1 Dhe Abrahami ishte plak, dhe shumë i kaluar në moshë; dhe ZOTI e kishte bekuar Abrahamin në gjithçka.
2 Dhe Abrahami i tha shërbëtorit të tij më të vjetër të shtëpisë së tij, që qeveriste mbi gjithçka që ai kishte: Të lutem, vure dorën tënde poshtë kofshës sime;
3 Dhe unë do të vë të betohesh për ZOTIN, Perëndinë e qiellit, dhe Perëndinë e tokës, që ti nuk do të marrësh grua për birin tim prej bijave të kanaanitëve, mes të cilëve unë banoj;
4 Por ti do të shkosh në vendin tim, dhe te të afërmit e mi, dhe do të marrësh një grua për birin tim Isakun.
5 Dhe shërbëtori iu përgjigj atij: Po të mos ketë dëshirë gruaja të më ndjek në këtë vend; a do të më duhet ta shpie prapë birin tënd te vendi prej nga ti erdhe?
6 Dhe Abrahami i tha atij: Kujdes që të mos ta shpiesh përsëri birin tim atje.
7 ZOTI Perëndi i qiellit, që më mori prej shtëpisë së atit tim, dhe prej tokës së të afërmve të mi, dhe që foli me mua, dhe që m’u betua, duke thënë: Farës sate unë do t’ia jap këtë tokë; ai do t’i dërgojë engjëllin e tij para teje, dhe ti do të marrësh një grua për birin tim prej andej.
8 Dhe nëse gruaja nuk do të ketë dëshirë të të ndjekë ty, atëherë ti do të lirohesh prej këtij betimit tim; vetëm mos e shpjer birin tim përsëri atje.
9 Dhe shërbëtori e vuri dorën e tij poshtë kofshës së Abrahamit zotërisë së tij, dhe iu betua atij për atë çështje.
10 Dhe shërbëtori mori dhjetë deve nga devetë e zotërisë së tij, dhe iku; sepse të gjitha mallrat e zotërisë së tij ishin në dorën e tij; dhe ai u ngrit, dhe shkoi në Mesopotami, te qyteti i Nahorit.
11 Dhe ai i bëri devetë e tij të uleshin në gjunjë jashtë qytetit pranë një pusi uji në kohë të mbrëmjes, po atë kohë kur gratë dalin për të nxjerrë ujë.
12 Dhe ai tha: O ZOT Perëndia i zotërisë tim Abraham, unë të lutem ty, mbarësomë sot, dhe trego dashamirësi ndaj zotërisë tim Abraham.
13 Ja, unë qëndroj këtu pranë pusit të ujit; dhe bijat e burrave të qytetit po dalin për të nxjerrë ujë;
14 Dhe le të ndodhë, që zonjushës të cilës do t’i them: Të lutem, ule shtambën tënde që unë të mund të pi; dhe ajo të thotë: Pi, dhe unë do t’u jap edhe deveve të tua të pinë; le të jetë po ajo e zgjedhura jote për shërbëtorin tënd, Isakun; dhe prej kësaj unë do të di që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim.
15 Dhe ndodhi që, para se ai të mbaronte së foluri, ja, doli Rebeka, e cila i kishte lindur Bethuelit, birit të Milkahës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit, me shtambën e saj mbi shpatullën e vet.
16 Dhe zonjusha ishte shumë e bukur ta shikoje, një virgjëreshë, dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur atë; dhe ajo zbriti te pusi, dhe mbushi shtambën e saj, dhe erdhi lart.
17 Dhe shërbëtori vrapoi për ta takuar atë, dhe tha: Të lutem, më lejo të pi pak ujë nga shtamba jote.
18 Dhe ajo u përgjigj: Pi, zoti im; dhe ajo nxitoi, dhe uli shtambën e saj mbi dorën e saj, dhe i dha të pijë.
19 Dhe pasi i kishte dhënë të pinte atij, ajo tha: Unë do të nxjerr ujë edhe për devetë e tua, derisa të ngopen duke pirë.
20 Dhe ajo nxitoi, dhe zbrazi shtambën e saj në koritë, dhe vrapoi përsëri te pusi për të nxjerrë ujë, dhe nxori ujë për të gjitha devetë e tij.
21 Dhe burri duke u habitur me të nuk tha gjë, të kuptonte nëse ZOTI e kishte bërë udhëtimin e tij të mbarë apo jo.
22 Dhe ndodhi, pasi devetë u ngopën duke pirë, që burri mori një vath floriri me peshë gjysmë shekla, dhe dy byzylikë për duart e saj prej dhjetë sheklash peshë floriri;
23 Dhe tha: Bija e kujt je ti? Të lutem, tregomë; ka vend që ne të strehohemi në shtëpinë e atit tënd?
24 Dhe ajo i tha atij: Unë jam bija e Bethuelit birit të Milkahës, të cilin ajo i lindi Nahorit.
25 Gjithashtu ajo i tha: Ne kemi si kashtë dhe tagji të mjaftueshme, dhe vend për të bujtur.
26 Dhe burri përkuli kokën, dhe adhuroi ZOTIN.
27 Dhe tha: I bekuar qoftë ZOTI Perëndia i zotërisë tim Abraham, që nuk e ka lënë mangët zotërinë tim nga mëshira e tij dhe e vërteta e tij; unë duke udhëtuar, ZOTI më drejtoi te shtëpia e vëllezërve të zotërisë tim.
28 Dhe zonjusha vrapoi, dhe ua tregoi këto gjëra atyre të shtëpisë së nënës së saj.
29 Dhe Rebeka kishte një vëlla, dhe emri i tij ishte Laban; dhe Labani doli jashtë me vrap te burri, te pusi.
30 Dhe, kur ai pa vathin dhe byzylikët mbi duart e motrës së tij, dhe kur dëgjoi fjalët e Rebekës motrës së tij, duke thënë: Kështu më foli ai burri; ndodhi që ai erdhi te burri; dhe, ja, ai qëndroi pranë deveve te pusi.
31 Dhe ai tha: Hyr, ti i bekuar i ZOTIT; pse qëndron jashtë? Se unë e kam përgatitur shtëpinë, edhe vend për devetë.
32 Dhe burri hyri në shtëpi; dhe ai i zgjeshi devetë e tij, dhe dha kashtë dhe tagji për devetë, dhe ujë për të larë këmbët e tij, edhe këmbët e burrave që ishin me të.
33 Dhe para tij u vendos ushqim për të ngrënë; por ai tha: Unë nuk do të ha, derisa të kem thënë porosinë time. Dhe ai i tha: Fol.
34 Dhe ai tha: Unë jam shërbëtori i Abrahamit.
35 Dhe ZOTI e ka bekuar shumë zotërinë tim; dhe ai është bërë i madh; dhe i ka dhënë tufa bagëtish të imta e të trasha, dhe argjend, dhe flori, dhe shërbëtorë, dhe shërbëtore, dhe deve, dhe gomarë.
36 Dhe Sara gruaja e zotërisë tim i lindi zotërisë tim një djalë në pleqërinë e saj; dhe atij ai i ka dhënë gjithçka që ka.
37 Dhe zotëria im më vuri të betohem, duke thënë: Ti nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e kanaanitëve, në tokën e të cilëve banoj;
38 Por ti do të shkosh te shtëpia e atit tim, dhe te të afërmit e mi, dhe të marrësh një grua për birin tim.
39 Dhe unë i thashë zotërisë tim: Ndoshta gruaja nuk do të më ndjek mua.
40 Dhe ai më tha: ZOTI, para të cilit unë eci, do ta dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty, dhe do ta mbarësojë rrugën tënde; dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga të afërmit e mi, dhe nga shtëpia e atit tim;
41 Atëherë do të lirohesh nga ky betimi im, pasi të vesh te të afërmit e mi; dhe nëse ata nuk të japin një grua, ti do të lirohesh nga betimi im.
42 Dhe erdha sot te pusi, dhe thashë: O ZOT Perëndia i zotërisë tim Abraham, nëse tani ti po mbarëson rrugën time ku po shkoj;
43 Ja, unë qëndroj pranë pusit të ujit; dhe do të ndodhë, që kur të vijë virgjëresha për të nxjerrë ujë, dhe unë t’i them asaj: Të lutem, më jep mua pak ujë nga shtamba jote për të pirë;
44 Dhe ajo të më thotë: Pi edhe ti, dhe unë do të nxjerr ujë edhe për devetë e tua; qoftë ajo gruaja që ZOTI ka zgjedhur për birin e zotërisë tim.
45 Dhe para se unë ta mbaroja fjalën në zemrën time, ja, Rebeka erdhi me shtambën e saj mbi shpatullën e saj; dhe ajo zbriti te pusi, dhe nxori ujë; dhe unë i thashë asaj: Të lutem, më lejo të pi.
46 Dhe ajo nxitoi, dhe e uli shtambën e saj nga shpatulla e saj, dhe tha: Pi ti, dhe unë do t’u japë edhe deveve të tua të pinë; kështu që unë piva, dhe ajo i bëri edhe devetë të pinë.
47 Dhe unë e pyeta atë, dhe thashë: Bija e kujt je ti? Dhe ajo tha: Bija e Bethuelit, birit të Nahorit, të cilin Milkah ia lindi atij; dhe unë i vura vathin në fytyrën e saj, dhe byzylikët në duart e saj.
48 Dhe unë përkula kokën, dhe adhurova ZOTIN, dhe e bekova ZOTIN Perëndinë e zotërisë tim Abraham, që më udhëhoqi në rrugën e duhur për të marrë bijën e vëllait të zotërisë tim për birin e tij.
49 Dhe tani, nëse ju do të veproni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, më thoni; dhe nëse jo, më thoni; që unë të mund të kthehem djathtas, ose majtas.
50 Atëherë Labani dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: Kjo gjë buron nga ZOTI; ne nuk mund të flasim me ty për keq ose për mirë.
51 Ja, Rebeka është para teje, merre atë, dhe shko, dhe le të jetë ajo gruaja e birit të zotërisë tënd, siç ka thënë ZOTI.
52 Dhe ndodhi, kur shërbëtori i Abrahamit i dëgjoi fjalët e tyre, që ai adhuroi ZOTIN, duke u përkulur përtokë.
53 Dhe shërbëtori solli përpara stoli prej argjendi, dhe stoli prej floriri, dhe rroba, dhe ia dha ato Rebekës; ai gjithashtu i dha gjëra të çmueshme vëllait të saj dhe nënës së saj.
54 Dhe ata hëngrën dhe pinë, ai edhe burrat që ishin me të, dhe ndenjën gjithë natën; dhe ata u ngritën në mëngjes, dhe ai tha: Më dërgoni te zotëria im.
55 Dhe vëllai dhe nëna e saj thanë: Le të qëndrojë zonjusha me ne disa ditë, të paktën dhjetë; pas asaj ajo do të niset.
56 Dhe ai u tha atyre: Mos më pengo, duke parë se ZOTI e ka mbarësuar rrugën time; më dërgoni që unë të mund të shkoj te zotëria im.
57 Dhe ata thanë: Ne do të thërrasim zonjushën, dhe do të kërkojmë nga goja e saj.
58 Dhe ata e thirrën Rebekën, dhe i thanë: A do të shkosh me këtë burrë? Dhe ajo tha: Unë do të shkoj.
59 Dhe ata e nisën Rebekën motrën e tyre, dhe mëndeshën e saj, dhe shërbëtorin e Abrahamit, dhe burrat e tij.
60 Dhe ata e bekuan Rebekën, dhe i thanë asaj: Ti je motra jonë, u bëfsh nëna e mijëra milionëve, dhe le të zotërojë fara jote portën e atyre që i urrejnë ata.
61 Dhe Rebeka u ngrit, dhe zonjushat e saj, dhe udhëtuan mbi devetë, dhe ndoqën burrin; dhe shërbëtori mori Rebekën, dhe iku.
62 Dhe Isaku erdhi nga rruga e pusit Lahajroi; sepse ai banonte në tokën jugore.
63 Dhe Isaku doli në mbrëmje në fushë për t’u përsiatur; dhe ai ngriti sytë e tij, dhe pa, dhe, ja, devetë po vinin.
64 Dhe Rebeka ngriti sytë e saj, dhe kur pa Isakun, ajo zbriti nga deveja.
65 Sepse ajo i kishte thënë shërbëtorit: Kush është ky burrë që po ecën në fushë për të na takuar? Dhe shërbëtori kishte thënë: Është zotëria im; prandaj ajo mori një vello, dhe mbuloi veten e saj.
66 Dhe shërbëtori i tregoi Isakut gjithçka që kishte bërë.
67 Dhe Isaku e çoi atë në çadrën e Sarës, nënës së tij, dhe mori Rebekën, dhe ajo u bë gruaja e tij; dhe ai e deshi atë; dhe Isaku u ngushëllua pas vdekjes së nënës së tij.