1 Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë mësues, duke e ditur se ne do ta marrim dënimin më të madh.
2 Sepse në shumë gjëra ne të gjithë bëjmë shkelje. Nëse ndonjë njeri nuk shkel me fjalë, ky është një njeri i përsosur, dhe në gjendje edhe t’i vëjë fre gjithë trupit.
3 Ja, ne u vëmë fre gojëve të kuajve, që ata të mund të na binden neve; dhe ne e kthejmë gjithë trupin e tyre.
4 Ja edhe anijet, të cilat megjithëse janë kaq të mëdha, dhe shtyhen prej erërave të furishme, prapë ato kthehen me një timon shumë të vogël, ngado që do piloti.
5 Edhe kështu gjuha është një gjymtyrë e vogël, dhe mburret për gjëra të mëdha. Ja, sa gjëra të mëdha ndez një zjarr e vogël.
6 Dhe gjuha është një zjarr, një botë ligësie; kështu është gjuha midis gjymtyrëve tona, që njollos gjithë trupin, dhe ndez rrotullën e natyrës; dhe ka marrë flakën e ferrit.
7 Sepse çdo lloj bishe, dhe shpendësh, dhe gjarpërinjsh, dhe gjërash në det, është zbutur, dhe zbutet nga njerëzimi;
8 Por gjuhën nuk mund ta zbusë njeri; ajo është një e keqe e panënshtrueshme, plot me helm vdekjeprurës.
9 Me atë e bekojmë Perëndinë, madje Atin; dhe me atë mallkojmë njerëzit, të cilët janë krijuar sipas ngjashmërisë së Perëndisë.
10 Nga e njëjta gojë del bekim dhe mallkim. Vëllezërit e mi, këto gjëra nuk duhet të jenë kështu.
11 A mundet një burim të nxjerrë në të njëjtin vend ujë të ëmbël dhe të hidhur?
12 A mundet një fik, vëllezërit e mi, të japë ullinj? Ose një hardhi, fiq? Po kështu asnjë burim nuk mund të prodhojë si ujë të kripur ashtu edhe ujë të ëmbël.
13 Kush midis jush është një njeri i mençur dhe i pajisur me dituri? Le t’i tregojë prej një sjellje të mirë veprat e tij me butësinë e urtësisë.
14 Por nëse ju keni smirë të hidhur dhe grindje në zemrat tuaja, mos u lëvdoni, dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
15 Kjo mençuri nuk zbret nga lart, por është tokësore, shqisore, djallëzore.
16 Sepse ku ka smirë dhe grindje, ka rrëmujë dhe çdo vepër të keqe.
17 Por mençuria që është nga lart është së pari e pastër, pastaj paqësore, e butë, dhe e lehtë për t’u bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, pa anësi, dhe pa hipokrizi.
18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe prej atyre që bëjnë paqe.