1 Dhe ndodhi, që kur Isaku ishte i moshuar, dhe sytë e tij ishin të turbullt, aq sa ai nuk mund të shihte, ai thirri Esaun, birin e tij më të madh, dhe i tha: Biri im; dhe ai i tha: Ja, këtu jam.
2 Dhe ai tha: Ja, tani, unë jam i moshuar, unë nuk e di ditën e vdekjes sime;
3 Prandaj tani, të lutem, merr armët e tua, kukurën tënde dhe harkun tënd, dhe dil në fushë, dhe merr për mua pak mish gjahu;
4 Dhe më bëj mish të shijshëm, siç e dua unë, dhe sillma mua, që të mund të ha; që shpirti im të mund të të bekojë para se të vdes.
5 Dhe Rebeka dëgjoi kur Isaku foli me Esaun, birin e tij. Dhe Esau shkoi në fushë të gjuante për mish gjahu, dhe ta sillte atë.
6 Dhe Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, duke thënë: Ja, unë dëgjova babain tënd t’i fliste Esaut, vëllait tënd, duke thënë:
7 Sillmë mish gjahu, dhe më bëj mish të shijshëm, që të mund të ha, dhe të të bekoj para ZOTIT para vdekjes sime.
8 Prandaj tani, biri im, bindju zërit tim sipas asaj që unë të urdhëroj ty.
9 Shko tani te tufa, dhe prej andej sillmë mua dy kecër të mirë prej dhive; dhe unë do t’i bëj ata mish të shijshëm për babain tënd, siç e do ai;
10 Dhe ti do t’ia çosh babait tënd, që të mund të hajë, dhe që ai të mund të të bekojë para vdekjes së tij.
11 Dhe Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: Ja, Esau, vëllai im, është një njeri leshtor, dhe unë jam një njeri pa qime;
12 Mund të jetë që babai im do të më prekë mua, dhe do t’i dukem atij si një mashtrues; dhe unë do të sjell mallkim mbi mua, dhe jo bekim.
13 Dhe nëna e tij i tha: Biri im, qoftë mbi mua mallkimi yt; vetëm bindju zërit tim, dhe shko e m’i sill mua ata.
14 Dhe ai shkoi, dhe mori, dhe ia solli ata nënës së tij; dhe nëna e tij bëri mish të shijshëm, siç e donte babai i tij.
15 Dhe Rebeka mori rroba të bukura të birit të saj më të madh, Esaut, që ishin me të në shtëpi, dhe ia veshi Jakobit, birit të saj më të vogël;
16 Dhe ajo i vuri lëkurët e kecave të dhive mbi duart e tij, dhe mbi pjesën e lëmuar të qafës së tij;
17 Dhe ajo vuri në dorën e birit të saj, Jakobit, mishin e shijshëm dhe bukën, që ajo kishte përgatitur.
18 Dhe ai erdhi te babai i tij, dhe tha: Babai im; dhe ai tha: Ja ku jam; kush je ti, biri im?
19 Dhe Jakobi i tha babait të tij: Unë jam Esau, i parëlinduri yt; unë kam bërë ashtu siç më urdhërove; çohu, të lutem, ulu dhe ha prej mishit të gjahut tim, që shpirti yt të mund të më bekojë mua.
20 Dhe Isaku i tha birit të tij: Si është që e ke gjetur atë kaq shpejt, biri im? Dhe ai tha: Sepse ZOTI, Perëndia yt, ma solli mua atë.
21 Dhe Isaku i tha Jakobit: Afrohu, të lutem, që të mund të të prek ty, biri im, nëse ti je biri im i vërtetë, Esau, apo jo.
22 Dhe Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe ai e preku atë, dhe tha: Zëri është zëri i Jakobit, por duart janë duart e Esaut.
23 Dhe ai nuk e dalloi atë, sepse duart e tij ishin leshtore, si duart e Esaut, vëllait të tij; kështu ai e bekoi atë.
24 Dhe ai tha: A je ti biri im i vërtetë, Esau? Dhe ai tha: Unë jam.
25 Dhe ai tha: Sillma pranë, dhe unë do të ha prej mishit të gjahut të birit tim, që shpirti im të mund të të bekojë ty. Dhe ai ia solli pranë; dhe ai hëngri; dhe ai i solli verë, dhe ai piu.
