|
“Hapat e një njeriu të mirë drejtohen prej ZOTIT; dhe ai kënaqet në rrugën e tij.” - Psalmi 37:23 Në vargun e sipërm, ne mësojmë për drejtimin e Zotit në jetën e njeriut të mirë. Zoti është aktiv në jetën e tij duke zgjedhur rrugën e tij, duke përgatitur rrugën dhe duke e ndihmuar atë gjatë rrugës. Është një bekim i madh që Zoti drejton hapat tona. Çdo situatë në jetën tonë është formuar në mënyrë të përsosur prej duarve të Tij hynore. Kjo përfshin edhe bekimet e jetës edhe vështirësitë. Le të kemi besim që çdo gjë në jetë, çdo sëmundje, çdo sprovë, çdo arritje, çdo gëzim, çdo zemërthyerje, çdo shërim, të gjitha, bashkëpunojnë për lavdinë e Arkitektit Sovran. Ne jemi punën e dorës së Tij, dhe nëse Ai ka filluar një punë, Ai patjetër do ta mbarojë atë. Tani, Kush është ky njeri i mirë që përmendet në tekst? Ky është ai që bërë i mirë prej Zotit. Ne e dimë që Bibla thotë, te Letra e Romakëve 3:12: “...nuk është ndonjë që bën mirë, jo, as edhe një...”. Domethënë, nuk ka njeri që është i mirë para Zotit përveç atij që është shpëtuar prej Tij. Prandaj, ky njeri i mirë në tekst është ai që përmes besimit te Jezusi është larë nga mëkatet e tij; ai është shfajësuar përmes Gjakut të Krishtit, dhe ai është bërë i mirë prej punës së Fjalës së Perëndisë. Lavdi Zotit!
0 Comments
"Dhe fjala e ZOTIT erdhi te Jonahu për herë të dytë..." - Jonahu 3:1 Pse erdhi fjala e Zotit për herë të dytë te profeti Jonah? Sepse herën e parë ai nuk iu bind Zotit. Perëndia e urdhëroi atë të shkonte dhe të predikonte në Nineveh, por ai nuk shkoi. Ai nuk respektoi Fjalën e Zotit. Në fakt, ai u çua dhe iku në drejtim tjetër. Ai u largua pa bërë vullnetin e Perëndisë. Kjo është një vepër që tregon një mungesë besnikërie në shpirtin e profetit ndaj Zotit, por në vargun e sipërm, ne gjejmë një parim Biblik dhe shpresëdhënës për secilin prej nesh. Këtu, Zoti zbulon dhe madhëron mëshirën e Tij. Ai i foli Jonahut për herë të dytë. Perëndia do të ishte i drejtë nëse nuk fliste më kurrë me Jonahun, por sipas dashamirësisë së Tij, Ai i dha profetit një mundësi (ose shans) tjetër. Zoti bën njësoj edhe me ne. Ndoshta, më përpara, ju keni e refuzuar Zotin dhe Biblën, por kur erdhi shansi i dytë, ose i tretë, ju e pranuat mesazhin e Biblës me gjithë zemër. Perëndia ynë është shumë i durueshëm dhe zemërgjerë në atë që na jep shansin e dytë, e tretë, ose e katërt për ta besuar te Jezusi. Le të mos vonojmë ta zbatojmë Fjalën e Tij, sepse edhe kur i bindemi me vonesë, kjo është njëlloj mosbindje. Amin!
“...Dhe prej kësaj ne dimë që ai banon në ne, prej Frymës që na ka dhënë.” - 1 e Gjonit 3:24 Apostolli Gjon ishte një dishepull i dashur për Jezusin. Ai ishte një besimtar i përzemërt dhe i moshuar kur u shkruante letrat e tij kishave. Ai shkruante si një baba duke biseduar me fëmijët e vet. Ai shkruante për të forcuar besimin tonë. Një shprehje që gjendet shpesh në shkrimet e tij është: “...prej kësaj ne dimë...”. Në vargun e sipërm, ai thotë që kemi një provë me anë të cilës mund të kuptojmë nëse Zoti banon brenda nesh, apo jo. Prova është Fryma e Tij. Sot, unë dëgjova një predikues i moshuar që thotë: “Fryma e Zotit është një Frymë lutjeje.” Domethënë, Ai shkakton lutje në jetën e besimtarit. Ai nuk lejon që ne të kalojmë shumë kohë pa lutje. Predikuesi thotë: “Fryma e Zotit është një Frymë fuqie.” Ai sjell fuqi, forcë dhe guxim hynor në jetën e besimtarit. Frika zhduket në praninë e Tij. Në fund, ai thotë që Fryma e Shenjtë është një Frymë lavdie. Besimtari mund të kuptojë që ai është i shpëtuar dhe i mbushur me Frymën e Zotit kur brenda tij është një dëshirë e jashtëzakonshme të lartësojë dhe ta lavdërojë Zotin e Biblës. A është Zoti brenda jush sot? A i keni brenda jush këto karakteristikat e Frymës së Shenjtë?
