1 Dhe pas këtyre gjërave unë pashë një engjëll tjetër të zbriste prej qiellit, duke pasur pushtet të madh; dhe toka u ndriçua me lavdinë e tij.
2 Dhe ai bërtiti fuqishëm me një zë të fortë, duke thënë: Babilonia e madhe ka rënë, ka rënë, dhe është bërë vendbanimi i djajve, dhe burgu i çdo fryme të fëlliqur, dhe një kafaz i çdo shpendi të ndyrë dhe të neveritshëm.
3 Sepse të gjitha kombet kanë pirë prej verës së zemërimit të kurvërimit të saj, dhe mbretërit e tokës kanë kurvëruar me të, dhe tregtarët e tokës janë bërë të pasur përmes bollëkut të salltaneteve të saj.
4 Dhe unë dëgjova një zë tjetër prej qiellit, duke thënë: Dilni prej saj, populli im, që ju të mos jeni pjesëmarrës të mëkateve të saj, që ju të mos merrni nga mynxyrat e saj.
5 Sepse mëkatet e saj kanë arritur në qiell, dhe Perëndia i ka kujtuar ligësitë e saj.
6 Shpaguani atë ashtu si ajo ju shpagoi ju, dhe dyfishojani asaj dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo ka mbushur mbushini asaj dyfish.
7 Aq sa e ka lavdëruar veten, dhe ka jetuar në salltanete, po aq torturë dhe vajtim jepini asaj; sepse ajo thotë në zemrën e saj: Unë rri mbretëreshë, dhe nuk jam e ve, dhe nuk do të shoh vajtim.
8 Prandaj mynxyrat e saj do t’i vijnë brenda një dite, vdekja, dhe vajtimi, dhe zia e bukës; dhe ajo do të digjet plotësisht me zjarr; sepse i fortë është Zoti Perëndi që e gjykon atë.
9 Dhe mbretërit e tokës, që kanë kurvëruar dhe kanë jetuar në salltanete me të, do ta qajnë, dhe do të vajtojnë për të, kur të shikojnë tymin e të djegurit të saj,
10 Duke qendruar larg për shkak të frikës së torturës së saj, duke thënë: Mjerë, mjerë, ai qyteti i madh Babiloni, ai qyteti i fuqishëm! Sepse gjyqi yt erdhi brenda një ore.
11 Dhe tregtarët e tokës do të qajnë dhe do të vajtojnë mbi të; sepse nuk i blen më njeri mallrat e tyre;
12 Mallra prej ari, dhe argjendi, dhe gurësh të çmuar, dhe margaritarësh, dhe pëlhure liri të bukur, dhe të purpurt, dhe mëndafshi, dhe të kuqe, dhe të gjithë drurësh thyine, dhe të gjitha llojet e enëve prej fildishi, dhe të gjitha llojet e enëve prej druri më të shtrenjtë, dhe prej bronzi, dhe hekuri, dhe mermeri,
13 Dhe kanellë, dhe aroma, dhe vajra të parfumuara, dhe temjan, dhe verë, dhe vaj, dhe miell i mirë, dhe grurë, dhe bagëti, dhe dele, dhe kuaj, dhe karroca, dhe skllevër, dhe shpirtra njerëzish.
14 Dhe frutat që shpirti yt i lakmonte u larguan prej teje, dhe të gjitha gjërat që ishin të shijshme dhe të mira u larguan prej teje, dhe ti nuk do t’i gjesh më kurrë.
15 Tregtarët e këtyre gjërave, të cilët u pasuruan prej saj, do të qëndrojnë larg për shkak të frikës së torturës së saj, duke qarë e duke vajtuar.
16 Dhe duke thënë: Mjerë, mjerë, ai qyteti i madh, që ishte veshur me pëlhurë liri të bukur, dhe të purpurt, dhe të kuqe, dhe stolisur me ar, dhe gurë të çmuar, dhe margaritarë!
17 Sepse brenda një ore kaq pasuri të mëdha u kthyen në hiç. Dhe çdo kapiten anije, dhe gjithë turma në anije, dhe detarët, dhe të gjithë sa bëjnë treg nëpërmjet detit, qëndruan larg,
18 Dhe ata bërtitën kur panë tymin e të degurit të saj, duke thënë: Cili qytet është si ky qyteti i madh!
19 Dhe ata hodhën pluhur mbi kokat e tyre, dhe bërtitën, duke qarë e vajtuar, duke thënë: Mjerë, mjerë, ai qytet i madh, në të cilin u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det për shkak të shtrenjtësisë së saj! Sepse brenda një ore u shkretua.
20 Gëzohuni mbi të, ti qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë; sepse Perëndia ka marrë hak për ju ndaj saj.
21 Dhe një engjëll i fuqishëm mori një gur si një gur mulliri të madh, dhe e hodhi në det, duke thënë: Kështu me dhunë do të hidhet poshtë ai qyteti i madh Babiloni, dhe nuk do të gjendet më kurrë.
22 Dhe zëri i harpistëve, dhe muzikantëve, dhe fyelltarëve, dhe trumbetarëve, nuk do të dëgjohet kurrë më në ty; dhe asnjë artizan, i çfarëdolloj zanati qoftë, nuk do të gjendet më në ty; dhe zëri i gurit të mullirit nuk do të dëgjohet më kurrë në ty;
23 Dhe drita e qiririt nuk do të ndriçojë më kurrë në ty; dhe zëri i dhëndrit dhe i nuses nuk do të dëgjohet më kurrë në ty; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e tokës; sepse prej magjive të tua u mashtruan gjithë kombet.
24 Dhe brenda saj u gjet gjaku i profetëve, dhe i shenjtorëve, dhe i gjithë atyre që u vranë mbi tokë.