1 Tani, në ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato, dhe disa të tjera bashkë me to, erdhën te varri, duke sjellë erëzat që kishin përgatitur.
2 Dhe e gjetën gurin të rrokullisur prej varrit.
3 Dhe hynë brenda, dhe nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
4 Dhe ndodhi, ndërsa ato ishin shumë të hutuara për këtë, ja, dy burra me rroba të ndritshme qëndruan pranë tyre;
5 Dhe ndërsa ato u trembën, dhe ulën kokat përtokë, ata u thanë atyre: Pse kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
6 Ai nuk është këtu, por është ngjallur; kujtohuni si ju foli kur ishte ende në Galile,
7 Duke thënë: Biri i njeriut duhet të dorëzohet në duart e njerëzve mëkatarë, dhe të kryqëzohet, dhe ditën e tretë të ngjallet përsëri.
8 Dhe ato i kujtuan fjalët e tij,
9 Dhe u kthyen nga varri, dhe ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve, dhe gjithë të tjerëve.
10 Ishte Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit, dhe gra të tjera që ishin me to, të cilat ua tregonin këto gjëra apostujve.
11 Dhe fjalët e tyre atyre u dukeshin si përralla të kota, dhe nuk i besuan ato.
12 Atëherë u ngrit Pjetri, dhe vrapoi te varri; dhe duke u përkulur, pa rrobat prej liri të shtrira vetëm, dhe u largua, duke u habitur me vete për atë që kishte ndodhur.
13 Dhe, ja, dy prej tyre shkuan në të njëjtën ditë në një fshat të quajtur Emaus, që ishte prej Jerusalemit rreth gjashtëdhjetë stade larg.
14 Dhe ata folën me njëri-tjetrin për të gjitha këto gjëra që kishin ndodhur.
15 Dhe ndodhi, që, ndërsa ata bisedonin bashkë dhe arsyetonin, Jezusi vetë po afrohej, dhe shkoi me ta.
16 Por sytë e tyre mbaheshin që të mos e njihnin atë.
17 Dhe ai u tha atyre: Çfarë lloj komunikimesh janë këto që keni ju me njëri-tjetrin, ndërsa ecni, dhe jeni të trishtuar?
18 Dhe njëri prej tyre, emri i të cilit ishte Kleopas, duke u përgjigjur i tha atij: A jeni ju i vetmi i huaj në Jerusalem, dhe nuk i dini gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?
19 Dhe ai u tha atyre: Çfarë gjëra? Ata i thanë atij: Në lidhje me Jezusin e Nazaretit, i cili ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe fjalë para Perëndisë dhe gjithë njerëzve;
20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe drejtuesit tanë e dorëzuan atë të dënohej me vdekje, dhe e kanë kryqëzuar atë.
21 Por ne besonim se do të ishte ai që do ta shpengonte Izraelin; dhe përveç gjithë kësaj, sot është dita e tretë qëkur u bënë këto gjëra.
22 Po, edhe disa gra nga grupi ynë, që ishin herët te varri, na bënë të habitemi;
23 Dhe pasi nuk e gjetën trupin e tij, ato erdhën duke thënë se, kishin parë edhe një vegim engjëjsh, që thanë se ai ishte i gjallë.
24 Dhe disa prej atyre që ishin me ne shkuan te varri, dhe e gjetën ashtu siç kishin thënë gratë; por atë nuk e panë.
25 Atëherë ai u tha: O budallenj, dhe zemër ngadaltë për të besuar gjithçka që profetët kanë thënë;
26 A nuk duhej që Krishti t’i vuante këto gjëra, dhe të hynte në lavdinë e tij?
27 Dhe duke filluar nga Moisiu dhe të gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre gjërat në lidhje me veten e tij, në të gjitha shkrimet.
28 Dhe ata po i afroheshin fshatit, ku shkonin; dhe ai bëri sikur do të shkonte më tutje.
29 Por ata e detyruan atë, duke thënë: Rri me ne; sepse po ngryset, dhe dita mbaron. Dhe ai hyri brenda të rrinte me ta.
30 Dhe ndodhi që, ndërsa ishte ulur të hante me ta, ai mori bukë, dhe e bekoi, dhe e theu, dhe ua dha atyre.
31 Dhe sytë e tyre u hapën, dhe ata e njohën atë; dhe ai u zhduk nga sytë e tyre.
32 Dhe ata thanë me njëri-tjetrin: A nuk u dogj zemra jonë brenda nesh, ndërsa ai fliste me ne gjatë rrugës, dhe ndërsa ai na hapi shkrimet?
33 Dhe ata u çuan po në atë çast, dhe u kthyen në Jerusalem, dhe gjetën të mbledhur bashkë të njëmbëdhjetët, dhe ata që ishin bashkë me ta,
34 Duke thënë: Zoti është ngjallur me të vërtetë, dhe iu shfaq Simonit.
35 Dhe ata treguan çfarë gjëra ishin bërë gjatë rrugës, dhe se si ai u njoh prej tyre në thyerjen e bukës.
36 Dhe ndërsa ata po flisnin kështu, vetë Jezusi qëndronte në mes të atyre, dhe u tha: Paqja qoftë me ju.
37 Por ata ishin tmerruar dhe frikësuar, dhe menduan se kishin parë një frymë.
38 Dhe ai u tha atyre: Përse jeni të shqetësuar? Dhe pse lindin mendime në zemrat tuaja?
39 Shikoni duart dhe këmbët e mia, që jam unë vetë; më prekni, dhe shihni; sepse një frymë nuk ka mish e kocka, siç më shihni që unë kam.
40 Dhe pasi kishte folur kështu, ai u tregoi atyre duart e tij dhe këmbët e tij.
41 Dhe ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi, dhe u habitën, ai u tha: Keni gjë për të ngrënë këtu?
42 Dhe ata i dhanë një copë peshk të pjekur, dhe prej një hoje mjalti.
43 Ai e mori, dhe hëngri para tyre.
44 Dhe ai u tha: Këto janë fjalët që unë ju thashë, ndërkohë që isha ende me ju, që duhet të përmbushen të gjitha gjërat, që ishin shkruar në ligjin e Moisiut, dhe te profetët, dhe te psalmet, në lidhje me mua.
45 Atëherë ai u hapi atyre të kuptuarit, që ata të mund t’i kuptonin shkrimet,
46 Dhe u tha atyre: Kështu është shkruar, dhe kështu ishte e domosdoshme që Krishti të vuante, dhe të ngjallej prej së vdekurish ditën e tretë;
47 Dhe që pendimi dhe falja e mëkateve të predikohen në emrin e tij ndër të gjitha kombet, duke filluar nga Jerusalemi.
48 Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.
49 Dhe, ja, unë dërgoj premtimin e Atit tim mbi ju; por qëndroni në qytetin e Jerusalemit derisa të pajiseni me fuqi nga lart.
50 Dhe ai i priu ata jashtë deri në Betani, dhe ngriti duart e tij, dhe i bekoi ata.
51 Dhe ndodhi, ndërsa i bekonte, ai u nda prej tyre, dhe u çua lart në qiell.
52 Dhe ata e adhuruan atë, dhe u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh;
53 Dhe ishin vazhdimisht në tempull, duke lavdëruar dhe duke bekuar Perëndinë. Amin.