1 Në atë kohë ndodheshin aty disa që i treguan atij për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me sakrificat e tyre.
2 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha: Mendoni ju se këta galileas ishin mëkatarë më shumë se gjithë galileasit, për shkak se i pësuan këto gjëra?
3 Unë ju them: Jo; por, nëse nuk pendoheni, ju të gjithë kështu keni për të humbur.
4 Ose ata tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloam, dhe i vrau, a mendoni se ishin mëkatarë më shumë se gjithë njerëzit në Jeruzalem?
5 Unë ju them: Jo; por, nëse nuk pendoheni, ju të gjithë kështu keni për të humbur.
6 Ai tha edhe këtë shëmbulltyrë: Një njeri kishte mbjellë një fik në vreshtin e tij; dhe ai erdhi dhe kërkonte frutë në të, dhe nuk gjeti gjë.
7 Atëherë ai i tha kujdestarit të vreshtit të tij: Ja, këto tre vjet unë vij duke kërkuar frutë në këtë fik, dhe nuk gjej gjë; preje; pse të zërë tokën?
8 Dhe ai duke u përgjigjur i tha: Zot, lere edhe këtë vit, derisa unë të gërmoj përreth tij, dhe ta plehëroj;
9 Dhe nëse jep frutë, mirë; dhe nëse jo, atëherë pas asaj do ta presësh.
10 Dhe ai po jepte mësim në një nga sinagogat ditën e sabathit.
11 Dhe, ja, ishte një grua që kishte një frymë të paaftësisë për tetëmbëdhjetë vjet, dhe ishte e kërrusur plotësisht, dhe nuk mundte fare të ngrihej.
12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë, dhe i tha: Grua, ti je çliruar prej paaftësisë sate.
13 Dhe vuri duart e tij mbi të; dhe menjëherë ajo u drejtua, dhe lavdëroi Perëndinë.
14 Dhe kreu i sinagogës u përgjigj me zemërim, për shkak se Jezusi e kishte shëruar atë në ditën e sabathit, dhe u tha njerëzve: Janë gjashtë ditë në të cilat njerëzit duhet të punojnë; prandaj në to ejani dhe shërohuni, dhe jo në ditën e sabathit.
15 Atëherë Zoti iu përgjigj atij, dhe tha: Ti hipokrit, a nuk e zgjidh çdokush prej jush kaun e tij apo gomarin e tij prej stanit ditën e sabathit, dhe e shpie për të pirë ujë?
16 Dhe a nuk duhet kjo grua, duke qenë një bijë e Abrahamit, të cilën Djalli e ka lidhur, ja, këto tetëmbëdhjetë vjet, të çlirohet prej kësaj lidhjeje në ditën e sabathit?
17 Dhe pasi ai i tha këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan; dhe të gjithë njerëzit gëzuan për të gjitha gjërat e lavdishme që u bënë prej tij.
18 Atëherë ai tha: Me kë ngjan mbretëria e Perëndisë? Dhe me se do ta krahasoj atë?
19 Është si një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri, dhe e hodhi në kopshtin e tij; dhe ajo u rrit, dhe u bë një pemë e madhe; dhe shpendët e qiellit rrinin në degët e saj.
20 Dhe ai tha përsëri: Me se do ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
21 Ajo është si majaja, të cilën një grua e mori dhe e fshehu në tri masa mielli, derisa i tëri u mbrujt.
22 Dhe ai shkoi nëpër qytete dhe fshatra, duke dhënë mësim, dhe duke udhëtuar për në Jeruzalem.
23 Atëherë njëri i tha: Zot, a janë pak që shpëtohen? Dhe ai u tha atyre:
24 Përpiquni të hyni në portën e ngushtë; sepse shumë, ju them, do të kërkojnë të hyjnë, dhe nuk do të mundin.
25 Kur pasi të zgjohet zoti i shtëpisë, dhe të kishte mbyllur derën, dhe ju filloni të qëndroni jashtë, dhe të trokitni në derë, duke thënë: Zot, Zot, hapna; dhe ai do të përgjigjet dhe do t’ju thotë juve: Unë nuk e di nga jeni;
26 Atëherë ju do të filloni të thoni: Ne kemi ngrënë dhe pirë në praninë tënde, dhe ti ke dhënë mësim në rrugët tona.
27 Por ai do të thotë: Unë ju them, nuk ju njoh nga jeni; largohuni prej meje, ju të gjithë punëtorët e ligësisë.
28 Atje do të ketë vajtim dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shikoni Abrahamin, dhe Isakun, dhe Jakobin, dhe të gjithë profetët, në mbretërinë e Perëndisë, dhe veten tuaj të flakur jashtë.
29 Dhe ata do të vijnë nga lindja, dhe nga perëndimi, dhe nga veriu, dhe nga jugu, dhe do të ulen në mbretërinë e Perëndisë.
30 Dhe, ja, ka të fundit që do të jenë të parët, dhe ka të parët që do të jenë të fundit.
31 Po atë ditë erdhën disa nga farisenjtë, duke i thënë atij: Dil jashtë, dhe largohu që këtej; sepse Herodi do të të vrasë.
32 Dhe ai u tha: Shkoni dhe i thoni asaj dhelpre: Ja, unë dëboj djaj, dhe bëj kura sot edhe nesër, dhe ditën e tretë unë do të përsosem.
33 Megjithatë unë duhet të eci sot, dhe nesër, edhe ditën pasardhëse; sepse nuk mund të ndodhë që një profet të humbasë jashtë Jeruzalemit.
34 O Jeruzalem, Jeruzalem, që vret profetët, dhe godet me gurë ata që dërgohen te ti; sa shpesh do t’i kisha mbledhur bashkë fëmijët e tu, ashtu siç i mbledh pula zogjtë e saj nën krahët e saj, dhe ju nuk donit!
35 Ja, shtëpia tënde ju lihet e shkretë; dhe me të vërtetë unë ju them: Ju nuk do të më shikoni mua, derisa të vijë koha kur ju do të thoni: I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit.