1 Këto fjalë tha Jezusi, dhe ngriti sytë e tij drejt qiellit, dhe tha: Atë, ora ka ardhur; lavdëroje Birin tënd, që edhe Biri yt të të lavdërojë ty;
2 Ashtu si ti i ke dhënë fuqi atij mbi çdo mish, që ai t’u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që ti i ke dhënë atij.
3 Dhe kjo është jeta e përjetshme, që ata të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin, të cilin ti e ke dërguar.
4 Unë të kam lavdëruar ty në tokë; unë e kam mbaruar punën që ti më dhe të bëj.
5 Dhe tani, O Atë, më lavdëro me veten tënde me lavdinë të cilën unë kisha me ty, para se të ishte bota.
6 Unë ua kam dëftuar emrin tënd njerëzve të cilët ti m’i dhe nga bota; të tutë ishin, dhe ti m’i dhe; dhe ata e kanë ruajtur fjalën tënde.
7 Tani ata e kanë njohur që të gjitha gjërat sa më ke dhënë mua janë prej teje.
8 Sepse unë u kam dhënë atyre fjalët që ti më dhe; dhe ata i kanë pranuar ato, dhe e kanë njohur sigurisht që unë erdha prej teje, dhe ata kanë besuar që ti më dërgove mua.
9 Unë lutem për ata; nuk lutem për botën, por për ata të cilët më ke dhënë mua; sepse ata janë të tutë.
10 Dhe të gjithë të mitë janë të tutë, dhe të tutë janë të mitë; dhe unë jam lavdëruar në ta.
11 Dhe tani unë nuk jam më në botë, por këta janë në botë, dhe unë vij te ti. Atë i Shenjtë, mbaji ata nëpërmjet vetë emrit tënd, të cilët ti më ke dhënë mua, që ata të jenë një, si jemi ne.
12 Kur isha me ta në botë, i ruajta ata në emrin tënd; ata që ti më dhe, unë i kam ruajtur, dhe nuk është humbur ndonjëri prej tyre, përveç birit të shkatërrimit; që shkrimi të mund të përmbushej.
13 Dhe tani unë vij te ti; dhe këto gjëra i them në botë, që ata të kenë gëzimin tim të plotësuar në veten e tyre.
14 Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde; dhe bota i ka urryer, sepse ata nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës.
15 Unë nuk lutem që ti t’i heqësh ata nga bota, por që ti t’i ruash ata prej së keqes.
16 Ata nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës.
17 Shenjtëroji ata përmes së vërtetës tënde; fjala jote është e vërteta.
18 Ashtu si ti më ke dërguar mua në botë, po kështu edhe unë i kam dërguar ata në botë.
19 Dhe për hatrin e tyre unë shenjtëroj vetveten, që ata gjithashtu të shenjtërohen përmes së vërtetës.
20 As nuk lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të besojnë tek unë përmes fjalës së tyre;
21 Që ata të gjithë të jenë një; si ti, o Atë, je në mua, dhe unë në ty, që ata gjithashtu të jenë një në ne; që bota të mund të besojë se ti më ke dërguar mua.
22 Dhe lavdinë që ti më dhe, unë ua kam dhënë atyre; që ata të mund të jenë një, ashtu si edhe ne jemi një;
23 Unë në ta, dhe ti në mua, që ata të mund të bëhen të përsosur në një; dhe që bota të mund ta njohë që ti më ke dërguar mua, dhe i ke dashur ata, si më ke dashur mua.
24 Atë, unë dua që edhe ata, të cilët ti më ke dhënë mua, të jenë me mua ku jam unë; që ata të shohin lavdinë time, të cilën ti më ke dhënë; sepse ti më deshe para themelimit të botës.
25 O Atë i drejtë, bota nuk të ka njohur; por unë të kam njohur, dhe këta e kanë kuptuar që ti më ke dërguar.
26 Dhe unë u kam shpallur atyre emrin tënd, dhe do ta shpall atë; që dashuria me të cilën ti më ke dashur mua të jetë në ta, dhe unë në ta.