1 Ndërkohë, kur u mblodh bashkë një turmë njerëzish të panumërueshëm, kaq shumë sa shkelnin mbi njëri-tjetrin, ai filloi t’u thoshte dishepujve të tij së pari: Ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizi.
2 Sepse nuk është ndonjë gjë e mbuluar, që nuk do të zbulohet; as e fshehur, që nuk do të njihet.
3 Prandaj, çfarëdo që ju keni thënë në errësirë do të dëgjohet në dritë; dhe ajo që keni folur në vesh brenda dollapëve do të shpallet mbi çatitë.
4 Dhe unë ju them juve miqtë e mi: Mos u trembni prej atyre që vrasin trupin, dhe pas asaj nuk kanë gjë tjetër që mund të bëjnë.
5 Por unë do t’ju paralajmëroj kujt t’i trembeni: Trembjuni atij, i cili pasi ka vrarë ka fuqi të flakë në ferr; po, ju them: Trembjuni atij.
6 A nuk shiten pesë trumcakë për dy asarione, dhe nuk harrohet ndonjëri prej tyre para Perëndisë?
7 Por madje edhe flokët e kokës suaj janë numëruar të gjitha. Prandaj, mos u trembni; ju keni më shumë vlerë se shumë trumcakë.
8 Gjithashtu unë ju them: Kushdo që do më rrëfejë para njerëzve, atë do ta rrëfejë edhe Biri i njeriut para engjëjve të Perëndisë;
9 Por ai që më mohon para njerëzve do të mohohet para engjëjve të Perëndisë.
10 Dhe kushdo që do të thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, ajo do t’i falet atij; por atij që blasfemon kundër Frymës së Shenjtë nuk do t’i falet.
11 Dhe kur ata ju sjellin në sinagoga, dhe para magjistratëve dhe pushteteve, mos u shqetësoni se si ose për çfarë do të përgjigjeni, ose çfarë do të thoni;
12 Sepse Fryma e Shenjtë do t’ju mësojë juve në atë orë çfarë duhet të thoni.
13 Dhe një nga grupi i tha: Mësues, foli vëllait tim, që ai ta ndajë me mua trashëgiminë.
14 Dhe ai i tha: O njeri, kush më vuri gjykatës apo ndarës mbi ju?
15 Dhe ai u tha atyre: Kini kujdes, dhe ruhuni prej lakmisë; sepse jeta e një njeriu nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që ai zotëron.
16 Dhe ai u tha një shembëlltyrë, duke thënë: Toka e një njeriu të pasur prodhonte me bollëk;
17 Dhe ai mendoi me vete, duke thënë: Çfarë të bëj, sepse s’kam vend ku t’i vë gjithë frutat e mia?
18 Dhe ai tha: Këtë do të bëj; unë do të rrëzoj hambarët e mi, dhe do të ndërtoj më të mëdhenj; dhe aty do të vë gjithë frutat dhe të mirat e mia.
19 Dhe do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke shumë të mira të grumbulluara për shumë vite; çlodhu, ha, pi, dhe gëzohu.
20 Por Perëndia i tha: Ti budalla, këtë natë shpirti yt do të kërkohet prej teje; atëherë të kujt do të jenë ato gjëra, që ti ke mbledhur?
21 Kështu është ai që grumbullon thesare për veten e tij, dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë.
22 Dhe ai u tha dishepujve të tij: Prandaj ju them: Mos u shqetësoni për jetën tuaj, çfarë do të hani; as për trupin, çfarë do të vishni.
23 Jeta është më shumë se ushqim, dhe trupi është shumë se veshja.
24 Shikoni korbat; sepse ata as mbjellin as korrin; të cilët nuk kanë as depo as hambar; dhe Perëndia i ushqen; sa shumë më tepër të mirë jeni ju se shpendët?
25 Dhe cili prej jush duke u shqetësuar mund t’i shtojë shtatit të tij një kut?
26 Atëherë nëse ju nuk jeni në gjendje ta bëni atë gjë që është më e pakta, pse shqetësoheni për të tjerat?
27 Shikoni zambakët, si rriten; ata nuk mundohen, nuk tjerrin; dhe prapë ju them, se Solomoni në gjithë lavdinë e tij nuk vishej si një nga këta.
28 Atëherë nëse Perëndia e vesh kështu barin, që është sot në fushë, dhe nesër hidhet në furrë; sa shumë më shumë do t’ju veshë ju, O besimpakë?
