1 Atëherë ai u tha dishepujve: Është e pamundur që të mos vijnë skandalet; por mjerë ai, përmes të cilit vijnë!
2 Do të ishte më mirë për të që një gur mulliri të varet në qafën e tij, dhe ai të hidhet në det, se sa të skandalizojë një nga këta të vegjlit.
3 Kujdesuni për veten tuaj: Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje atë; dhe nëse ai pendohet, fale atë.
4 Dhe nëse ai mëkaton kundër teje shtatë herë në një ditë, dhe shtatë herë në një ditë kthehet prapë te ti, duke thënë: Unë pendohem; ti do ta falësh atë.
5 Dhe apostujt i thanë Zotit: Rrite besimin tonë.
6 Dhe Zoti tha: Nëse do të kishit besim sa një kokërr sinapi, ju mund t’i thoshit këtij fiku: Shkulu nga rrënja, dhe mbillu në det; dhe ai do t’ju bindet.
7 Por cili prej jush, duke pasur një shërbëtor që plugon tokën ose ushqen bagëtinë, do t’i thotë menjëherë, kur të vijë nga fusha: Shko dhe ulu të hash?
8 Dhe nuk do t’i thoshte më mirë: Bëj gati çfarë të mund të ha unë, dhe ngjishu, dhe shërbemë mua, derisa të kem ngrënë dhe pirë; dhe pastaj ti do të hash dhe pish?
9 A e falënderon atë shërbëtor për shkak se bëri gjërat që i ishin urdhëruar? Unë nuk besoj.
10 Po kështu edhe ju, pasi të keni bërë të gjitha ato gjërat që ju janë urdhëruar, thoni: Ne jemi shërbëtorë të padobishëm; ne kemi bërë atë që kishim detyrë të bënim.
11 Dhe ndodhi, ndërsa shkonte në Jeruzalem, ai kaloi përmes Samarisë dhe Galilesë.
12 Dhe kur po hynte në një fshat, e takuan dhjetë burra që ishin lebrozë, të cilët qëndruan prej së largu;
13 Dhe ata i ngritën zërat e tyre, dhe thanë: Jezus, Mjeshtër, ki mëshirë për ne.
14 Dhe kur i pa ata, ai u tha: Shkoni, t’u paraqiteni priftërinjve. Dhe ndodhi, që, ndërsa po shkonin, ata u pastruan.
15 Dhe njëri prej tyre, kur pa se ishte shëruar, u kthye, dhe me zë të lartë lavdëroi Perëndinë,
16 Dhe ra përmbys te këmbët e tij, duke e falënderuar; dhe ai ishte një samaritan.
17 Jezusi duke u përgjigjur tha: A nuk ishin dhjetë të shëruar? Po të nëntët ku janë?
18 Nuk është gjetur ndonjë i kthyer, për t’i dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji.
19 Dhe ai i tha: Çohu, dhe shko; besimi yt të ka shëruar.
20 Dhe kur iu kërkua atij prej farisenjve, kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai iu përgjigj dhe tha: Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me vrojtim;
21 As nuk do të thonë: Ja këtu! ose, ja atje! Sepse, ja, mbretëria e Perëndisë është brenda jush.
22 Dhe ai u tha dishepujve: Do të vijnë ditët, kur ju do të dëshironi të shikoni njërën nga ditët e Birit të njeriut, dhe nuk do ta shikoni.
23 Dhe ata do t’ju thonë: Shikoni këtu; ose, shikoni atje; mos shkoni pas tyre, as mos i ndiqni ata.
24 Sepse ashtu si vetëtima, që ndriçon nga njëra anë nën qiellin, ndriçon deri në anën tjetër nën qiellin; po kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.
25 Por së pari ai duhet të vuaj shumë gjëra, dhe të refuzohet prej këtij brezi.
26 Dhe ashtu siç ishte në ditët e Noes, kështu do të jetë edhe në ditët e Birit të njeriut.
27 Ata hanin, pinin, martoheshin me gra, jepeshin në martesë, deri në ditën që Noeja hyri në arkë, dhe erdhi përmbytja, dhe i shkatërroi ata të gjithë.
28 Po kështu siç ishte edhe në ditët e Lotit; ata hanin, pinin, blinin, shisnin, mbillnin, ndërtonin;
29 Por në të njëjtën ditë që Loti doli nga Sodoma ra zjarr dhe squfur prej qiellit, dhe i shkatërroi ata të gjithë.
30 Madje kështu do të jetë në ditën kur të shfaqet Biri i njeriut.
31 Në atë ditë, ai që do të jetë mbi tarracën e shtëpisë, dhe gjënë e tij brenda shtëpisë, le të mos zbresë për ta marrë; dhe ai që është në fushë, njësoj le të mos kthehet mbrapa.
32 Kujtoni gruan e Lotit.
33 Kushdo që do të kërkojë të shpëtojë jetën e tij do ta humbasë atë; dhe kushdo që do ta humbasë jetën e tij do ta ruajë atë.
34 Unë ju them, në atë natë do të jenë dy veta në një krevat; njëri do të merret, dhe tjetri do të lihet.
35 Dy gra do të jenë duke bluar bashkë; njëra do të merret, dhe tjetra do të lihet.
36 Dy burra do të jenë në fushë, njëri do të merret, dhe tjetri do të lihet.
37 Ata u përgjigjën dhe i thanë: Ku, Zot? Dhe ai u tha: Kudo që është trupi, atje do të mblidhen bashkë shqiponjat.