26 Dhe babai i tij, Isaku, i tha atij: Afrohu tani, dhe më puth, biri im.
27 Dhe ai u afrua, dhe e puthi; dhe ai i mori erë rrobës së tij, dhe e bekoi atë, dhe tha: Shiko, era e birit tim është si era e fushës që ZOTI ka bekuar;
28 Prandaj Perëndia të dhëntë ty prej vesës së qiellit, dhe majmërinë e tokës, dhe drithë e verë me bollëk;
29 Të shërbefshin njerëzit, dhe kombet t’u përkulshin ty; qofsh zot mbi vëllezërit e tu, dhe bijtë e nënës sate t’u përkulshin ty; mallkuar qoftë kushdo që të mallkon ty, dhe bekuar qoftë ai që të bekon ty.
30 Dhe ndodhi, porsa Isaku i kishte dhënë fund bekimit të Jakobit, dhe Jakobi ishte porsa larguar nga prania e Isakut, babait të tij, që Esau, vëllai i tij, hyri nga gjuetia e tij.
31 Dhe ai gjithashtu kishte bërë mish të shijshëm, dhe e solli te babai i tij, dhe i tha babait të tij: Le të çohet babai im, dhe të hajë prej mishit të gjahut të birit të tij, që shpirti yt të mund të më bekojë mua.
32 Dhe Isaku, babai i tij, i tha: Kush je ti? Dhe ai tha: Unë jam biri yt, i parëlinduri yt, Esau.
33 Dhe Isaku u drodh jashtë mase, dhe tha: Kush? Ku është ai që kishte marrë mish gjahu, dhe ma solli mua, dhe unë e hëngra të gjithë para se të vije ti, dhe e bekova atë? Po, dhe ai do të jetë i bekuar.
34 Dhe kur Esau i dëgjoi fjalët e babait të tij, ai klithi me një klithmë të madhe dhe tepër të hidhur, dhe i tha babait të tij: Bekomë, edhe mua gjithashtu, o babai im.
35 Dhe ai tha: Yt vëlla erdhi me dinakëri, dhe ka marrë bekimin tënd.
36 Dhe ai tha: A nuk është emërtuar mirë Jakob? Sepse ma ka vënë stërkëmbësin mua këto dy herë; ai më mori parëbirninë; dhe, ja, tani ka marrë bekimin tim. Dhe ai tha: A nuk ke ruajtur një bekim për mua?
37 Dhe Isaku u përgjigj dhe i tha Esaut: Ja, unë e kam bërë atë zotin tënd, dhe gjithë vëllezërit e tij ia kam dhënë si shërbëtorë; dhe e kam mbështetur me drithë e verë; dhe tani çfarë do të të bëj ty, biri im?
38 Dhe Esau i tha babait të tij: A ke të paktën një bekim, babai im? Më beko, edhe mua gjithashtu, o babai im. Dhe Esau ngriti zërin e tij, dhe qau.
39 Dhe Isaku, babai i tij, u përgjigj dhe i tha atij: Ja, vendbanimi yt do të jetë majmëria e tokës, dhe prej vesës së qiellit nga lart;
40 Dhe ti do të jetosh prej shpatës sate, dhe do t’i shërbesh vëllait tënd; dhe do të ndodhë kur të kesh pushtetin, që ti do ta thyesh zgjedhën e tij prej qafës sate.
41 Dhe Esau e urreu Jakobin për shkak të bekimit me të cilin babai i tij e bekoi atë; dhe Esau tha në zemrën e tij: Ditët e zisë për babain tim janë afër; atëherë do ta vras vëllain tim, Jakobin.
42 Dhe këto fjalë të Esaut, birit të saj të madh, iu treguan Rebekës; dhe ajo dërgoi e thirri Jakobin, birin e saj të vogël, dhe i tha: Ja, vëllai yt, Esau, në lidhje me ty, po ngushëllon veten, duke synuar të të vrasë.
43 Prandaj tani, biri im, bindju zërit tim; dhe çohu, mbathja te Labani, vëllai im, te Harani;
44 Dhe qëndro me të ca ditë, derisa tërbimi i vëllait tënd të largohet;
45 Derisa inati i vëllait tënd të largohet prej teje, dhe ai ta harrojë atë që ti i ke bërë atij; atëherë unë do të dërgoj, dhe do të të sjellë ty prej andej; pse t’ju humbas edhe ju të dy brenda një dite?
46 Dhe Rebeka i tha Isakut: Unë jam e mërzitur për jetën time për shkak të bijave të Hethit; nëse Jakobi merr për grua prej bijave të Hethit, si këto që janë prej bijave të vendit, ç’të mirë do të më bëjë jeta ime?