|
“Sepse ZOTI do të jetë besimi yt, dhe do ta ruaj këmbën tënde të mos merret.” - Proverbat 3:26 Kur delet janë afër Bariut të mirë, nuk kanë pse t’u tremben ujqërve grabitqarë që duan t’i copëtojnë. Bariu kujdeset për ta dhe rri zgjuar në çdo çast për t’i mbrojtur prej armiqve. Fëmija e vogël që e ka frikë errësirën, ec përpara me guxim pa menduar për terrin e natës kur shëtit dorë për dorë me babain. Po ky, i njëjti besim, e njëjta siguri, kemi ne që i ruajmë në zemrat tona premtimet e Biblës. Zoti është besimi ynë! Edhe në vështirësi, në sëmundje, në mungesa, në hallet e jetës, ashtu si në kohët e mira, ne jemi të bindur që Zoti e ka caktuar rrugën e fëmijëve të Tij. Ne jemi të vendosur të ecim përpara me besim guximtar, dhe të mos t’i trembemi të keqes, sepse Zoti ka thënë: Unë nuk do t’ju braktis kurrë. Nëse Zoti është me ne, kush mund të jetë kundër nesh! Nganjëherë, Zoti e vë në provë besimin tonë që ne të mund të forcohemi. Shqiponja, kur i mëson të voglat e saj të fluturojnë, i merr ato një nga një mbi shpinën e saj lart në qiell. Krejt papritur, ajo kthehet kokëposhtë. E vogla e saj bie, dhe provon me gjithë shpirtin të fluturojë. Ndoshta mendon që nëna e saj e ka braktisur. Jo! Kurrë! Ndërsa mëson fluturimin, shqiponja e vogël mëson edhe diçka tjetër. Ajo mëson se nëna e saj mund të fluturojë më shpejt se sa ajo mund të bjerë, dhe nëse nuk fluturon, nëna shqiponjë e shpëton atë në momentin e duhur. Në të njëjtën mënyrë Zoti forcon besimin tonë tek Ai. Amin.
0 Comments
“Sepse zgjedha ime është e rehatshme, dhe barra ime është e lehtë.” - Mateu 11:30 Çdo njeri punëtor e ndien barrën e punës. Është e lodhshme, por është e mirë. Ne duhet të punojmë që të sigurojmë një jetë të mirë për familjen. Edhe në botën e përsosur, para se Adami dhe Eva mëkatuan, ata ishin punëtorë në kopshtin e Edenit për Zotin. Ne kemi nevojë, në botën e sotme, për më shumë njerëz punëtorë që punojnë në mënyrë të ndershme. Një barrë tjetër në jetë është barra e Satanait. Ai e di se si t’i kapë njerëzit në epshet dhe lakmitë e tyre. Shumë njerëz janë pushtuar nga drogat, nga pijet alkoolike, nga pornografia, nga pasuritë, nga shumë gjëra materiale dhe të përkohshme në këtë botë. Satanai do që ju të jeni aq të rënduar saqë nuk do të hidhni sytë lart dhe të mendoni për Zotin. Një barrë tjetër gjendet te vargu i sipërm. Kjo është barra e Zotit mbi besimtarët e tij. Për këtë, Jezusi tha: “...zgjedha ime është e rehatshme, dhe barra ime është e lehtë.” Për mua, është një kënaqësi dhe një nder i madh që t’i shërbej Zotit. Ai më shpëton, më ndihmon, më qetëson, më do, më jep jetë të përjetshme, më udhëzon në këtë jetë. Nëse shërbimi për Zotin quhet barrë apo zgjedhë, është një barrë që lehtëson çdo barrë tjetër, është një zgjedhë që na liron nga robëria e mëkatit, dhe që na lidh ëmbëlsisht me Shpëtimtarin e dashur të botës. Amin!
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
October 2025
Kategoritë |