2 Mos harroni t’i prisni të huaj; sepse prej kësaj disa kanë pritur engjëj pa e ditur.
3 Kujtojini ata që janë në pranga, si të lidhur bashkë me ta; dhe ata që heqin fatkeqësi, sikur të ishit edhe ju vetë në trup.
4 Martesa është e nderuar në të gjithë, dhe shtrati i pandotur; por Perëndia do të gjykojë kurvarë dhe kurorëshkelës.
5 Le të jetë sjellja juaj pa lakmi; dhe jini të kënaqur me ato gjëra që keni; sepse ai ka thënë: Unë kurrë nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.
6 Kështu që ne mund të themi me guxim: Zoti është ndihmësi im, dhe unë nuk do të trembem se çfarë do të më bëjë njeriu.
7 Kujtojini ata që kanë autoritet mbi ju, të cilët ju kanë folur juve fjalën e Perëndisë; besimin e të cilëve ndiqni, duke vështruar me kujdes pëfundimin e sjelljes së tyre.
8 Jezu Krishti i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë.
9 Mos u lëkundni andej-këtej prej doktrinash të ndryshme dhe të huaja. Sepse është gjë e mirë që zemra të fiksohet me hir; jo me ushqime, që nuk u kanë sjellë ndonjë dobi atyre që merren me to.
10 Ne kemi një altar, prej të cilit ata që i shërbejnë tabernakullit nuk kanë të drejtë të hanë.
11 Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilëve sillet në shenjtërore prej kryepriftit për mëkat, digjen jashtë fushimit.
12 Prandaj edhe Jezusi, që ai të mund ta shenjtëronte popullin me gjakun e vet, vuajti jashtë portës.
13 Prandaj le të dalim tek ai jashtë fushimit, duke e mbartur përbuzjen e tij.
14 Sepse këtu ne nuk kemi qytet të qëndrueshëm, por kërkojmë një të ardhshëm.
15 Prandaj prej tij le t’i ofrojmë vazhdimisht sakrificën e lavdërimit Perëndisë, domethënë, fryti i buzëve tona duke i dhënë falënderime emrit të tij.
16 Por mos harroni të bëni mirë dhe të dhuroni; sepse sakrifica të tilla i pëlqejnë shumë Perëndisë.
17 Bindjuni atyre që kanë autoritet mbi ju, dhe nënshtrohuni; sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari, që të mund ta bëjnë atë me gëzim, dhe jo me hidhërim; sepse kjo është e padobishme për ju.
18 Lutuni për ne; sepse ne besojmë se kemi një ndërgjegje të mirë, në të gjitha gjërat duke dëshiruar të jetojmë ndershmërisht.
19 Por unë ju lutem që më mirë të bëni këtë, që unë të mund të kthehem te ju sa më shpejt.
20 Tani, Perëndia i paqes, që e nxori përsëri prej së vdekurish Zotin tonë Jezus, atë bari të madh, përmes gjakut të besëlidhjes së përhershme,
21 Ju bëftë të përsosur në çdo vepër të mirë për të bërë vullnetin e tij, duke punuar brenda jush atë që është e pëlqyeshme në sytë e tij, përmes Jezu Krishtit; të cilit i qoftë lavdi përherë e përherë. Amin.
22 Dhe unë ju lutem, vëllezër, durojeni fjalën e nxitjes; sepse unë ju kam shkruar një letër në pak fjalë.
23 Të dini se vëllai ynë Timoteu u lirua; bashkë me të cilin, nëse vjen shpejt, unë do t’ju shoh.
24 Përshëndetni të gjithë ata që kanë autoritet mbi ju, dhe të gjithë shenjtorët. Ata të Italisë ju përshëndesin.
25 Hiri qoftë me ju të gjithë. Amin. (Shkruar për Hebrenjtë nga Italia, prej Timoteut.)