“Pali, një apostull i Jezu Krishtit prej vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus...” - 2 Timoteut 1:1 Vargu i sipërm është fillimi i letrës së dytë të Palit për Timoteun. Në pothuajse çdo letër që shkruante, Pali fillonte me emrin e tij dhe me një përshkrim të zyrës së tij në punën e ungjillit. Sot, unë dua të shkruaj diçka për frazën e fundit të këtij vargu, ku Pali tha: “...sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus...”. Ne që besojmë te Jezusi kemi një premtim për jetën e përjetshme. Te Gjoni 3:16, Bibla thotë: “Sepse kështu Perëndia e deshi botën, që ai dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Biri i Perëndisë është Jezusi, dhe nëse ju, sot, do të besonit tek Ai, edhe ju do ta keni premtimin e jetës së përjetshme nga Perëndia. Jezusi është rruga për jetën e përjetshme. Te Gjoni 14:6, Bibla thotë: “Jezusi i tha: Unë jam rruga, e vërteta, dhe jeta; nuk vjen ndonjë njeri tek Ati, përveç përmes meje.” Nëse doni të fitoni jetën e përjetshme sot, nuk ka rrugë tjetër përveç Jezusit. Tani, në fund, unë dua ta theksoj atë fjalë “premtim”. Ky nuk është premtimi i njeriut që mund të thuhet dhe të thyhet lehtësisht. Jo, jo, jo! Ky është premtimi i Perëndisë që nuk mund të gënjejë. Domethënë, ky premtim është po aq i fortë sa besnikëria e Perëndisë. Amin!
“Fjala jote është një llambë për këmbët e mia, dhe një dritë për udhën time.” - Psalmi 119:105 Ne e kemi Fjalën e Zotit! Ky është një fakt i bekuar dhe i frikshëm; i bekuar, sepse ne i kemi udhëzimet e Perëndisë për jetën tonë; i frikshëm, sepse në ditën kur do të qëndrojmë para Zotit në gjyq, ne nuk do të kemi asnjë justifikim përse nuk kemi zbatuar porositë e Tij. Ju që lexoni këtë sot, e keni në dorë Fjalën e Zotit. Ju lutem, mos e shmangi Atë, sepse në Fjalën e Tij ka dritë; shpëtim; shpresë; shërim; jetë të përjetshme; falje të mëkateve; udhëzime për jetë në botë; shembuj të njerëzve të mirë dhe të këqij; profeci për çfarë do të ndodhë në të ardhmen; historinë e plotë të Jezusit, Shpëtimtarin tonë të bekuar; dënim për të papenduarit; edhe shumë më shumë. Fjala e Tij ka qenë, me të vërtetë, një llambë për këmbët e mia në këtë botë ku duket që errësira, ligësia, korrupsioni, padrejtësia, tundimi dhe mëkati bashkë-sundojnë midis njerëzve. Si mund të gjejmë ne rrugën e duhur? Si mund të rrisim fëmijë të ndershëm? Si mund mbrojmë një sjellje morale në shoqëri? Në këtë botë ku dëgjojmë kaq shumë zëra që thonë se rruga e tyre është rruga e drejtë, kë do ta dëgjojmë? Le të vazhdojmë me Atë Fjalë që ka qëndruar fort gjatë epokave të historisë. Le të qëndrojmë me Biblën! Çdo njeri që beson, duhet të jetë edhe një studiues i Biblës.
