1 Dhe unë pashë në dorën e djathtë të atij që ishte ulur mbi fronin një libër të shkruar brenda dhe në anën e pasme, të vulosur me shtatë vula.
2 Dhe pashë një engjëll të fortë duke shpallur me zë të lartë: Kush është i denjë ta hapë librin, dhe t’i zgjidhë vulat e tij?
3 Dhe askush në qiell, as në tokë, as poshtë tokës, nuk ishte në gjendje ta hapte librin, as ta vështronte.
4 Dhe unë qava shumë, sepse nuk u gjet njeri i denjë ta hapte dhe ta lexonte librin, as ta vështronte.
5 Dhe një nga pleqtë më tha: Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, ka kapërcyer ta hapë librin, dhe t’i zgjidhë të shtatë vulat e tij.
6 Dhe unë pashë, dhe, ja, në mes të fronit dhe të katër bishave, dhe në mes të pleqve, qëndroi një Qengj sikur të ishte therur, që kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë shtatë Frymërat e Perëndisë të dërguara në gjithë botën.
7 Dhe ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e atij që ishte ulur mbi fronin.
8 Dhe pasi e mori librin, të katër bishat dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili prej tyre harpa, dhe enë të arta plot aroma, që janë lutjet e shenjtorëve.
9 Dhe kënduan një këngë të re, duke thënë: Ti je i denjë ta marrësh librin, dhe të hapësh vulat e tij; sepse ti u there, dhe na shpengove te Perëndia përmes gjakut tënd prej çdo fisi, dhe gjuhe, dhe populli, dhe kombi;
10 Dhe na ke bërë mbretër dhe priftërinj te Perëndia ynë; dhe ne do të mbretërojmë në tokë.
11 Dhe unë pashë, dhe dëgjova zërat e shumë engjëjve rrethepërqark fronit, dhe bishave dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetëmijë herë dhjetëmijë, dhe mijëra mijërash;
12 Duke thënë me zë të lartë: I denjë është Qengji që u ther per të marrë fuqi, dhe pasuri, dhe urtësi, dhe forcë, dhe nder, dhe lavdi, dhe bekim.
13 Dhe çdo krijesë që është në qiell, dhe mbi tokë, dhe poshtë tokës, dhe ato që janë në det, dhe të gjitha që janë në to, i dëgjova të thoshin: Bekimi, dhe nderi, dhe lavdia, dhe pushteti, i qofshin atij që është ulur në fron, dhe Qengjit përherë e përherë.
14 Dhe të katër bishat thanë: Amin. Dhe njëzet e katër pleqtë ranë përmbys dhe e adhuruan atë që jeton përherë e përherë.