1 Dhe ai ngriti sytë, dhe pa të pasurit duke i hedhur dhurimet e tyre në thesar.
2 Dhe ai pa edhe një vejushë të varfër duke hedhur atje dy të holla.
3 Dhe tha: Me të vërtetë unë ju them, se kjo vejushë e varfër ka hedhur brenda më shumë se ata të gjithë;
4 Sepse të gjithë këta kanë hedhur prej teprisë së tyre në dhurimet e Perëndisë; por ajo prej varfërisë së saj hodhi gjithçka që kishte për të jetuar.
5 Dhe siç folën disa për tempullin, si ishte stolisur me gurë të bukur dhe dhurata, tha ai:
6 Sa për këto gjëra që ju shikoni, do të vijnë ditët, në të cilat nuk do mbetet gur mbi gur, që nuk do hidhet poshtë.
7 Dhe ata e pyetën, duke thënë: Mësues, kur do të bëhen këto gjëra? Dhe çfarë shenje do të ketë kur të bëhen këto gjëra?
8 Dhe ai tha: Kujdesuni që të mos mashtroheni; sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: Unë jam Krishti; dhe koha po afron; prandaj mos shkoni pas atyre.
9 Por kur të dëgjoni për luftra dhe trazira, mos u tmerroni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin në fillim; por fundi nuk është menjëherë.
10 Atëherë ai u tha atyre: Kombi do të ngrihet kundër kombit, dhe mbretëria kundër mbretërisë;
11 Dhe tërmete të mëdha do të ndodhin në vende të ndryshme, dhe zi buke, dhe murtaja; dhe pamje të frikshme dhe shenja të mëdha do të ketë prej qiellit.
12 Por para të gjitha këtyre, ata do t’i vënë duart e tyre mbi ju, do t’ju përndjekin, duke ju dorëzuar sinagogave, dhe në burgje, do të silleni para mbretërve dhe qeveritarëve për shkak të emrit tim.
13 Dhe ajo do t’ju kthehet për dëshmi.
14 Prandaj vendosni në zemrat tuaja që të mos mendoni më përpara me ç’fjalë do të përgjigjeni;
15 Sepse unë do t’ju jap një gojë dhe urtësi, të cilat gjithë armiqtë tuaj nuk do të jenë në gjendje t’i kundërshtojnë apo t’i përballojnë.
16 Dhe ju do të tradhtoheni si prej prindërve, dhe vëllezërve, dhe të afërmve, dhe miqve; dhe ata do të shkaktojnë që disa prej jush të vriteni.
17 Dhe ju do të urreheni prej të gjithë njerëzve për shkak të emrit tim.
18 Por nuk do të prishet as edhe një fije floku e kokës suaj.
19 Në durimin tuaj zotëroni shpirtrat tuaj.
20 Dhe kur ta shikoni Jeruzalemin të rrethuar me ushtri, atëherë të dini që shkretimi i tij është afër.
21 Atëherë ata që janë në Judea le t’ia mbathin në male; dhe ata që janë në mes të saj le të ikin jashtë; dhe mos i ler ata që janë në rrethina të hyjnë në të.
22 Sepse këto janë ditët e hakmarrjes, që të gjitha gjërat që janë shkruar të mund të përmbushen.
23 Por mjerë ato që janë shtatzënë, dhe ato që mëndin, në ato ditë! Sepse do të ketë vuajtje të madhe në vend, dhe zemërim mbi këta njerëz.
24 Dhe ata do të bien prej tehut të shpatës, dhe do merren robër në të gjitha kombet; dhe paganët do ta shtypin me këmbë Jeruzalemin, derisa të përmbushen kohët e paganëve.
25 Dhe do të ketë shenja në diell, dhe në hënë, dhe në yje; dhe mbi tokë mjerim kombesh, me hutim; deti dhe dallgët duke gjëmuar;
26 Zemrat e njerëzve të ligështuar prej frikës, dhe në pritjen e atyre gjërave që po vijnë në tokë; sepse fuqitë e qiellit do të tunden.
27 Dhe atëherë ata do të shikojnë Birin e njeriut duke ardhur në një re me fuqi dhe lavdi të madhe.
28 Dhe kur këto gjëra të fillojnë të ndodhin, atëherë shihni lart, dhe ngrini kokat; se çlirimi juaj po afrohet.
29 Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: Shikoni fikun, dhe të gjitha pemët;
30 Tani kur të mbijnë, ju shikoni dhe e kuptoni vetë se tani vera është afër.
31 Kështu edhe ju, kur të shikoni që të ndodhin këto gjëra, ta dini që mbretëria e Perëndisë është afër.
32 Me të vërtetë unë ju them: Ky brez nuk do të largohet, derisa të përmbushet gjithçka.
33 Qielli dhe toka do të zhduken; por fjalët e mia nuk do të zhduken.
34 Dhe kujdesuni për veten tuaj, që zemrat tuaja të mos mbingarkohen ndonjëherë me grykësi, dhe dehje, dhe shqetësime të kësaj jete, dhe kështu ajo ditë të vijë papritur mbi ju.
35 Sepse si një grackë do të vijë ajo mbi të gjithë ata që banojnë në faqen e gjithë dheut.
36 Prandaj rrini zgjuar, dhe lutuni gjithmonë, që ju të mund të llogariteni të denjë t’u shpëtoni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin, dhe të qëndroni para Birit të njeriut.
37 Dhe ditën ai jepte mësim në tempull; dhe natën ai dilte, dhe qëndronte në malin që quhet mali i Ullinjve.
38 Dhe të gjithë njerëzit vinin tek ai në tempull herët në mëngjes, që ta dëgjonin atë.