“Sepse ushtrimet trupore vlejnë pak; por perëndishmëria vlen për të gjitha gjërat, duke pasur premtimin e jetës që është tani, dhe të asaj që do të vijë.” - 1 Timoteut 4:8 Çdo ditë shumë njerëz shkojnë në palestër, ose në klasë ku mund të mësojnë luftim japonez, ose ku mund të mësojnë kërcim zumba. Disa të tjerë dalin thjesht të ecin në bulevard. Gjithë këto bëhen për të ruajtur shëndetin e trupit. Është mirë kur njerëzit kanë vullnet të bëjnë stërvitje, dhe Bibla thotë që kjo ka pak vlerë, por perëndishmëria ka vlerë më të madhe. Çfarë do të thotë fjala “perëndishmëri” në Bibël? Perëndishmëria është të jetosh në shenjtëri dhe me nder para Perëndisë; është të jetosh për lavdinë e Zotit dhe me besim sipas Fjalës së Tij, Biblës. Sipas vargut të sipërm, shëndeti shpirtëror ka më shumë vlerë se shëndeti fizik. Tani, patjetër, kur njeriu është i perëndishëm, domethenë, kur jeton për lavdinë e Zotit, kjo përfshin edhe një kujdes për trupin fizik që Ai na ka dhënë neve. Ne duhet të jemi kujdestarë të mirë për çdo gjë që Zoti ka lënë në duart tona. Le të jemi besnik në lutje, në shërbesat e kishës, në adhurim për Zotin dhe të studiojmë Biblën, sepse këto janë stërvitje me vlerë jo vetëm në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Amin!
“Ai më bën mua të shtrihem në kullota të gjelbra...” - Psalmi 23:2 Ndërsa kalova një kohë në lutje sot, Fryma e Shenjtë më drejtoi te Psalmi 23. Ky psalm i shkurtër mund të jetë më i çmuari midis psalmeve, dhe kjo për shkak të fjalëve të tij ngushëlluese dhe forcëdhënëse. Piktura tërheqëse që gjendet këtu është ajo e Bariut të mirë me delet e Tij të dashura. Bariu është Zoti dhe ne jemi delet e Tij. Vargu i sipërm është vetëm një pjesë e vogël të psalmit, por përmban tri mendime që më inkurajojnë shpirtërisht. I pari është “çlodhje”. Bariu drejton delet e tij në vende të bukura ku mund të shtrihen, të pushojnë, të çlodhen për një kohë. Njësoj, Bariu ynë e di nevojën që ne kemi për çlodhje. Një psalm tjetër na thotë: “Çlodhuni në Zotin”. Mendimi i dytë është “ushqim”. Kullota është vendi ku delet mund të hanë në natyrë. Kullota u jep forcë, jetë dhe kënaqësi deleve. Njësoj, Zoti e di që ne kemi nevojë për ushqim fizik dhe ushqim shpirtëror. Ai na ka dhënë një kullotë të pasur ku mund të shkojmë dhe shijojme ushqimin e Tij qiellor. Kjo kullotë quhet “kisha”. Mendimi i tretë është “bukuria”. Ka një gje më të bukur se kur e shikojmë në një fushë të gjelbër bariun me delet e tij? Unë them jo. Një pikturë kaq e thjeshtë, por plot me bukuri dhe dashuri. Çfarë është parajsa? Kur të mbërrijmë atje, do të shikojmë që parajsa është Bariu i mire me delet e Tij.
"Jo prej veprave të drejtësisë që kemi bërë ne, por sipas mëshirës së tij ai na shpëtoi, me anë të larjes së rigjenerimit dhe ripërtëritjen e Frymës së Shenjtë..." - Titusit 3:5 Është shumë e rëndësishme që të mos harrojmë kurrë se ku qëndrojmë përpara Perëndisë. Shumë njerëz janë krekosor dhe mendojnë se çdo gjë bëjnë është një nder për Zotin. Ata pretendojnë që Zoti është i kënaqur me ta, dhe që jeta e tyre është diçka e shkëlqyer përpara Perëndisë, engjejve dhe gjithë parajsës. Jo, jo, jo, miqtë e mi. Bibla thotë: "...sipas mëshirës së Tij ai na shpëtoi...". Fjala "mëshirë" në këtë varg na tregon durimin dhe zemërgjërësinë e Perëndisë me ne. Nuk ka njeri që do të hyrë në parajsë për shkak të drejtësisë së vet. Nëse keni, ose do të keni ndonjë gjë të mirë prej së larti, kjo është vetëm për shkak të mëshirës së Zotit. Nëse mëkatet juaj janë të falura sot, është për shkak se ju erdhët tek Ai me një zemër plot pendesë; ju kuptuat ndyrësinë e natyrës suaj; ju ishit tortoruar me sëmundjen më të rëndë dhe më të rrëzikshme në botë (sëmundja e ferrit); ju vrapuat te Zoti në lutje, dhe me lot, trishtim dhe një zemër të thyer, bëtë një thirrje për shpëtim. "ZOT! ZOT! SHPËTOMË! UNË JAM MËKATARI MË I NDOTUR NË KËTË BOTË! SHPËTOMË, O ZOT! SHPËTOMË! Dhe Ai, sipas dashamirësisë së Tij, dhe me një zemër plot mëshirë, erdhi dhe nxori shpirtin tuaj nga llucën e djallit; dhe Gjaku i Jezusit e shlyeu borxhin tuaj të mëkatit! Kjo është mëshira sipas Biblës. Asnjëri prej nesh nuk meriton ndonjë gjë prej Zotit, dhe aspak të shpëtohemi. Po, pse na shpëton Ai? Për shkak të mëshirës së Tij. Amin!
