1 Tani, prej gjërave që kemi folur ky është thelbi: Ne kemi një kryeprift të tillë, i cili është ulur në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiej;
2 Një shërbyes i shenjtërores, dhe i tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Zoti, dhe jo njeriu.
3 Sepse çdo kryeprift është caktuar të ofrojë dhurata dhe flijime; prandaj është e nevojshme që edhe ky njeri të ketë diçka për të ofruar.
4 Sepse nëse ai do të ishte mbi tokë, ai nuk do të ishte prift, duke parë se ka priftërinj që ofrojnë dhurata sipas ligjit;
5 Të cilët shërbejnë për shembullin dhe hijen e gjërave qiellore, ashtu si Moisiu u këshillua prej Perëndisë kur ishte gati të bënte tabernakullin; sepse: Shiko, thotë ai, që ti t’i bësh të gjitha gjërat sipas modelit që t’u tregua në mal.
6 Por tani ai ka fituar një shërbesë më të shkëlqyer, për aq sa që ai është edhe ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, e cila u themelua mbi premtime më të mira.
7 Sepse nëse ajo besëlidhja e parë do të kishte qenë pa gabim, atëherë nuk do të kërkohej vend për të dytën.
8 Sepse pasi gjeti gabim në to, thotë ai: Ja, ditët po vijnë, thotë Zoti, kur unë do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe shtëpinë e Judës;
9 Jo sipas besëlidhjes që bëra me etërit e tyre ditën kur i mora për dore për t’i udhëhequr prej tokës së Egjiptit; sepse ata nuk vazhduan në besëlidhjen time, dhe unë nuk i përfilla, thotë Zoti.
10 Sepse kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti; unë do të vë ligjet e mia në mendjen e tyre, dhe do t’i shkruaj ato në zemrat e tyre; dhe do të jem për ta Perëndi, dhe ata do të jenë për mua një popull;
11 Dhe ata nuk do të mësojnë çdo njeri fqinjin e tij, çdo njeri vëllain e tij, duke thënë: Njihe Zotin; sepse të gjithë do të më njohin mua, nga më i vogli te më i madhi.
12 Sepse unë do të jem i mëshirshëm ndaj padrejtësisë së tyre, dhe mëkatet dhe ligësitë e tyre nuk do t’i kujtoj më.
13 Në atë që thotë: Një besëlidhje e re, ai e ka bërë të parën të vjetër. Tani, ajo që prishet dhe vjetrohet është gati të zhduket.