1 Pasi Jezusi kishte thënë këto fjalë, ai u largua me dishepujt e tij matanë përroit Kidron, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai dhe dishepujt e tij.
2 Dhe Juda gjithashtu, që e tradhëtoi atë, e dinte vendin; sepse Jezusi shpesh shkonte atje me dishepujt e tij.
3 Atëhere Juda, pasi kishte marrë një bandë burrash dhe oficerë nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, vjen atje me fenerë, pishtarë dhe armë.
4 Prandaj Jezusi, duke i ditur të gjitha gjërat që do t’i ndodhnin atij, doli para, dhe u tha atyre: Cilin kërkoni?
5 Ata iu përgjigjën: Jezusin e Nazaretit. Jezusi u thotë atyre: Unë jam. Po edhe Juda, që e tradhëtoi atë, qëndronte me ta.
6 Atëherë, porsa ai u tha atyre: Unë jam; ata u zmbrapsën, dhe ranë përdhe.
7 Atëherë ai i pyeti përsëri: Cilin kërkoni? Dhe ata thanë: Jezusin e Nazaretit.
8 Jezusi u përgjigj: Unë ju kam thënë që unë jam ai; prandaj nëse ju më kërkoni mua, lerini këta të shkojnë.
9 Që të përmbushej thënia, të cilën ai tha: Nuk kam humbur ndonjërin prej atyre që më dhe.
10 Atëherë Simon Pjetri duke pasur shpatë e nxori atë dhe e qëlloi shërbëtorin e kryepriftit, dhe i preu veshin e djathtë. Emri i shërbëtorit ishte Malkos.
11 Atëherë Jezusi i tha Pjetrit: Fute shpatën tënde në këllëf; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?
12 Atëherë banda dhe kapiteni dhe oficerët e judejve e morën Jezusin, dhe e lidhën,
13 Dhe e çuan tek Anasi së pari; sepse ai ishte vjehrri i Kaifas, i cili ishte kryeprifti i atij viti.
14 Tani, Kaifas ishte ai, që u jepte këshill judejve, se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.
15 Dhe Simon Pjetri ndoqi Jezusin, kështu bëri dhe një dishepull tjetër; ai dishepull ishte i njohur i kryepriftit dhe hyri me Jezusin në pallatin e kryepriftit.
16 Por Pjetri qëndroi jashtë te dera. Atëherë doli ai dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, dhe i foli portieres, dhe solli brenda Pjetrin.
17 Atëherë vajza, që ruante derën, i thotë Pjetrit: A nuk je edhe ti një nga dishepujt e këtij njeriu? Ai thotë: Unë nuk jam.
18 Dhe shërbëtorët dhe oficerët qëndronin atje, që kishin bërë një zjarr me qymyr, sepse ishte ftohtë; dhe ata ngroheshin; dhe Pjetri qëndroi me ta, dhe ngrohej.
19 Atëherë kryeprifti pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.
20 Jezusi iu përgjigj atij: Unë i fola hapur botës; unë gjithmonë jepja mësim në sinagogë dhe në tempull, ku judejtë mblidheshin gjithmonë; dhe fshehurazi unë nuk kam thënë ndonjë gjë.
21 Pse më pyet mua? Pyet ata që më dëgjuan mua, çfarë u kam thënë atyre; ja, ata e dinë çfarë thashë.
22 Dhe pasi kishte folur kështu, një nga oficerët që qëndronte pranë e goditi Jezusin me pëllëmbën e dorës së tij, duke thënë: Kështu i përgjigjesh ti kryepriftit?
23 Jezusi iu përgjigj atij: Nëse kam folur keq, jepni dëshmi për të keqen; por nëse mirë, ti pse më qëllon?
24 Tani, Anasi e kishte dërguar atë të lidhur te Kaifas kryeprifti.
25 Dhe Simon Pjetri qëndronte dhe ngrohej. Prandaj ata i thanë: A nuk je edhe ti një nga dishepujt e tij? Ai e mohoi atë, dhe tha: Unë nuk jam.
26 Një nga shërbëtorët e kryepriftit, duke qenë i afërm i atij të cilit Pjetri i preu veshin, thotë: A nuk të pashë ty në kopsht me të?
27 Atëhere Pjetri mohoi përsëri; dhe menjëherë këndoi gjeli.
28 Atëherë ata e çuan Jezusin nga Kaifas te salla e gjykimit; dhe ishte herët; dhe ata vetë nuk shkuan në sallën e gjykimit, që të mos njolloseshin; por që të mund të hanin pashkën.
29 Atëherë Pilati doli tek ata, dhe tha: Çfarë akuze sillni ju kundër këtij njeriu?
30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: Nëse ai nuk do të ishte fajtor, ne nuk do ta kishim dorëzuar te ti.
31 Atëherë Pilati u tha atyre: Merreni dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj. Prandaj judejtë i thanë atij: Nuk është e ligjshme që ne të vrasim ndonjë njeri;
32 Që thënia e Jezusit të përmbushej, që ai tha, duke treguar çfarë vdekje do të kishte.
33 Atëherë Pilati hyri në sallën e gjykimit përsëri, thirri Jezusin, dhe i tha: A je ti Mbreti i judejve?
34 Jezusi iu përgjigj atij: E thua këtë gjë për veten tënde, apo të tjerët ta thanë ty për mua?
35 Pilati u përgjigj: A jam unë një jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të kanë dorëzuar tek unë, çfarë ke bërë?
36 Jezusi u përgjigj: Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, atëherë shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos dorëzohem te judejtë; por tani mbretëria ime nuk është prej këtej.
37 Atëherë Pilati i tha atij: A je ti mbret atëherë? Jezusi u përgjigj: Ti thua se jam mbret. Për këtë qëllim u linda, dhe për këtë shkak erdha në botë, që unë të jap dëshmi për të vërtetën. Çdo njeri që është i së vërtetës e dëgjon zërin tim.
38 Pilati i thotë atij: Ç’është e vërteta? Dhe pasi e kishte thënë këtë, doli përsëri te judejtë dhe u thotë atyre: Unë nuk gjej fare gabim tek ai.
39 Por ju keni një zakon, që unë t’ju liroj njërin në pashkë; atëherë doni që t’ju liroj Mbretin e judejve?
40 Atëherë thirrën ata të gjithë përsëri, duke thënë: Jo këtë njeri, por Barabën. Tani, Baraba ishte një hajdut.