1 Dhe ndodhi, që në një nga ato ditë, ndërsa ai u mësonte njerëzve në tempull, dhe predikonte ungjillin, krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë erdhën tek ai,
2 Dhe i folën, duke thënë: Na thuaj, me çfarë pushteti i bën këto gjëra? Apo kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?
3 Dhe ai u përgjigj dhe u tha: Edhe unë do t’ju pyes një gjë; dhe m’u përgjigjni;
4 Pagëzimi i Gjonit, ishte prej qiellit, apo prej njerëzve?
5 Dhe ata arsyetuan midis tyre, duke thënë: Nëse ne do të themi: Prej qiellit; ai do të thotë: Atëherë përse nuk i besuat?
6 Por edhe nëse ne themi: Prej njerëzve; të gjithë njerëzit do të na godasin me gurë; sepse ata janë bindur që Gjoni ishte profet.
7 Dhe ata u përgjigjën, se nuk mund të thonin nga vinte.
8 Dhe Jezusi u tha atyre: As unë nuk ju them prej çfarë pushteti i bëj këto gjëra.
9 Atëherë ai filloi t’u thoshte njerëzve këtë shëmbëlltyrë: Një njeri mbolli një vresht, ua la vreshtarëve, dhe iku në një vend të largët për një kohë të gjatë.
10 Dhe në stinën e të vjelave ai dërgoi një shërbëtor te vreshtarët, që ata t’i jepnin prej frutit të vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë, dhe e kthyen duarbosh.
11 Dhe ai përsëri dërgoi një shërbëtor tjetër; dhe ata e rrahën edhe atë, dhe e turpëruan, dhe e kthyen duarbosh.
12 Dhe ai përsëri dërgoi një të tretë; dhe ata e plagosën edhe atë, dhe e dëbuan.
13 Atëherë zoti i vreshtit tha: Çfarë të bëj? Unë do të dërgoj birin tim të dashur; ndoshta, kur ta shohin, do ta nderojnë atë.
14 Por kur vreshtarët e panë, ata arsyetuan midis tyre, duke thënë: Ky është trashëgimtari; ejani, le ta vrasim atë, që trashëgimia të mund të bëhet jona.
15 Kështu ata e nxorën jashtë vreshtit, dhe e vranë. Prandaj çfarë do t’u bëjë atyre zoti i vreshtit?
16 Ai do të vijë dhe do t’i shkatërrojë këta vreshtarë, dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve. Dhe kur e dëgjuan, ata thanë: Mos e lëntë Perëndia.
17 Ai i vështroi ata, dhe tha: Atëherë çfarë është kjo që është shkruar: Guri që ndërtuesit hodhën poshtë, ai është bërë kreu i qoshes?
18 Kushdo që do të bjerë mbi atë gurë do të thyhet; por mbi cilindo që do të bjerë, ai do ta bluajë atë imët.
19 Dhe krerët e priftërinjve dhe skribët në atë çast kërkuan të vinin duart mbi të; dhe kishin frikë nga njerëzit; sepse e kuptuan që ai e tha këtë shëmbëlltyrë kundër tyre.
20 Dhe ata e përgjonin, dhe dërgonin spiunë, që do të shtireshin si njerëz të drejtë, që të mund ta zinin prej fjalëve të tij, që kështu të mund t’ia dorëzonin atë urdhërit dhe pushtetit të guvernatorit.
21 Dhe ata e pyetën, duke thënë: Mësues, ne e dimë që ti thua dhe mëson në mënyrë të drejtë, as nuk e pranon personin e ndonjërit, por mëson me të vërtetë rrugën e Perëndisë;
22 A është e ligjshme që ne t’i japim taksë Cezarit, apo jo?
23 Por ai e kuptoi dinakërinë e tyre, dhe u tha: Pse më tundoni mua?
24 Më tregoni një denar. I kujt është ky imazh dhe mbishkrim? Ata u përgjigjën dhe thanë: Të Cezarit.
25 Dhe ai u tha atyre: Jepini Cezarit gjërat që janë të Cezarit, dhe Perëndisë gjërat që janë të Perëndisë.
26 Dhe ata nuk mundën ta zinin prej fjalëve të tij para njerëzve; dhe u habitën nga përgjigja e tij, dhe nuk folën.
27 Atëherë erdhën tek ai disa prej saducenjve, të cilët mohojnë se ka ndonjë ringjallje; dhe e pyetën atë,
28 Duke thënë: Mësues, Moisiu na shkroi neve: Nëse vëllai i ndonjë njeriu vdes, duke patur grua, dhe vdes pa fëmijë, se vëllai i tij duhet ta marrë gruan e tij, dhe t’ia ngjallë farën vëllait të tij.
29 Ishin pra shtatë vëllezër; dhe i pari mori grua, dhe vdiq pa fëmijë.
30 Dhe i dyti e mori atë për grua, edhe ai vdiq pa fëmijë.
31 Dhe i treti e mori atë; dhe njësoj edhe të shtatët; dhe ata nuk lanë fëmijë, dhe vdiqën.
32 Më në fund vdiq edhe gruaja.
33 Prandaj në ringjallje gruaja e kujt prej tyre është ajo? Sepse të shtatët e kishin për grua.
34 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha: Fëmijët e kësaj bote martohen, dhe jepen në martesë;
35 Por ata që do të llogariten të denjë ta fitojnë atë botë, dhe ringjalljen prej së vdekurish, as martohen, as jepen në martesë;
36 As nuk mund të vdesin më; sepse ata janë të barabartë me engjëjt; dhe janë fëmijët e Perëndisë, duke qenë fëmijët e ringjalljes.
37 Tani, në lidhje me ngjalljen e të vdekurve, madje Moisiu provoi te kaçuba, kur e quajti Zotin Perëndia e Abrahamit, dhe Perëndia e Isakut, dhe Perëndia e Jakobit.
38 Sepse ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve; sepse të gjithë jetojnë tek ai.
39 Atëherë disa prej skribëve duke u përgjigjur thanë: Mësues, ti ke folur mirë.
40 Dhe pas asaj nuk guxuan t’i bënin atij ndonjë pyetje fare.
41 Dhe ai u tha atyre: Si thonë ata që Krishti është biri i Davidit?
42 Dhe vetë Davidi thotë në librin e Psalmeve: ZOTI i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
43 Derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve tua.
44 Prandaj Davidi e quan atë Zot, atëherë si është ai biri i tij?
45 Atëherë në praninë e të gjithë popullit ai u tha dishepujve të tij:
46 Ruhuni prej skribëve, që dëshirojnë të ecin me rroba të gjata, dhe duan përshëndetje në pazare, dhe vende më të larta në sinagogat, dhe në dhoma kryesore në festa;
47 Të cilët gllabërojnë shtëpitë e vejushave, dhe për një shfaqje bëjnë lutje të gjata; po këta do të marrin dënimin më të madh.