1 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur shumë dhe të përmalluar, gëzimi im dhe kurora ime, kështu qëndroni fort në Zotin, shumë të dashurit e mi.
2 Unë i lutem Evodisë, dhe i lutem Sintikës, që ato të jenë me të njëjtën mendje në Zotin.
3 Dhe unë të lutem edhe ty, bashkëpunëtor i vërtetë, ndihmoji ato gra që punuan bashkë me mua në ungjillin, me Klementin gjithashtu, dhe me bashkëpunëtorë të tjerë të mitë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.
4 Gëzohuni në Zotin gjithmonë; dhe përsëri unë them: Gëzohuni.
5 Le t’u njihet vetëpërmbajtja juaj të gjithë njerëzve. Zoti është afër.
6 Mos u shqetësoni për ndonjë gjë; por në çdo gjë përmes lutjes dhe përgjërimit me falënderime lejoni që kërkesat tuaja t’i bëhen të njohura Perëndisë.
7 Dhe paqja e Perëndisë, që është përtej të kuptuarit do t’i ruajë zemrat dhe mendjet tuaja përmes Krishtit Jezus.
8 Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me raport të mirë; nëse ka ndonjë virtyt, dhe nëse ka ndonjë lavdërim, këto mendoni.
9 Ato gjëra, që ju edhe i keni mësuar, dhe i keni pranuar, dhe i keni dëgjuar, dhe i keni parë tek unë, bëjini; dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.
10 Por unë u gëzova shumë në Zotin, që tani më në fund kujdesi juaj për mua ka lulëzuar përsëri; në të cilin ju ishit edhe plot kujdes, por ju mungonte mundësia.
11 Nuk është se them për shkak nevoje; sepse unë kam mësuar që, në çfarëdo gjendje që jam, me atë të jem i kënaqur.
12 Unë i njoh dhe si të përulem, dhe si të begatohem; kudo dhe në të gjitha gjërat unë jam udhëzuar dhe të jem i ngopur dhe të jem i uritur, dhe të kem bollëk dhe të kem nevojë.
13 Unë mund t’i bëj të gjitha gjërat përmes Krishtit që më forcon mua.
14 Megjithatë mirë keni bërë, që morët pjesë në vuajtjet e mia.
15 Tani, edhe ju filipianët e dini, që në fillim të ungjillit, kur unë dola prej Maqedonisë, nuk mori pjesë ndonjë kishë me mua përsa i përket dhënies dhe marrjes, por vetëm ju.
16 Sepse edhe në Selanik ju dërguat një herë edhe përsëri për nevojën time.
17 Jo sepse unë dëshiroj një dhuratë; por unë dëshiroj fruta që të mund të shumohen në llogarinë tuaj.
18 Por unë i kam të gjitha, dhe teproj; se i mora prej Epafroditit gjërat që u dërguan prej jush, një erë e mirë, një sakrificë e pranueshme, shumë e pëlqyer nga Perëndia.
19 Por Perëndia im do të plotësojë gjithë nevojën tuaj sipas pasurisë së tij në lavdi prej Krishtit Jezus.
20 Tani, lavdia i qoftë Perëndisë dhe Atit tonë përherë e përherë. Amin.
21 Përshëndetni çdo shenjtor në Krishtin Jezus. Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin.
22 Të gjithë shenjtorët ju përshëndesin, kryesisht ata që janë të shtëpisë së Cezarit.
23 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amin. (Për filipianët, shkruar nga Roma, prej Epafroditit)