1 Ta dini edhe këtë, se në ditët e fundit do të vijnë kohë të rrezikshme.
2 Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar me veten e tyre, lakmitarë, mburracakë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, jo të shenjtë,
3 Pa dashuri natyrale, thyers të marrëveshjeve, akuzues të rremë, të papërmbajtur, të ashpër, përbuzës të atyre që janë të mirë,
4 Tradhëtarë, të rrëmbyer, arrogantë, të dashur të kënaqësive më shumë se të dashur të Perëndisë;
5 Duke patur një formë perëndishmërie, por duke e mohuar fuqinë e saj; prej të tillëve largohu.
6 Sepse të këtij lloji janë ata që hyjnë me dinakëri nëpër shtëpi, dhe kapin robër gra budallaqe plot mëkate, që hiqen prej epsheve të ndryshme,
7 Duke mësuar gjithmonë, por kurrë të aftë të arrjnë te njohja e së vërtetës.
8 Tani, ashtu si Janesi dhe Jambresi kundërshtuan Moisiun, po kështu edhe këta e kundërshtojnë të vërtetën; njerëz mendjeprishur, të neveritshëm në lidhje me besimin.
9 Por ata nuk do të shkojnë më tutje; sepse marrëzia e tyre do t’u shfaqet të gjithë njerëzve, ashtu siç u ndodhi edhe atyre.
10 Por ti e ke njohur plotësisht doktrinën time, mënyrën e jetës, qëllimin, besimin, zemërgjerësinë, dashurinë, durimin,
11 Përndjekjet, dhimbjet, të cilat më ndodhën mua në Antioki, në Ikonium, në Listër; përndjekje të cilat i durova; por Zoti më shpëtoi prej të gjitha atyre.
12 Po, dhe të gjithë ata që do të jetojnë perëndishmërisht në Krishtin Jezus do të vuajnë përndjekje.
13 Por njerëzit e këqinj dhe magjistarët do të shtohen më keq e më keq, duke mashtruar dhe duke u mashtruar.
14 Por vazhdo ti në gjërat që ke mësuar dhe për të cilat ke qenë i siguruar, duke ditur se prej kujt i ke mësuar;
15 Dhe që prej fëmije ti i njeh shkrimet e shenjta, të cilat janë të afta të të bëjnë të mençur për shpëtimin përmes besimit që është në Krishtin Jezus.
16 I gjithë shkrimi është dhënë prej frymëzimit të Perëndisë, dhe është i vlefshëm për doktrinë, për vërejtje, për korrigjime, për udhëzim në drejtësi;
17 Që njeriu i Perëndisë të mund të jetë i përsosur, tërësisht i pajisur për të gjitha veprat e mira.