1 Engjëllit të kishës së Efesit shkruaji: Këto gjëra thotë ai që mban të shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, i cili ecën midis të shtatë shandanëve të artë;
2 Unë i njoh veprat e tua, dhe punën tënde, dhe durimin tënd, dhe se si ti nuk mund t’i durosh ata që janë të këqinj; dhe i ke provuar ata që thonë se janë apostuj, dhe nuk janë, dhe i gjete gënjeshtarë;
3 Dhe ke duruar, dhe ke durim, dhe për hir të emrit tim ke punuar, dhe nuk je rraskapitur.
4 Megjithatë unë kam diçka kundër teje, sepse ti e ke lënë dashurinë tënde të parë.
5 Prandaj kujtohu prej nga ke rënë poshtë, dhe pendohu, dhe bëji veprat e para; ose përndryshe unë do të vij te ti shpejt, dhe do ta heq shandanin tënd prej vendit të tij, po të mos pendohesh.
6 Por ti e ke këtë, që i urren veprat e Nikolaitëve, të cilat i urrej edhe unë.
7 Ai që ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave: Atij që kapërcen unë do t’i japë të hajë nga pema e jetës, e cila është në mes të parajsës së Perëndisë.
8 Dhe engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: Këto gjëra thotë i pari dhe i fundit, i cili vdiq, dhe është i gjallë;
9 Unë i njoh veprat e tua, dhe mundimin, dhe varfërinë, (por ti je i pasur) dhe e njoh blasfeminë e atyre që thonë se janë judej, dhe nuk janë, por janë sinagoga e Satanait.
10 Mos u temb nga ndonjëra prej atyre gjërave që do të pësoni; ja, djalli do të hedhë në burg disa prej jush, që ju të sprovoheni; dhe do të keni mundime dhjetë ditë; ji besnik ndaj vdekjes, dhe unë do të të jap kurorën e jetës.
11 Ai që ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave: Ai që kapërcen nuk do të dëmtohet nga vdekja e dytë.
12 Dhe engjëllit të kishës në Pergamon shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe;
13 Unë i njoh veprat e tua, edhe ku banon, madje atje ku është froni i Satanait; dhe ti mban fort emrin tim, dhe nuk e ke mohuar besimin tim, edhe në ato ditë në të cilat Antipasi ishte martiri im besnik, i cili u vra midis jush, ku banon Satanai.
14 Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti ke atje ata që ruajnë doktrinën e Balaamit, i cili e mësoi Balakun të hedhë një gur pengese para bijve të Izraelit, të hajë gjërat qe iu sakrifikuan idhujve, dhe të kurvërojë.
15 Ti i ke edhe ata që ruajnë doktrinën e Nikolaitëve, gjë të cilën unë e urrej.
16 Pendohu; përndryshe së shpejti unë do të vij te ti, dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.
17 Ai që ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave: Atij që kapërcen do t’i jap të hajë prej mannës së fshehur, dhe do t’i jap atij një gur të bardhë, dhe në gurin i shkruar një emër i ri, që nuk e njeh njeri përveç atij që e merr.
18 Dhe engjëllit të kishës në Thiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, i cili ka sytë e tij si një flakë zjarri, dhe këmbët e tij janë si tunxhi i shkëlqyer;
19 Unë i njoh veprat e tua, dhe dashurinë, dhe shërbimin, dhe besimin, dhe durimin tënd, dhe veprat e tua; dhe se të fundit janë më të shumta se të parat.
20 Megjithatë unë kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon atë gruan Jezebelë, që e quan veten profeteshë, për t’i mësuar dhe për t’i joshur shërbëtorët e mi të kurvërojnë, dhe të hanë gjëra që u janë sakrifikuar idhujve.
21 Dhe unë i dhashë asaj kohë të pendohej për kurvërinë e saj; dhe ajo nuk u pendua.
22 Ja, unë do ta hedh në një shtrat, dhe ata që do të shkelin kurorën me të, në mundim të madh, po të mos pendohen për veprat e tyre.
23 Dhe do t’i vras bijtë e saj me vdekje; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton veshkat dhe zemrat; dhe do t’i jap çdonjërit prej jush sipas veprave tuaja.
24 Por juve, dhe të tjerëve në Thiatirë, të gjithë ata që nuk e kanë këtë doktrinë, dhe që nuk i kanë njohur thellësitë e Satanait, siç thonë ata; unë them: Unë nuk do të vë mbi ju barrë tjetër.
25 Por atë që ju e keni tashmë, mbajeni fort derisa të vij unë.
26 Dhe ai që kapërcen, dhe i ruan veprat e mia deri në fund, atij do t’i jap pushtet mbi kombet;
27 Dhe ai do t’i qeverisë ato me një shkop të hekurt; si enët e një poçari ato do të thyhen në copa; ashtu siç mora unë prej Atit tim.
28 Dhe unë do t’i jap atij yllin e mëngjesit.
29 Ai që ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave.