1 Kështu qiejt dhe toka u pëfunduan, dhe gjithë ushtria e tyre.
2 Dhe ditën e shtatë Perëndia e mbaroi punën e tij që kishte bërë; dhe pushoi ditën e shtatë prej gjithë punës së tij që kishte bërë.
3 Dhe Perëndia e bekoi ditën e shtatë, dhe e shenjtëroi atë; sepse ai në të u çlodh prej gjithë punës së tij që Perëndia krijoi dhe bëri.
4 Këto janë historitë e qiejve dhe të tokës kur u krijuan, në ditën që ZOTI Perëndi bëri tokën dhe qiejt,
5 Dhe çdo bimë e fushës para se të ishte në tokë, dhe çdo bar i fushës para se të rritej; sepse ZOTI Perëndi nuk kishte shkaktuar që shiu të binte mbi tokën, dhe nuk kishte njeri për ta punuar tokën.
6 Por nga toka ngjitej një avull, dhe ky ujiste gjithë sipëfaqen e dheut.
7 Dhe ZOTI Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i dheut, dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës; dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.
8 Dhe ZOTI Perëndi mbolli një kopsht nga lindja në Eden; dhe atje ai vendosi njeriun që kishte formuar.
9 Dhe nga dheu ZOTI Perëndi bëri të rritej çdo pemë që është e këndshme nga pamja, dhe e mirë për ushqim; edhe pema e jetës në mes të kopshtit, dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.
10 Dhe nga Edeni dilte një lumë për ta ujitur kopshtin; dhe së andejmi ai ndahej, dhe u bë katër burime.
11 Emri i të parit është Pison; ky është ai që e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori;
12 Dhe floriri i atij vendi është i mirë; ka bdellium dhe gur oniksi.
13 Dhe emri i lumit të dytë është Gihon; ky është ai që rrethon tërë vendin e Etiopisë.
14 Dhe emri i lumit të tretë është Hidekel; ky është ai që shkon drejt lindjes së Asirisë. Dhe lumi i katërt është Eufrati.
15 Dhe ZOTI Perëndi e mori njeriun, dhe e vendosi atë në kopshtin e Edenit që ta punonte dhe ta ruante.
16 Dhe ZOTI Perëndi e urdhëroi njeriun, duke i thënë: Ti mund të hash lirisht nga çdo pemë e kopshtit;
17 Por nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, ti nuk do të hash prej saj; sepse ditën që ti të hash prej saj me siguri do të vdesësh.
18 Dhe ZOTI Perëndi tha: Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që t’i përshtatet atij.
19 Dhe nga dheu ZOTI Perëndi formoi çdo bishë të fushës, dhe çdo shpend të ajrit; dhe ia solli ato Adamit për të parë se si do t’i quante ata; dhe çfarëdo që Adami quante çdo qenie të gjallë, ai ishte emri i saj.
20 Dhe Adami u vuri emra gjithë bagëtive, dhe shpendëve të ajrit dhe çdo kafshe të fushës; por për Adamin nuk u gjet një ndihmë e përshtatshme për të.
21 Dhe ZOTI Perëndi bëri që Adami të bjerë në një gjumë të thellë, dhe ai fjeti; dhe ai mori një nga brinjët e tij, dhe e mbylli mishin në vend të saj;
22 Dhe brinjën, të cilën ZOTI Perëndi mori prej njeriut, e bëri një grua, dhe ia solli atë burrit.
23 Dhe Adami tha: Kjo është tani kockë e kockave të mia; dhe mish i mishit tim; ajo do të quhet Grua, sepse u nxor prej Burrit.
24 Prandaj një burrë do të lërë babanë e tij dhe nënën e tij, dhe do të ngjitet pas gruas së tij, dhe ata do të jenë një mish.
25 Dhe ata ishin të dy lakuriq, burri dhe gruaja e tij, dhe nuk ishin të turpëruar.