1 Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin; sepse kjo është e drejtë.
2 Ndero babanë tënd dhe nënën tënde; (i cili është urdhërimi i parë me premtim;)
3 Që të mund të jetë mirë për ty, dhe të mund të jetosh gjatë mbi dhe.
4 Dhe, ju baballarë, mos i nxitni fëmijët tuaj në inat; por i rritni ata në udhëzim dhe këshillë të Zotit.
5 Shërbëtorë, jini të bindur ndaj atyre që janë zotërinjtë tuaj sipas mishit, me frikë dhe dridhje, në çiltëri të zemrës suaj, si ndaj Krishtit;
6 Jo me mbikëqyrje, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve; por si shërbëtorë të Krishtit, duke e bërë nga zemra vullnetin e Perëndisë;
7 Duke bërë shërbim me dashamirësi, si ndaj Zotit, dhe jo ndaj njerëzve;
8 Duke e ditur se çdo gjë të mirë që bën kushdo, të njëjtën do të marrë prej Zotit, qoftë ai shërbëtor apo i lirë.
9 Dhe, ju zotërinj, bëni të njëjtat gjëra ndaj tyre, duke mos përdorur kërcënime; duke e ditur se edhe Zoti juaj është në qiell; dhe nuk ka anësi me të.
10 Së fundi, vëllezërit e mi, jini të fortë në Zotin, dhe në fuqinë e forcës së tij.
11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë, që ju të mund të qëndroni kundër dredhive të djallit.
12 Sepse ne nuk jemi në ndeshje kundër mishit dhe gjakut, por kundër forcave të mëdha, kundër pushteteve, kundër sunduesve të errësirës së kësaj bote, kundër ligësisë shpirtërore në vende të larta.
13 Prandaj merrni me vete gjithë armatimin e Perëndisë, që ju të jeni në gjendje të bëni ballë në ditën e keqe, dhe pasi t’i keni bërë të gjitha, të qëndroni.
14 Qëndroni pra, duke pasur mesin tuaj të ngjeshur me të vërtetën, dhe të veshur me parzmoren e drejtësisë;
15 Dhe këmbët tuaja të mbathura me përgatitjen e ungjillit të paqes;
16 Mbi gjithçka, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.
17 Dhe merrni helmetën e shpëtimit, dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë;
18 Duke u lutur gjithmonë me gjithë lutjen dhe përgjërimin në Frymë, dhe duke e ruajtur këtë me gjithë ngulmimin dhe përgjërimin për të gjithë shenjtorët;
19 Dhe për mua, që të më jepet fjalë, që unë të mund ta hap gojën me guxim, për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,
20 Për të cilin unë jam një ambasador në zixhir; që të mund të flas për të me guxim, siç duhet të flas.
21 Por që ju gjithashtu të mund t’i njihni punët e mia, dhe çfarë bëj, Tikiku, një vëlla i dashur dhe një shërbenjës besnik në Zotin, do t’jua bëjë të njohur juve të gjitha gjërat;
22 Të cilin unë jua kam dërguar juve për të njëjtin synim, që ju të mund t’i njihni punët tona, dhe që ai të mund t’i ngushëllojë zemrat tuaja.
23 Paqja qoftë me vëllezërit, dhe dashuri me besim, prej Atit Perëndi dhe Zotit Jezu Krisht.
24 Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet. Amin. (Për efesianët, shkruar nga Roma prej Tikikut)