1 Dhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka të shtatë Frymërat e Perëndisë, dhe të shtatë yjet; unë i njoh veprat e tua, se ke një emër që jeton, edhe je i vdekur.
2 Ji zgjuar, dhe forco gjërat që mbeten, që gati po vdesin; sepse unë nuk i kam gjetur veprat e tua të përsosura përpara Perëndisë.
3 Prandaj kujto se si ti ke marrë dhe dëgjuar, mbaje fort, dhe pendohu. Prandaj nëse ti nuk do të rrish zgjuar, unë do të vij mbi ty si një vjedhës, dhe ti nuk do ta dish në çfarë orë do të vij mbi ty.
4 Ti ke disa emra edhe në Sardë që nuk i kanë ndotur rrobat e tyre; dhe ata do të ecin me mua në të bardha; sepse janë të denjë.
5 Ai që kapërcen, i njëjti do të vishet me rroba të bardha; dhe emrin e tij nuk do ta shuaj nga libri i jetës, por do ta rrëfej emrin e tij përpara Atit tim, dhe para engjëjve të tij.
6 Ai që ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave.
7 Dhe engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji: Këto thotë ai që është i shenjtë, ai që është i vërtetë, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap, dhe nuk mbyll njeri; dhe mbyll, dhe nuk hap njeri;
8 Unë i njoh veprat e tua; ja, unë kam vendosur para teje një derë të hapur, dhe nuk mund ta mbyllë njeri atë; sepse ti ke pak forcë, dhe e ke ruajtur fjalën time, dhe nuk e ke mohuar emrin tim.
9 Ja, do t’i bëj ata të sinagogës së Satanait, që thonë se janë judej, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do të bëj që ata të vijnë dhe të adhurojnë para këmbëve të tua, dhe të dinë se unë të kam dashur ty.
10 Sepse ti e ke ruajtur fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj nga ora e sprovimit, që do të vijë mbi gjithë botën, për t’i provuar ata që banojnë në tokë.
11 Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që kurorën tënde të mos e marrë njeri.
12 Atë që kapërcen unë do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, që është Jerusalemi i ri, që zbret poshtë nga qielli prej Perëndisë tim; dhe do të shkruaj mbi të emrin tim të ri.
13 Ai që ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave.
14 Dhe engjëllit të kishës së Laodiceanëve shkruaji: Këto gjëra thotë Amini, dëshmitari besnik dhe i vërtetë, fillimi i krijimit të Perëndisë;
15 Unë i njoh veprat e tua, se ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë; unë dua që të ishe i ftohtë apo i ngrohtë.
16 Kështu atëherë meqë je i vakët, dhe as i ftohtë as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.
17 Sepse ti thua: Unë jam i pasur, dhe i shtuar me prona, dhe nuk kam nevojë për ndonjë gjë; dhe nuk e di që je i gjorë, dhe i mjerë, dhe i varfër, dhe i verbër, dhe i zhveshur;
18 Unë të këshilloj të blesh prej meje ar të provuar në zjarr, që të mund të jesh i pasur; dhe rroba të bardha, që të mund të vishesh, dhe që turpi i zhveshjes sate të mos duket; dhe lyej sytë e tu me melhem syri, që të mund të shohësh.
19 Të gjithë ata që i dua, unë i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm, dhe pendohu.
20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse ndokush e dëgjon zërin tim, dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai, dhe do të darkoj me të, dhe ai me mua.
21 Atij që kapërcen do t’i jap të ulet me mua në fronin tim, ashtu si edhe unë kapërceva, dhe jam ulur me Atin tim në fronin e tij.
22 Ai që ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave.