1 Dhe unë pashë, dhe, ja, një Qengj mbi malin e Sionit, dhe bashkë me të njëqind e dyzetë e katër mijë, me emrin e Atit të tij të shkruar në ballë të tyre.
2 Dhe dëgjova një zë prej qiellit, si zëri i shumë ujërave, dhe si zëri i një bubullime të madhe; dhe dëgjova zërin e harpistëve që luanin harpat e tyre;
3 Dhe ata këndonin si të ishte një këngë e re para fronit, dhe para katër bishave, dhe pleqve; dhe askush nuk mund ta mësonte atë këngë përveç njëqind e dyzetë e katër mijëve, që ishin të shpenguar nga toka.
4 Këta janë ata të cilët nuk ishin të ndotur me gra; sepse janë të virgjër. Këta janë ata që e ndjekin Qengjin ngado që të shkojë. Këta ishin shpenguar prej midis njerëzve, duke qenë frytet e para për Perëndinë dhe për Qengjin.
5 Dhe në gojën e tyre nuk u gjet mashtrim, sepse janë të pafaj përpara fronit të Perëndisë.
6 Dhe unë pashë një engjëll tjetër të fluturonte përmes mesit të qiellit, duke pasur ungjillin e përjetshëm për t’ua predikuar atyre që banojnë në tokë, çdo kombi e fisi e gjuhe dhe populli,
7 Duke thëne me zë të lartë: Trembjuni Perëndisë, dhe i jepni lavdi atij; sepse ora e gjyqit të tij ka ardhur; dhe adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën e detin dhe burimet e ujërave.
8 Dhe një engjëll tjetër shkoi pas, duke thënë: Babilonia ka rënë, ka rënë, ai qyteti i madh sepse shkaktoi që të gjitha kombet të pinë nga vera e zemërimit të kurvërimit të saj.
9 Dhe engjëlli i tretë u shkoi pas, duke thirrur me zë të lartë: Nëse ndokush adhuron bishën dhe imazhin e tij, dhe merr shenjën e tij në ballin e tij, ose në dorën e tij,
10 Ai do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e indinjatës së tij; dhe do të torturohet me zjarr dhe squfur në praninë e engjëjve të shenjtë, dhe në praninë e Qengjit;
11 Dhe tymi i torturës së tyre ngrihet lart përherë e përherë; dhe nuk kanë prehje ditë e natë, që adhurojnë bishën dhe imazhin e tij, dhe kushdo që merr shenjën e emrit të tij.
12 Këtu është durimi i shenjtorëve; këtu janë ata që ruajnë urdhërimet e Perëndisë, dhe besimin e Jezusit.
13 Dhe dëgjova një zë prej qiellit që më thoshte: Shkruaj: Të bekuar janë të vdekurit që këtej e mbrapa vdesin në Zotin; Po, thotë Fryma, që të mund të prehen prej punërave të tyre; dhe veprat e tyre i ndjekin ata.
14 Dhe unë pashë, dhe ja një re e bardhë, dhe mbi renë rrinte ulur njëri që i ngjante Birit të njeriut, duke pasur mbi kokën e tij një kurorë të artë, dhe në dorën e tij një drapër të mprehtë.
15 Dhe një tjetër engjëll doli nga tempulli, duke i bërtitur me zë të lartë atij që ishte ulur mbi renë: Fute draprin tënd, dhe korr; sepse ka ardhur koha që ti të korrësh; sepse të korrat e tokës janë pjekur.
16 Dhe ai që rrinte ulur mbi renë e futi draprin e tij në tokë; dhe toka u korr.
17 Dhe një tjetër engjëll doli nga tempulli që është në qiell, edhe ai duke pasur një drapër të mprehtë.
18 Dhe një tjetër engjëll, doli nga altari, që kishte pushtet mbi zjarrin; dhe i bërtiti më një bërtitje të lartë atij që kishte draprin e mprehtë, duke thënë: Fute draprin tënd të mprehtë, dhe mblidh bistakët e hardhisë së tokës, sepse rrushi i saj është pjekur plotësisht.
19 Dhe engjëlli e futi draprin e tij në tokë, dhe mblodhi hardhinë e tokës, dhe e hodhi në shtrydhorjen e madhe të zemërimit të Perëndisë.
20 Dhe shtrydhorja u shkel jashtë qytetit, dhe doli gjak nga shtrydhorja, deri te frerët e kuajve, për largësi njëmijë e gjashtëqind stade.