29 Dhe mos kërkoni se çfarë do të hani, ose çfarë do të pini, as mos jini me mendje dyshuese.
30 Sepse kombet e botës i kërkojnë të gjitha këto gjëra; dhe Ati juaj e di që ju keni nevojë për këto gjëra.
31 Por më mirë kërkoni mbretërinë e Perëndisë; dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.
32 Mos u trembni, tufë e vogël; sepse është kënaqësia e Atit tuaj t’ju japë mbretërinë.
33 Shisni atë që kini, dhe jepni lëmoshë; siguroni për veten kuleta që nuk vjetërohen, një thesar në qiej të pashtershëm, ku nuk afrohet hajdut, as nuk e prish mola.
34 Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
35 Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe dritat tuaja ndezur;
36 Dhe vetë ju si njerëzit që e presin zotin e tyre, kur ai të kthehet nga dasma; që kur të vijë dhe të trokasë ata të mund t’ia hapin menjëherë.
37 Të bekuar janë ata shërbëtorë, të cilët kur të vijë zoti t’i gjejë zgjuar; me të vërtetë unë ju them, që ai do të ngjeshë veten, dhe do t’i bëjë ata të ulen për të ngrënë, dhe do të vijë dhe t’u shërbejë atyre.
38 Dhe nëse ai do të vijë në rojën e dytë, ose do të vijë në rojën e tretë, dhe t’i gjejë kështu, të bekuar janë ata shërbëtorë.
39 Dhe ta dini këtë, që nëse zoti i shtëpisë do ta kishte ditur në ç’orë do të vinte hajduti, ai do të rrinte zgjuar, dhe nuk do ta kishte lënë shtëpinë e tij të plaçkitej.
40 Prandaj, jini gati edhe ju; sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju nuk e mendoni.
41 Atëherë Pjetri i tha: Zot, e thua për ne këtë shëmbëlltyrë, apo edhe për të gjithë?
42 Dhe Zoti tha: Cili atëherë është ai kujdestar i mençur dhe besnik, të cilin zoti i tij do ta bëjë drejtues mbi shtëpinë e vet, t’ua japë pjesën e tyre të ushqimit në kohën e duhur?
43 I bekuar është ai shërbëtor, të cilin zoti i tij kur të vijë do ta gjejë duke bërë kështu.
44 Me të vërtetë unë ju them, se ai do ta bëjë atë drejtues mbi gjithçka që ka.
45 Por, nëse ai shërbëtor thotë në zemrën e tij: Zoti im e vonoi ardhjen e tij; dhe do të fillojë t’i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, dhe të hajë e të pijë, dhe të dehet;
46 Zoti i atij shërbëtori do të vijë në një ditë kur ai nuk e pret, dhe në një orë kur ai të mos jetë në dijeni, dhe do ta copëtojë, dhe do t’i caktojë pjesën e tij me jobesimtarët.
47 Dhe ai shërbëtor, i cili e dinte vullnetin e zotit të tij, dhe nuk u përgatit, as nuk veproi sipas vullnetit të tij, do të rrihet me shumë goditje.
48 Por ai që nuk e dinte, dhe që bëri gjëra që meritojnë goditje me kamxhik, do të rrihet me pak goditje. Sepse kujtdo që i është dhënë shumë, shumë do të kërkohet prej tij; dhe të cilit njerëzit i kanë besuar shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.
49 Unë kam ardhur të vë zjarr në tokë; dhe çfarë tjetër dua, nëse është tashmë ndezur?
50 Por unë kam një pagëzim me të cilin të pagëzohem; dhe sa shtrënguar jam deri sa të kryhet!
51 A mendoni se unë kam ardhur të japë paqe në botë? Unë ju them: Jo; por më mirë ndarje;
52 Sepse që këtej e tutje do të jenë pesë të ndarë në një shtëpi, tre kundër dy, dhe dy kundër tre.
53 Babai do të ndahet kundër birit, dhe biri kundër babait; mamaja kundër vajzës, dhe vajza kundër mamasë; vjehërra kundër nuses së saj, dhe nusja kundër vjehërrës së saj.
54 Dhe ai u tha njerëzve gjithashtu: Kur shihni një re që ngrihet nga perëndimi, ju thoni menjëherë: Po vjen rrebesh shiu; dhe kështu është.
55 Dhe kur shihni erën e jugut të fryjë, ju thoni: Do të bëjë vapë; dhe ajo ndodh.
56 Ju hipokritë, ju mund të dalloni faqen e qiellit dhe të tokës; por si është që nuk e dalloni këtë kohë?
57 Po, pse nuk gjykoni edhe prej vetes suaj çfarë është e drejtë?
58 Kur ti shkon me kundërshtarin tënd te magjistrati, ndërsa je rrugës, përpiqu të shpëtohesh prej tij; që të mos të të çojë te gjykatësi, dhe gjykatësi të të çojë te roja, dhe roja të të futë në burg.
59 Unë të them: Ti nuk do të dalësh prej andej, derisa të keshë paguar monedhën e fundit.