1 Tani ejani, ju të pasur, qani dhe ulërini për mjerimet tuaja që do të bien mbi ju.
2 Pasuritë tuaja janë të kalbura, dhe rrobat tuaja janë brejtur nga mola.
3 Ari dhe argjendi juaj është ndryshkur, dhe ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush, dhe do të përpijë mishin tuaj si të ishte zjarr. Ju keni grumbulluar thesare për ditët e fundit.
4 Ja, paga e punëtorëve që kanë korrur fushat tuaja, e cila u mbajt prej jush me mashtrim, ulërin; dhe ulërimat e atyre që korrën kanë hyrë në veshët e Zotit të ushtrive.
5 Ju keni jetuar në luks në tokë, dhe keni qenë të shthurur; ju i keni ushqyer zemrat tuaja, si në një ditë therjeje.
6 Ju keni dënuar dhe vrarë të drejtin dhe ai nuk ju kundërshton.
7 Prandaj jini të duruar, vëllezër, deri në ardhjen e Zotit. Ja, bujku pret frytin e shtrenjtë të tokës, dhe ka durim të madh për atë, deri kur merr shiun e hershëm dhe të mëvonshëm.
8 Jini edhe ju të duruar; fiksoni zemrat tuaja; sepse ardhja e Zotit po afrohet.
9 Mos pëshpëritni njëri kundër tjetrit, vëllezër, që të mos dënoheni; ja gjykatësi është para derës.
10 Merrni, vëllezërit e mi, profetët të cilët kanë folur në emër të Zotit, si një shembull për pësimin e dhembjes, dhe për durim.
11 Ja, ne i numërojmë të lumtur ata që durojnë. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe keni parë përfundimin e Zotit; se Zoti është shumë i dhembshur, dhe me mëshirë të butë.
12 Por mbi të gjitha gjërat, vëllezërit e mi, mos u betoni, as për qiellin, as për tokën, as për ndonjë betim tjetër; por le të jetë po-ja juaj po; dhe jo-ja juaj jo; që të mos bini në dënim.
13 A pëson dhembje ndonjë prej jush? Le të lutet. Është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme.
14 A është ndonjë prej jush i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës; dhe le të luten ata mbi të, duke e mirosur atë me vaj në emër të Zotit;
15 Dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin, dhe Zoti do ta ngrejë atë; dhe nëse ai ka bërë mëkate, ato do t’i falen.
16 Rrëfejini gabimet njëri-tjetrit, dhe lutuni për njëri-tjetrin, që ju të mund të shëroheni. Lutja e frytshme dhe e flaktë e një njeriu të drejtë, ka shumë forcë.
17 Elia ishte një njeri i prirur nga të njëjtat pasione siç jemi ne, dhe ai u lut me zell që të mos binte shi; dhe për tre vjet e gjashtë muaj nuk ra shi në tokë.
18 Dhe ai u lut përsëri, dhe qielli dha shi, dhe toka prodhoi frytet e saj.
19 Vëllezër, nëse ndonjëri prej jush largohet nga e vërteta, dhe dikush e kthen atë;
20 Le ta dijë ai, se ai që e kthen mëkatarin prej gabimit të rrugës së tij do të shpëtojë një shpirt nga vdekja, dhe do të mbulojë një mori mëkatesh.