“Dhe ata e lavdëruan Perëndinë në mua.” - Galatasve 1:24 Çfarë historia jote? Çfarë ka bërë Zoti në ty, brenda teje dhe në jetën tënde. Vargu i sipërm gjendet te Letra e Palit Galatasve. Ai është duke shkruar për ndryshimin që Perëndia bëri në jetën e tij. Më përpara, Pali e përndoqi kishën. Ai mori si burra dhe gra, dhe i futi në burg vetëm sepse besuan dhe rrëfyen emrin e Jezusit. Pali tani predikon Ungjillin. Ai dëshmon kudo se çdo njeri duhet të besojë te Biri i Perëndisë, Jezusi. O çfarë ndryshimi i mrekullueshëm! Perëndia e shpëtoi dhe thirri Palin me anë të hirit të Tij, dhe pastaj besimtarët që u persekutuan prej Palit, e lavdëruan Zotin për ndryshimin në jetën e tij. Jeta jonë njësoj duhet të prodhojë lavdi për Zotin, jo për veten tonë. Fatkeqësisht, shumë që quhen besimtarë, duan lavdi për veten e tyre. Ata duan që njerëzit ta lavdërojnë emrin e tyre. Le të bëjmë jetën tonë një pasqyrë të shenjtë që, kur njerëzit na shikojnë, ata të mund të shikojne pasqyrimin e Zotit te ne. Le të mos kërkojmë lavdi për veten, por vetëm për Atë që dha jetën e Tij në kryq që ne të mund të jetojmë përgjithmonë. Bëj një lutje para Zotit sot, dhe kërko që Ai të lavdërohet me anë të jetës sate. Amin!
“Prandaj jini gati edhe ju; sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që ju nuk e mendoni.” - Mateu 24:44 Në këtë kapitull, ne jemi të sfiduar që të presim me vëmendje të madhe ardhjen e Krishtit. Ai do të vijë përsëri në një moment të papritur. Ai do t’i rrëmbejë njerëzit e Tij që të jenë bashkë me Atë përgjithmonë. Ndërsa pas largimit të besimtarëve do të ndodhë një rrëmujë të paimagjinueshme në këtë botë të tanishme. Vargu thotë: “...jini gati edhe ju...”!!! Ushtria Britanike kishte më përpara një regjiment që u quajt “Royal Field Artillery” ose “RFA” (Artileria Mbretërore e Fushës). Pjesëtarët e këtij regjimenti thoshin që ky shkurtim i titullit, “RFA”, do të thoshte: “Ready for Anything!” (Gati për çdo gjë!). Le të jemi ne njësoj. Nuk e di njeri orën kur Jezusi do të vijë përsëri. Prandaj, le të jemi gati në çdo kohë që të mos vijë Ai dhe të na gjejë duke fjetur shpirtërisht, por që Ai t’i gjejë besimtarët e Tij me një gjallëri dhe zjarr në shpirt duke punuar besnikërisht në fushën e Tij. Unë jam shumë mirënjohës për sakrificën e Jezusit në kryq për ne të gjithë. Le të jetojmë vetëm për lavdinë e Zotit sot! Dhe, le të presim ardhjen e Tij me dashuri dhe gatishmëri!
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
October 2025
Kategoritë |