1 Pas këtyre gjërave Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve të tij te deti i Tiberias; dhe u shfaq në këtë mënyrë.
2 Simon Pjetri dhe Toma që quhet Didimus, dhe Nathanaili i Canas në Galile, dhe bijtë e Zebedeut, dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.
3 Simon Pjetri u thotë atyre: Unë po shkoj për të peshkuar. Ata i thonë: Edhe ne do vijmë me ty. Ata dolën, dhe hipën menjëherë në një barkë; dhe atë natë ata nuk zunë gjë.
4 Po kur erdhi mëngjesi, Jezusi qëndronte te bregu; por dishepujt nuk e dinin që ishte Jezusi.
5 Atëherë Jezusi u thotë atyre: Fëmijë, keni gjë për të ngrënë? Ata iu përgjigjën: Jo.
6 Dhe ai u tha atyre: Hidheni rrjetën në anën e djathtë të barkës, dhe do të gjeni. Prandaj ata e hodhën, dhe tani nuk mund ta tërhiqnin atë për shkak të sasisë së peshqve.
7 Prandaj ai dishepulli të cilin Jezusi e donte i thotë Pjetrit: Është Zoti. Tani kur Simon Pjetri e dëgjoi që ishte Zoti, ai veshi rrobën e tij të peshkatarit, (sepse ishte lakuriq) dhe u hodh në det.
8 Dhe dishepujt e tjerë erdhën me një barkë të vogël; (sepse nuk ishin larg nga toka, po rreth dy qind kubitë,) duke tërhequr rrjetën me peshq.
9 Atëherë porsa ata kishin ardhur në tokë, panë zjarr me prush atje, dhe mbi të kishte peshq dhe bukë.
10 Jezusi u thotë atyre: Sillni nga peshqit që keni kapur tani.
11 Simon Pjetri u ngjit, dhe e solli rrjetën në tokë plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; edhe pse ishin kaq shumë, rrjeta prapë nuk u shqye.
12 Jezusi u thotë atyre: Ejani dhe hani. Dhe nuk guxoi ndonjë prej dishepujve ta pyeste atë: Kush je ti? duke e ditur se ai ishte Zoti.
13 Atëherë Jezusi vjen, dhe merr bukë, dhe ua jep atyre, po kështu edhe peshq.
14 Tani kjo është hera e tretë që Jezusi iu shfaq dishepujve të tij, pasi u ngjall prej së vdekurish.
15 Kështu, pasi kishin ngrënë, Jezusi i thotë Simon Pjetrit: Simon, biri i Jonas, a më do ti mua më shumë se këta? Ai i thotë: Po, Zot; ti e di që unë të dua. Ai i thotë: Ushqe qengjat e mi.
16 Ai i thotë atij përsëri herën e dytë: Simon, biri i Jonas, a më do ti mua? Ai i thotë: Po, Zot, ti e di që unë të dua. Ai i thotë: Ushqe delet e mia.
17 Ai i thotë atij herën e tretë: Simon, biri i Jonas, a më do ti mua? Pjetri u mërzit, sepse ai i tha për herë të tretë: A më do ti mua? Dhe ai i tha: Zot, ti di gjithçka; ti e di që unë të dua. Jezusi i thotë: Ushqe delet e mia.
18 Me të vërtetë, me të vërtetë, Unë të them: Kur ti ishe i ri, visheshe dhe shkoje ku të doje; por, kur të jesh i moshuar, do të shtrish duart dhe një tjetër do të të veshë, dhe do të të çojë aty ku ti nuk do.
19 Këtë tha ai, duke treguar përmes çfarë vdekjeje ai do të lavdëronte Perëndinë. Dhe pasi kishte thënë kështu, ai i tha atij: Ndiqmë.
20 Atëherë Pjetri, duke u kthyer, shikon dishepullin tjetër të cilin Jezusi e donte që po e ndiqte; i cili gjithashtu u mbështet mbi gjoksin e tij në darkë, dhe tha: Zot, cili është ai që të tradhëton?
21 Pjetri duke e parë atë i thotë Jezusit: Zot, dhe çfarë do të bëjë ky njeri?
22 Jezusi i thotë atij: Nëse unë dua që ai të rrijë deri sa të vij unë, ç’të duhet ty? Ti më ndiq.
23 Atëherë u hap kjo thënie midis vëllezërve, që ai dishepull nuk do të vdiste; megjithatë Jezusi nuk i tha: Ai nuk do të vdesë; por: Nëse unë dua që ai të rrijë deri sa të vij unë, ç’të duhet ty?
24 Ky është dishepulli që i dëshmon këto gjëra, dhe i shkroi këto gjëra; dhe ne e dimë që dëshmia e tij është e vërtetë.
25 Dhe ka gjithashtu shumë gjëra të tjera që bëri Jezusi, të cilat, nëse çdonjëra do të shkruhej, unë mendoj që madje bota vetë nuk mund t’i nxinte librat që do të shkruheshin. Amen.