1 Atëherë unë, i burgosuri i Zotit, ju lutem juve që të ecni të denjë për thirrjen për të cilën ju jeni thirrur,
2 Me gjithë përulësinë dhe butësinë, me durim, me dashuri duke e duruar njëri-tjetrin;
3 Duke u përpjekur të mbani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.
4 Ka një trup, dhe një Frymë, madje ashtu siç jeni thirrur në një shpresë të thirrjes suaj;
5 Një Zot, një besim, një pagëzim,
6 Një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, i cili është mbi të gjithë, dhe përmes të gjithëve, dhe në ju të gjithë.
7 Por çdonjërit prej nesh i është dhënë hiri sipas masës së dhuratës së Krishtit.
8 Prandaj ai thotë: Kur u ngjit lart, ai i çoi robërit në robëri, dhe u dha dhurata njerëzve.
9 (Tani, që ai u ngjit, çfarë është ajo veçse ai edhe zbriti në pjesët e ulëta të tokës?
10 Ai që zbriti është i njëjti që edhe u ngjit shumë më lart se të gjithë qiejt, që të mund të mbushte të gjitha gjërat.)
11 Dhe ai dha disa, apostuj; dhe disa, profetë; dhe disa, ungjilltarë; dhe disa, pastorë dhe mësues;
12 Për përsosjen e shenjtorëve, për punën e shërbimit, për ndërtimin e trupit të Krishtit;
13 Deri sa ne të gjithë vijmë në unitetin e besimit, dhe të të njohurit të Birit të Perëndisë, në një burrë të përsosur, në masën e shtatit të plotshmërisë së Krishtit;
14 Që ne këtej e tutje të mos jemi më fëmijë, të hedhur andej këtej, dhe të çuar vërdallë me çdo ere të doktrinës, prej dredhisë së njerëzve, dhe shkathtësisë gënjeshtare, ku ata rrinë në pritë për të mashtruar;
15 Por duke folur të vërtetën me dashuri, të mund të rritemi në të në të gjitha gjërat, që është koka, vetë Krishti;
16 Prej të cilit i gjithë trupi lidhur mirë bashkë dhe i ngjeshur prej asaj që çdo nyje siguron, sipas funksionimit efektiv në masën e çdo pjese, bën të rritet trupi për ndërtimin e vetvetes në dashuri.
17 Prandaj unë them këtë, dhe dëshmoj në Zotin, se ju që sot e tutje të mos ecni siç ecin paganët e tjerë, në kotësi të mendjes së tyre,
18 Duke e pasur kuptimin të errësuar, duke qenë të tëhuajtur prej jetës së Perëndisë përmes paditurisë që është brenda tyre, për shkak të verbërisë së zemrës së tyre;
19 Të cilët pasi humbën aftësinë e ndjenjës e kanë dhënë veten e tyre në shthurje, ta bëjnë gjithë papastërtinë me makutëri.
20 Por ju nuk e keni mësuar kështu Krishtin;
21 Nëse është kështu që e keni dëgjuar atë, dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që është në Jezusin;
22 Që ju në lidhje me sjelljen e mëparshme ta hidhni poshtë njeriun e vjetër, që është i shthurur sipas epsheve mashtruese;
23 Dhe jini të përtëritur në frymën e mendjes suaj;
24 Dhe që ju ta vishni njeriun e ri, që sipas Perëndisë është krijuar në drejtësi dhe shenjtëri të vërtetë.
25 Prandaj duke hedhur poshtë të gënjyerit, flisni të vërtetën secili me të afërmin e tij; sepse ne jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.
26 Jini të inatosur, dhe mos mëkatoni; mos e lini diellin të perëndojë mbi inatin tuaj;
27 As mos i lini vend djallit.
28 Ai që vidhte, le të mos vjedhë më; por më mirë le të mundohet, duke e punuar gjënë e mirë me duart e tij, që ai të mund të ketë për t’i dhënë atij që ka nevojë.
29 Le të mos dalë prej gojës sate asnjë fjalë e kalbur, por ajo që është e mirë për t’u përdorur në ndërtim, që ajo të mund t’u shërbejë hir atyre që dëgjojnë.
30 Dhe mos e hidhëroni Frymën e shenjtë të Perëndisë, prej së cilës ju jeni vulosur ndaj ditës së shpengimit.
31 Le të hidhet poshtë prej jush çdo hidhësi, dhe zemërim, dhe inat, dhe bujë, dhe të folur të keq, me çdo keqdashje;
32 Dhe jini zemërgjerë njëri ndaj tjetrit, zemërbutë, duke e falur njëri-tjetrin, ashtu si Perëndia për hir të Krishtit ju ka falur ju.