1 Pas kësaj vështrova, dhe, ja, një derë u hap në qiell; dhe zërin e parë që dëgjova ishte si prej një trumbete që fliste me mua; që tha: Ngjitu këtej, dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin paskëtaj.
2 Dhe menjëherë isha në frymë; dhe, ja, një fron ishte vendosur në qiell, dhe një ishte ulur në fron.
3 Dhe ai që ishte ulur ngjante me një gur diaspri dhe sardi; dhe ishte një ylber rrethepërqark fronit, në dukje si një smerald.
4 Dhe rrethepërqark fronit ishin njëzet e katër ndenjëse; dhe mbi ndenjëset unë pashë të ulur njëzet e katër pleq, të veshur me rroba të bardha; dhe kishin kurora të arta mbi krerët e tyre.
5 Dhe prej fronit dilnin vetëtima dhe bubullima dhe zëra; dhe para fronit ishin shtatë llamba zjarri të ndezura, që janë shtatë Frymërat e Perëndisë.
6 Dhe përpara fronit ishte një det prej qelqi që ngjante me kristalin; dhe në mes të fronit, dhe rrethepërqark fronit, ishin katër bisha plot me sy para dhe mbrapa.
7 Dhe bisha e parë ishte si një luan, dhe bisha e dytë si një viç, dhe bisha e tretë kishte fytyrë si njeri, dhe bisha e katërt ishte si një shqiponjë që fluturon.
8 Dhe të katër bishat kishin secili prej tyre gjashtë fletë përqark tij; dha ata ishin plot me sy nga brenda; dhe nuk pushojnë ditë e natë, duke thënë: I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë, Zoti Perëndi i Gjithpushtetshmi, që ishte, dhe është, dhe është për të ardhur.
9 Dhe kur ato bisha i japin lavdi dhe nder dhe falënderime atij që ishte ulur mbi fronin, i cili jeton përherë e përherë,
10 Të njëzet e katër pleqtë bien poshtë përpara atij që ishte ulur mbi fron, dhe e adhurojnë atë që jeton përherë e përherë, dhe hedhin kurorat e tyre para fronit, duke thënë:
11 Ti je i denjë, O Zot, të marrësh lavdi dhe nder dhe pushtet; sepse ti i ke krijuar të gjitha gjërat, dhe për kënaqësinë tënde janë dhe u krijuan.