1 Atëherë të gjithë taksambledhësit dhe mëkatarët iu afruan atij për ta dëgjuar.
2 Dhe farisenjtë dhe skribët pëshpëritnin, duke thënë: Ky njeri i pranon mëkatarët, dhe ha me ta.
3 Dhe ai u tha këtë shëmbëlltyrë atyre, duke thënë:
4 Cili njeri prej jush, duke pasur njëqind dele, nëse humbet njërën prej tyre, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, dhe të shkojë pas asaj që humbi, derisa ta gjejë atë?
5 Dhe pasi ta ketë gjetur atë, ai e vë mbi supet e tij, duke gëzuar.
6 Dhe kur vjen në shtëpi, ai thërret bashkë miqtë dhe fqinjët e tij, duke u thënë: Gëzohuni me mua; sepse e gjeta delen që më kishte humbur.
7 Unë ju them, se po kështu do të jetë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, më shumë se për të nëntëdhjetenëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë për pendim.
8 Ose cila grua duke pasur dhjetë monedha argjendi, nëse humbet një monedhë, nuk ndez një qiri, dhe fshin shtëpinë, dhe kërkon me zell derisa ta gjejë atë?
9 Dhe pasi ta ketë gjetur, ajo thërret bashkë miqtë dhe fqinjët e saj, duke thënë: Gëzoni me mua; sepse e gjeta monedhën që humba.
10 Njësoj, ju them, ka gëzim në praninë e engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.
11 Dhe ai tha: Një njeri kishte dy bij;
12 Dhe më i vogli prej tyre i tha babait të tij: Baba, më jep pjesën e pronave që më takon mua. Dhe ai u ndau atyre pasuritë e tij.
13 Dhe jo shumë ditë më pas biri i vogël mblodhi bashkë gjithçka, dhe u nis për një vend të largët, dhe aty e shpërdoroi pasurinë e tij me një jetë të shthurur.
14 Dhe pasi kishte shpenzuar gjithçka, ra një zi buke e madhe në atë vend, dhe ai filloi të ishte në hall.
15 Dhe ai shkoi dhe u bashkua me një qytetar të atij vendi; dhe ai e dërgoi në fushat e tij t’i ushqente derrat.
16 Dhe ai me kënaqësi do ta kishte mbushur barkun me lëvozhgat që hanin derrat; dhe atij nuk i dha njeri.
17 Kur erdhi në vete, ai tha: Sa shërbëtorë me mëditje të babait tim kanë ushqim mjaftueshëm dhe të tepërt, ndërsa unë po humbas nga uria!
18 Unë do të ngrihem dhe do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: Baba, unë kam mëkatuar ndaj qiellit, dhe para teje,
19 Dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt; bëmë mua si një nga shërbëtorët e tu me mëditje.
20 Dhe ai u ngrit, dhe erdhi te babai i tij. Por kur ishte ende shumë larg, babai i tij e pa, dhe pati dhembshuri, dhe vrapoi, dhe ra mbi qafën e tij, dhe e puthi atë.
21 Dhe biri i tha atij: Baba, unë kam mëkatuar ndaj qiellit, dhe në sytë e tu, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt.
22 Por babai u tha shërbëtorëve të tij: Më sillni rrobën më të mirë, dhe vishjani atij; dhe vini një unazë në dorën e tij, dhe këpucë në këmbët e tij;
23 Dhe sillni këtu viçin e majmur, dhe thereni; dhe le të hamë, dhe të gëzohemi;
24 Sepse ky biri im ishte i vdekur, dhe u ngjall përsëri; ai ishte i humbur, dhe u gjet. Dhe ata filluan të gëzoheshin.
25 Tani, biri i tij i madh ishte në arë; dhe ndërsa erdhi dhe iu afrua shtëpisë, ai dëgjoi këngë e valle.
26 Dhe ai thirri një nga shërbëtorët, dhe e pyeti çfarë do të thonë këto gjëra?
27 Dhe ai i tha: Vëllai yt ka ardhur; dhe babai yt theri viçin e majmur, sepse ai e priti atë shëndoshë e mirë.
28 Dhe ai u inatos, dhe s’donte të hynte brenda; prandaj doli babai i tij, dhe iu lut atij.
29 Dhe duke u përgjigjur i tha të atit: Ja, gjithë këto vite unë të shërbej ty, as nuk kam shkelur ndonjëherë urdhërimet e tua; dhe prapë ti s’më dhe ndonjëherë një kec, që unë të gëzohem me miqtë e mi;
30 Dhe porsa erdhi ky biri yt, që ka rrumbulluar pasuritë e tua bashkë me kurvat, ti ke therur për të viçin e majmur.
31 Dhe ai i tha atij: Bir, ti je gjithmonë me mua, dhe gjithçka që kam është jotja.
32 Ishte e përshatshme që ne të gëzoheshim, dhe të ngazëlloheshim; sepse ky vëllai yt ishte i vdekur, dhe u ngjall përsëri; ishte i humbur dhe u gjet.