1 Prandaj duke parë se edhe ne jemi të rrethuar me një re dëshmitarësh kaq të madhe, le të lëmë mënjanë çdo barrë, edhe mëkatin që me kaq lehtësi na pengon ne, dhe le të vrapojmë me durim garën që na është vënë përpara,
2 Duke vështruar Jezusin, autorin dhe përkryesin e besmit tonë; i cili për shak të gëzimit që u vu përpara tij duroi kryqin, përbuzi turpin, dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.
3 Prandaj merrni parasysh atë që duronte kundërshtim të tillë të mëkatarëve ndaj vetes, që të mos lodheni dhe të mos rraskapiteni në mendjet tuaja.
4 Ju ende nuk keni kundërshtuar deri në pikën e gjakut, duke luftuar kundër mëkatit.
5 Dhe ju keni harruar këshillën që ju flet juve si fëmijëve: Biri im, mos e përbuz korrigjimin e Zotit, as mos u dëshpëro kur të qortohesh prej tij;
6 Sepse atë që Zoti do ai e korrigjon, dhe fshikullon çdo bir që pranon.
7 Nëse ju e duroni korrigjimin, Perëndia merret me ju si me bijtë; sepse ç’djalë është ai që nuk e korrigjon babai?
8 Por nëse jeni pa korrigjim, prej të cilit të gjithë janë pjesëtarë, atëherë ju jeni kopilë, dhe jo bij.
9 Për më tepër ne kemi pasur etër sipas mishit tonë të cilët na korrigjonin, dhe ne i nderonim ata; a nuk do të ishim të nënshtruar më shumë ndaj Atit të frymërave, dhe të jetojmë?
10 Sepse ata me të vërtetë na korrigjuan për pak ditë sipas kënaqësisë së tyre; por ai për fitimin tonë, që ne të mund të jemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij.
11 Tani, për momentin nuk ka korrigjim që duket i gëzueshëm, por hidhërues; megjithatë më pas ua jep frytin paqësor të drejtësisë atyre që janë ushtruar me anë të tij.
12 Prandaj ngrini lart duart që janë varur poshtë, dhe gjunjët e dobët;
13 Dhe bëni rrugë të drejta për këmbët tuaja, që të mos kthehet nga rruga ai që është i çalë; por më mirë le të shërohet.
14 Ndiqni paqen me të gjithë njerëzit, dhe shenjtërinë, pa të cilën askush nuk do ta shohë Zotin;
15 Duke vështruar me kujdes që asnjë njeri të mos mbetet mbrapa në hirin të Perëndisë; që të mos mbijë ndonjë rrënjë hidhësie që ju shqetëson, dhe prej saj të ndoten shumë;
16 Që të mos jetë ndonjë kurvar, ose njeri i ndyrë, si Esau, i cili për një gjellë shiti parëbirninë e tij.
17 Sepse ju e dini se si më pas, kur do të kishte trashëguar bekimin, ai u refuzua; sepse nuk gjeti vend pendimi, megjithëse e kërkoi atë plot kujdes me lotë.
18 Sepse ju nuk keni ardhur te mali që të mund të preket, që digjej me zjarr, as te nxirja, dhe errësira, dhe stuhia e erës,
19 Dhe kumbimi i trumbetës, dhe zëri i fjalëve; zë të cilin ata që e dëgjuan u lutën që fjala të mos u flitej më atyre;
20 (Sepse ata nuk mund të duronin atë që ishte urdhëruar: Dhe nëse aq sa një kafshë e prek malin, ajo do të goditet me gurë, ose do të vritet me shtizë;
21 Dhe kaq e tmerrshme ishte pamja, sa Moisiu tha: Unë trembem dhe dridhem jashtë mase;)
22 Por ju keni ardhur te Mali Sion, dhe te qyteti i Perëndisë së gjallë, Jerusalemi qiellor, dhe te një mori e panumërueshme engjëjsh,
23 Te kuvendi i përgjithshëm dhe te kisha e të parëlindurve, të cilët janë shkruar në qiell, dhe te Perëndia, Gjykatësi i të gjithëve, dhe te frymërat e njerëzve të drejtë të bërë të përsosur,
24 Dhe te Jezusi, ndërmjetësi i besëlidhjes së re, dhe te gjaku i spërkatjes, që flet gjëra më të mira se ajo e Abelit.
25 Kujdes që të mos e refuzoni atë që flet. Sepse nëse ata nuk shpëtuan që e refuzuan atë që foli në tokë, shumë më shumë ne nuk do të shpëtojmë, nëse ia kthejmë kurrizin atij që flet nga qielli;
26 Zëri i të cilit atëherë tronditi tokën; por tani ai ka premtuar, duke thënë: Akoma edhe një herë unë e trondit jo vetëm tokën, por edhe qiellin.
27 Dhe kjo fjalë: Akoma edhe një herë, nënkupton heqjen e atyre gjërave që tronditen, si prej gjërave që janë bërë, që ato gjëra që nuk mund të tronditen të mund të mbeten.
28 Prandaj ne duke marrë një mbretëri e cila nuk mund të tronditet, le të kemi hir, me anë të të cilit ne mund t’i shërbejmë Perëndisë në mënyrë të pranueshme me nderim dhe frikë të perëndishme;
29 Sepse Perëndia ynë është një zjarr shkatërrues.