, dhe të hanë bukën e tyre.
13 Por ju, vëllezër, mos u lodhni duke bërë mirë.
14 Dhe nëse ndonjëri nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë njeri, dhe mos bëni shoqëri me të, që ai të mund të turpërohet.
15 Megjithatë mos e numëroni si armik, por këshillojeni si vëlla.
16 Tani, Zoti i paqes vetë ju dhëntë paqe gjithmonë në çdo mënyë. Zoti qoftë me ju të gjithë.
17 Përshëndetja e Palit me vetë dorën time, që është shenja në çdo letër; kështu shkruaj unë.
18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amin. (Letra e dytë për selanikasit ishte shkruar në Athinë.)