1 Dhe ditën e tretë u bë një martesë në Cana të Galilesë; dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Dhe Jezusi u thirr në martesë, së bashku me dishepujt e tij.
3 Dhe kur atyre u mungonte vera, nëna e Jezusit i thotë atij: Ata nuk kanë verë.
4 Jezusi i thotë asaj: Grua, ç’kam unë të bëj me ty? Ora ime ende nuk ka ardhur.
5 Nëna e tij u thotë shërbëtorëve: Çfarëdo që ai ju thotë juve, bëjeni.
6 Dhe atje ishin vendosur gjashtë enë uji prej guri, sipas mënyrës së purifikimit të judejve, që përmbajnë dy-tri masa secila.
7 Jezusi u thotë atyre: Mbushini enët me ujë. Dhe ata i mbushën ato deri në buzë.
8 Dhe ai u thotë atyre: Nxirreni ujin tani dhe ia çoni drejtuesit të festës. Dhe ata ia çuan.
9 Kur drejtuesi i festës e provoi ujin që ishtë bërë verë, dhe nuk e dinte nga vinte; (por shërbëtorët që e nxorrën ujin e dinin;) drejtuesi i festës thirri dhëndrin,
10 Dhe i thotë atij: Çdo njeri në fillim nxjerr verë të mirë; dhe pasi njerëzit të kenë pirë mirë, atëherë nxjerr atë që nuk është kaq e mirë; por ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.
11 Këtë fillim të mrekullive bëri Jezusi në Cana të Galilesë dhe manifestoi lavdinë e tij; dhe dishepujt e tij besuan tek ai.
12 Pas kësaj ai zbriti në Kapernaum, ai, nëna e tij, vëllezërit e tij dhe dishepujt e tij; dhe ata qëndruan atje jo shumë ditë.
13 Dhe pashka e judejve ishte afër, dhe Jezusi shkoi lart në Jeruzalem,
14 Dhe gjeti në tempull ulur këmbyesit e parave, dhe ata që shisnin qetë, delet dhe pëllumbat;
15 Dhe pasi bëri një kamzhik me litarë të vegjël, i zboi të gjithë jashtë nga tempulli, dhe delet, dhe qetë; dhe flaku jashtë paratë e këmbyesve, dhe përmbysi tavolinat;
16 Dhe u tha atyre që shisnin pëllumba: Largojini këtej këto gjëra; mos e bëni shtëpinë e Atit tim një shtëpi tregtie.
17 Dhe dishepujt e tij e kujtuan që ishte shkruar: Zelli i shtëpisë sate më ka ngrënë mua.
18 Pastaj judejtë u përgjigjën dhe i thanë: Çfarë shenje na tregon neve, duke parë që ti i bën këto gjëra?
19 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: Shkatërrojeni këtë tempull, dhe për tri ditë unë do ta ngre atë.
20 Pastaj judejtë thanë: Dyzetë e gjashtë vjet u deshën ta ndërtonin këtë tempull dhe ti do ta ngresh brenda tri ditësh?
21 Por ai foli për tempullin e trupit të tij.
22 Prandaj pasi ai u ngrit prej së vdekurish, dishepujt e tij e kujtuan që ai ua kishte thënë këtë atyre; dhe ata e besuan shkrimin, dhe fjalën që Jezusi kishte thënë.
23 Tani, kur ai ishte në Jeruzalem në pashkë, në ditën e festës, shumë besuan në emrin e tij, kur ata panë mrekullitë që bëri.
24 Por Jezusi nuk ua besoi veten atyre, sepse ai i njihte të gjithë njerëzit,
25 Dhe nuk i duhej që ndokush të dëshmonte për njerëzimin, sepse ai dinte çfarë ishte brenda njeriut.