1 Dhe Jakobi banoi në tokën në të cilën ati i tij ishte i huaj, në tokën e Kanaanit.
2 Këto janë brezat e Jakobit. Jozefi, duke qenë shtatëmbëdhjetë vjeç, po kulloste tufën bashkë me vëllezërit e tij; dhe djaloshi ishte me bijtë e Bilhës, dhe me bijtë e Zilpës, gratë e babait të vet; dhe Jozefi i tregoi atit të tij për namin e tyre të keq.
3 Tani, Izraeli e donte Jozefin më shumë se gjithë fëmijët e tij, për shkak se ai ishte biri i pleqërisë së tij; dhe ai i bëri atij një mantel shumëngjyrësh.
4 Dhe kur vëllezërit e tij panë që ati i tyre e donte atë më shumë se gjithë vëllezërit e tij, ata e urryen atë, dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë paqësore.
5 Dhe Jozefi ëndërroi një ëndërr, dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe ata e urryen atë edhe më shumë.
6 Dhe ai u tha atyre: Dëgjojeni, ju lutem, këtë ëndërr që kam ëndërruar;
7 Sepse, ja, ne ishim duke lidhur duaj në fushë, dhe, ja, dorëza ime u çua, dhe gjithashtu qëndroi drejtë; dhe, ja, duajt tuaja qëndronin rrethepërqark, dhe i përkuleshin dorëzës sime.
8 Dhe vëllezërit e tij i thanë: Me të vërtetë do të sundosh ti mbi ne? Ose me të vërtetë do të kesh pushtet mbi ne? Dhe ata e urryen atë edhe më shumë për ëndërrat e tij, dhe për fjalët e tij.
9 Dhe ai ëndërroi edhe një ëndërr tjetër, dhe ua tregoi vëllezërve të tij, dhe tha: Ja, unë kam ëndërruar një ëndërr tjetër; dhe, ja, dielli dhe hëna dhe të njëmbëdhjetë yjet më përkuleshin mua.
10 Dhe ai ia tregoi atë atit të tij, dhe vëllezërve të tij; dhe ati i tij e qortoi atë, dhe i tha: Ç’është kjo ëndërr që ke ëndërruar? Me të vërtetë do të vij unë, dhe nëna jote, dhe vëllezërit e tu për t’u përkulur përtokë para teje?
11 Dhe vëllezërit e tij e kishin zili atë; por ati i tij e mbajti parasysh këtë fjalë.
12 Dhe vëllezërit e tij shkuan për të kullotur tufën e atit të tyre në Shekem.
13 Dhe Izraeli i tha Jozefit: A nuk po kullosin vëllezërit e tu tufën në Shekem? Eja, dhe unë do të të dërgoj tek ata. Dhe ai i tha: Ja ku jam.
14 Dhe ai i tha atij: Shko, të lutem, shiko nëse vëllezërit e tu janë mirë, dhe tufat janë mirë; dhe më sjell përsëri njoftim. Kështu ai e dërgoi atë nga lugina e Hebronit, dhe ai erdhi në Shekem.
15 Dhe një burrë e gjeti atë, dhe, ja, ai po endej në fushë; dhe burri e pyeti, duke thënë: Çfarë kërkon?
16 Dhe ai tha: Unë kërkoj vëllezërit e mi; më trego, të lutem, ku i kullosin tufat e tyre.
17 Dhe burri tha: Ata janë larguar prej këtej; sepse i dëgjova që thoshin: Le të shkojmë në Dothan. Dhe Jozefi shkoi pas vëllezërve të tij, dhe i gjeti në Dothan.
18 Dhe kur e panë nga larg, madje para se ai iu afrua, ata bënë komplot kundër tij për ta vrarë atë.
19 Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: Ja, po vjen ky ëndërrimtar.
20 Tani pra, ejani, dhe le ta vrasim atë, dhe ta hedhim në ndonjë gropë, dhe ne do të themi: Një bishë e keqe e ka gllabëruar atë; dhe ne do të shohim ç’do të bëhen ëndërrat e tij.
21 Dhe Rubeni e dëgjoi këtë, dhe e shpëtoi nga duart e tyre; dhe tha: Le të mos e vrasim.
22 Dhe Rubeni u tha atyre: Mos derdhni gjak, por hidheni atë në këtë gropë që është në shkretëtirë, dhe mos vini dorë mbi të; që ai të mund ta shpëtonte nga duart e tyre, për t’ia shpënë atit të tij përsëri.
23 Dhe ndodhi, kur Jozefi arriti te vëllezërit e tij, që ata e zhveshën Jozefin nga manteli i tij, manteli i tij shumëngjyrësh që ishte mbi të;
24 Dhe ata e morën, dhe e hodhën në një gropë; dhe gropa ishte bosh, s’kishte ujë në të.
25 Dhe ata u ulën të hanin bukë; dhe ngritën sytë e tyre dhe panë, dhe, ja, një grup ishmaelitësh që erdhën nga Gileadi me devetë e tyre që mbartnin erëza, dhe balsam, dhe mirrë, duke shkuar për ta çuar poshtë në Egjipt.
26 Dhe Juda u tha vëllezërve të tij: Çfarë dobi është nëse vrasim vëllain tonë, dhe fshehim gjakun e tij?
27 Ejani, dhe le t’ua shesim atë ishmaelitëve, dhe le të mos jetë dora jonë mbi të; sepse ai është vëllai ynë, dhe mishi ynë. Dhe vëllezërit e tij u kënaqën.
28 Atëherë kaluan andej midianitë tregtarë; dhe ata e tërhoqën dhe e ngritën Jozefin nga gropa, dhe ua shitën Jozefin ishmaelitëve për njëzetë copa argjendi; dhe ata e çuan Jozefin në Egjipt.
29 Dhe Rubeni u kthye te gropa; dhe, ja, Jozefi nuk ishte në gropë; dhe ai i çorri rrobat e tij.
30 Dhe ai u kthye te vëllezërit e tij, dhe tha: Fëmija nuk është; dhe unë, ku do të shkoj?
31 Dhe ata e morën mantelin e Jozefit, dhe therën një kec të dhive, dhe ngjyen mantelin e tij në gjak;
32 Dhe ata e dërguan mantelin shumëngjyrësh, dhe e sollën tek ati i tyre; dhe thanë: Ne kemi gjetur këtë; tani njihe nëse është manteli i birit tënd, apo jo?
33 Dhe ai e njohu atë, dhe tha: Ai është manteli i birit tim, një bishë e keqe e ka gllabëruar; Jozefi pa dyshim është bërë copë copë.
34 Dhe Jakobi i çorri rrobat e tij, dhe veshi thes mbi ijët e tij, dhe mbajti zi shumë ditë për birin e tij.
35 Dhe gjithë bijtë e tij dhe gjithë bijat e tij u çuan për ta ngushëlluar atë; por ai refuzoi të ngushëllohej, dhe tha: Sepse unë, duke mbajtur zi, do të shkoj poshtë në varr te biri im. Kështu ati i tij e qau atë.
36 Dhe midianitët ia shitën atë Potifarit në Egjipt, një oficer i Faraonit, dhe komandanti i rojës.