1 Jakobi, një shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, dymbëdhjetë fiseve të cilët janë shpërndarë gjithandej, përshëndetje.
2 Vëllezërit e mi, llogariteni atë plotësisht si gëzim kur ju bini në sprova të ndryshme;
3 Duke e ditur këtë, që sprova e besimit tuaj prodhon durim.
4 Por le të ketë durimi punën e tij të përsosur, që ju të mund të jeni të përsosur dhe të plotë, duke mos ju munguar gjë.
5 Nëse ndokujt prej jush i mungon mençuria, le të kërkojë prej Perëndisë, që ua jep të gjithë njerëzve me bollëk, dhe nuk qorton; dhe ajo do t’i jepet atij.
6 Por le të kërkojë me besim, pa mëdyshje. Sepse ai që është mëdyshas është si një valë e detit që shtyhet nga era dhe tundet.
7 Prandaj le të mos mendojë ai njeri se do të marrë ndonjë gjë prej Zotit.
8 Një burrë me dy mendje është i paqëndrueshëm në të gjitha rrugët e tij.
9 Le të gëzojë vëllai i shkallës së ulët kur ai të lartësohet;
10 Por i pasuri, në përuljen; sepse si lulja e barit, ai do të zhduket.
11 Sepse sa të lindë dielli me një nxehtësi përvëluese, ai e fishk barin, dhe lulja e tij bie, dhe hiri i pamjes së tij humbet; kështu edhe i pasuri do të shuhet në udhët e tij.
12 I bekuar është njeriu që e duron sprovimin; sepse kur vihet në provë, ai do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua ka premtuar atyre që e duan atë.
13 Le të mos thotë njeri kur tundohet: Unë tundohem prej Perëndisë; sepse Perëndia nuk mund të tundohet me të keqen, as nuk tundon ai ndonjë njeri;
14 Por çdo njeri tundohet, kur ai tërhiqet prej epshit të tij, dhe joshet.
15 Atëherë pasi epshi ka ngjizur, e pjell mëkatin; dhe mëkati, kur përfundon, pjell vdekjen.
16 Mos dilni nga rruga, vëllezërit e mi të dashur.
17 Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart, dhe zbret poshtë prej Atit të dritave, me të cilin nuk ka ndryshueshmëri, as hije të kthimit.
18 Sipas vullnetit të tij vetjak ai na lindi prej fjalës të së vërtetës, që ne të jemi një lloj frutash të para të krijesave të tij.
19 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, le të jetë çdo njeri i shpejtë për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur, i ngadaltë për t’u zemëruar;
20 Sepse zemërimi i njeriut nuk e kryen drejtësinë e Perëndisë.
21 Prandaj lini mënjanë gjithë ndyrësinë dhe bollëkun e ligësisë, dhe merreni me butësi fjalën e shartuar, e cila është në gjendje t’i shpëtojë shpirtrat tuaj.
22 Por bëhuni bërës të fjalës, dhe jo vetëm dëgjues, duke mashtruar veten tuaj.
23 Sepse nëse ndonjë është një dëgjues i fjalës, dhe jo bërës, ai është si një burrë që shikon fytyrën e tij natyrale në pasqyrë;
24 Sepse e shikon veten e tij, dhe ikën, dhe menjëherë harron çfarë lloj njeriu ishte ai.
25 Por kushdo që vështron ligjin e përsosur të lirisë, dhe vazhdon në të, ai duke mos qenë një dëgjues që harron, por një bërës i punës, ky njeri do të bekohet në veprën e tij.
26 Nëse ndonjë njeri midis jush duket se është fetar, dhe nuk i vë fre gjuhës së tij, por mashtron vetë zemrën e tij, feja e këtij njeriu është e kotë.
27 Feja e dëlirë dhe e panjollosur përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: Të vizitojë njeriu jetimët dhe të vejat në dhembjet e tyre, dhe ta mbajë veten e tij të panjollosur prej botës.