1 Ditën e parë të javës vjen Maria Magdalena herët te varri, kur ishte ende errësirë, dhe shikon që guri ishte hequr nga varri.
2 Atëherë ajo vrapon, dhe vjen te Simon Pjetri, dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u thotë atyre: E kanë hequr Zotin nga varri, dhe ne nuk e dimë ku e kanë vënë atë.
3 Prandaj Pjetri, dhe ai dishepulli tjetër u nisën, dhe erdhën te varri.
4 Kështu ata vrapuan të dy bashkë; dhe dishepulli tjetër ia kaloi Pjetrit, dhe erdhi i pari te varri.
5 Dhe ai duke u përkulur dhe duke parë brenda, pa rrobat prej pëlhure që ishin atje; megjithatë ai nuk hyri brenda.
6 Atëherë vjen Simon Pjetri pas tij, dhe hyri te varri, dhe pa rrobat prej pëlhure atje,
7 Dhe shaminë, që ishte rreth kokës së tij, jo me rrobat prej pëlhure, por e palosur në një vend veç.
8 Atëherë hyri brenda edhe dishepulli tjetër, që erdhi i pari te varri, dhe ai pa, dhe besoi.
9 Sepse ende ata nuk e njihnin shkrimin, që ai duhej të ngrihej përsëri prej së vdekurish.
10 Atëherë dishepujt u larguan përsëri për në shtëpinë e tyre.
11 Por Maria qëndroi te varri jashtë duke qarë, dhe ndërsa qante, ajo u përkul dhe vështroi brenda varrit,
12 Dhe shikon dy engjëj ulur, veshur në të bardha, njëri te koka, dhe tjetri te këmbët, ku ishte trupi i Jezusit.
13 Dhe ata i thonë asaj: O grua, pse qan? Ajo u thotë atyre: Sepse kanë marrë Zotin tim, dhe unë nuk e di ku e kanë vënë atë.
14 Dhe pasi kishte thënë kështu, ajo u kthye pas, dhe pa Jezusin në këmbë, dhe nuk e dinte se ai ishte Jezusi.
15 Jezusi i thotë asaj: O grua, pse qan? Cilin kërkon ti? Ajo, duke menduar që ai ishte kopshtari, i thotë atij: Zotëri, nëse ti e ke marrë atë prej këtej, më trego ku e ke vënë atë, dhe unë do ta marr.
16 Jezusi i thotë asaj: Maria. Ajo kthehet, dhe i thotë atij: Raboni; që do të thotë, Mësues.
17 Jezusi i thotë asaj: Mos më prek, sepse unë ende nuk jam ngjitur tek Ati im, por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre: Unë ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj; dhe te Perëndia im, dhe Perëndia juaj.
18 Maria Magdalena erdhi dhe u tha dishepujve që ajo e kishte parë Zotin, dhe që ai i kishte thënë këto gjëra asaj.
19 Atëherë të njëjtën ditë në mbrëmje, duke qenë dita e parë e javës, ndërsa dyert ishin të mbyllura ku ishin mbledhur dishepujt nga frika e judejve, erdhi Jezusi dhe qëndroi në mes, dhe u thotë atyre: Paqja qoftë me ju.
20 Dhe pasi ai kishte thënë kështu, u tregoi atyre duart dhe anën e tij. Atëherë dishepujt u gëzuan, kur e panë Zotin.
21 Atëherë Jezusi u tha atyre përsëri: Paqja qoftë me ju; ashtu si Ati im më dërgoi mua, po kështu ju dërgoj unë.
22 Dhe pasi e kishte thënë këtë, ai hukati mbi ta, dhe u thotë atyre: Pranojeni Frymën e Shenjtë;
23 Kujtdo që i falni mëkatet, ato u falen atyre; dhe kujtdo që i mbani mëkatet, ato u mbahen atyre.
24 Por Toma, një nga të dymbëdhjetët, që quhet Didimus, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.
25 Prandaj dishepujt e tjerë i thanë atij: Ne kemi parë Zotin. Por ai u tha atyre: Vetëm nëse unë shikoj në duart e tij gjurmët e gozhdëve, dhe të vë gishtin tim në gjurmën e gozhdëve, dhe të vendos dorën time në anën e tij, unë nuk do të besoj.
26 Dhe pas tetë ditësh përsëri dishepujt e tij ishin brenda, dhe Toma ishte me ta; atëherë erdhi Jezusi, ndonëse dyert ishin të mbyllura, dhe qëndroi në mes, dhe tha: Paqja qoftë me ju.
27 Atëherë ai i thotë Tomas: Vëre këtu gishtin tënd, dhe vërej duart e mia; dhe vëre këtu dorën tënde, dhe fute në anën time; dhe mos ji mosbesues, por besues.
28 Dhe Toma u përgjigj dhe i tha: Zoti im dhe Perëndia im.
29 Jezusi i thotë atij: Toma, për shkak se ti më ke parë mua, ti ke besuar; të bekuar janë ata që nuk kanë parë dhe prapë kanë besuar.
30 Dhe me të vërtetë shumë shenja të tjera bëri Jezusi në prani të dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër,
31 Por këto janë shkruar, që ju të mund të besoni që Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë; dhe që duke besuar ju të mund të keni jetë nëpërmjet emrit të tij.