2 Dhe, ja, ishte një burrë me emrin Zakia, që ishte kreu i taksambledhësve, dhe ishte i pasur.
3 Dhe ai kërkoi të shihte kush ishte Jezusi; por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ai ishte trupvogël.
4 Dhe ai vrapoi përpara, dhe hypi në një pemë mani për ta parë atë; sepse nga ajo rruge do të shkonte.
5 Dhe kur Jezusi erdhi tek ai vend, ai ngriti sytë, dhe e pa atë, dhe i tha: Zakia, nxito, dhe zbrit poshtë; sepse sot unë duhet të qëndroj në shtëpinë tënde.
6 Dhe ai nxitoi, dhe zbriti poshtë, dhe e priti atë plot gëzim.
7 Dhe kur e panë, ata të gjithë pëshpëritën, duke thënë: Se ai po shkonte si mysafir te një njeri që është mëkatar.
8 Dhe Zakia qëndroi në këmbë, dhe i tha Zotit: Ja, Zot, gjysmën e pasurive të mi unë ua jap të varfërve; dhe nëse kam marrë ndonjë gjë prej ndonjë njeriu nëpërmjet akuzave false, unë ia kthej katërfish.
9 Dhe Jezusi i tha: Sot shpëtimi ka ardhur në këtë shtëpi, meqë edhe ky është një bir i Abrahamit.
10 Sepse Biri i njeriut ka ardhur të kërkojë dhe të shpëtojë atë që ishte humbur.
11 Dhe ndërsa ata po i dëgjonin këto gjëra, ai shtoi dhe tha një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte pranë Jeruzalemit, dhe sepse ata mendonin që mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.
12 Prandaj ai tha: Një fisnik shkoi në një vend të largët që të merrte për veten e tij një mbretëri, dhe të kthehej.
13 Dhe thirri dhjetë shërbëtorët e tij, u dha dhjetë paund atyre, dhe u tha: Punoni derisa të vij unë.
14 Por qytetarët e tij e urrenin atë, dhe dërguan një mesazh pas tij, duke thënë: Ne nuk duam që ky njeri të sundojë mbi ne.
15 Dhe ndodhi, që ai kur u kthye, pasi kishte marrë mbretërinë, atëherë i urdhëroi këta shërbëtorë, të cilëve ai u kishte dhënë paratë, të thirreshin tek ai, që ai të mund të marrë vesh se sa kishte fituar secili njeri prej tregtisë.
16 Atëherë erdhi i pari, duke thënë: Zot, paundi yt ka fituar dhjetë paund.
17 Dhe ai i tha: Të lumtë, ti shërbëtor i mirë; se ke qenë besnik në shumë pak, ki pushtet mbi dhjetë qytete.
18 Dhe erdhi i dyti, duke thënë: Zot, paundi yt ka fituar pesë paund.
19 Dhe ai njësoj i tha atij: Ji edhe ti mbi pesë qytete.
20 Dhe erdhi një tjetër, duke thënë: Zot, shiko, ja ku është paundi yt, të cilin e kam ruajtur rezervë në një shami;
21 Sepse unë të trembesha, se ti je një njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë, dhe korr atë që nuk ke mbjellë.
22 Dhe ai i tha atij: Prej gojës sate unë do të të gjykoj, ti shërbëtor i lig. Ti e dije që unë isha një njeri i rreptë, duke marrë atë që nuk kam vënë, dhe duke korrur atë që nuk kam mbjellë;
23 Prandaj atëherë pse nuk i fute paratë e mia në bankë, që në ardhjen time unë të mund t’i kisha marrë të miat me kamatë?
24 Dhe u tha atyre që qëndruan pranë: Merrni prej tij paundin, dhe jepjani atij që ka dhjetë paund.
25 (Dhe ata i thanë atij: Zot, ai ka dhjetë paund.)
26 Sepse unë ju them: Që kujtdo që ka do t’i jepet; dhe prej atij që nuk ka, edhe atë që ka do të merret prej tij.
27 Por ata armiqtë e mi, që nuk donin që unë të sundoja mbi ta, sillini këtu, dhe i vritni para meje.
28 Dhe pasi foli kështu, shkoi përpara, duke u ngjitur lart në Jeruzalem.
29 Dhe ndodhi, kur ai erdhi afër Bethfikut dhe Betanisë, përballë malit të quajtur mali i Ullinjve, ai dërgoi dy nga dishepujt e tij,
30 Duke thënë: Shkoni në fshatin përballë jush; në të cilin kur të hyni do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hypur ndonjë njeri ndonjëherë; zgjidheni, dhe silleni këtu.
31 Dhe nëse ndonjë njeri ju pyet: Pse e zgjidhni atë? Atij do t’i thoni kështu: Sepse Zoti ka nevojë për të.
32 Dhe ata që u dërguan ikën, dhe gjetën ashtu siç u kishte thënë.
33 Dhe ndërsa po e zgjidhnin kërriçin, pronarët e tij u thanë: Përse e zgjidhni kërriçin?
34 Dhe ata thanë: Zoti ka nevojë për të.
35 Dhe ata e sollën atë te Jezusi; dhe hodhën rrobat e tyre mbi kërriçin, dhe e vunë Jezusin mbi të.
36 Dhe ndërsa shkonte, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.
37 Dhe kur ai u afrua, madje tani në zbritje të malit të Ullinjve, e gjithë turma e dishepujve filloi të gëzohej dhe të lavdëronte Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e mëdha që kishin parë;
38 Duke thënë: Bekuar qoftë Mbreti që vjen në emër të Zotit; paqe në qiell, dhe lavdi në më të lartat.
39 Dhe disa nga farisenjtë prej turmës i thanë: Mësues, qorto dishepujt e tu.
40 Ai u përgjigj dhe u tha atyre: Unë ju them se, nëse këta do të rrinin pa folur, gurët do të thërritnin menjëherë.
41 Dhe kur u afrua, ai e pa qytetin, dhe qau mbi të,
42 Duke thënë: Nëse do ta kishe ditur, edhe ti, të paktën në këtë ditën tënde, gjërat që i takojnë paqes sate! Por tani ato janë fshehur prej syve të tu.
43 Sepse ditët mbi ty do të vijnë, që armiqtë e tu do të bëjnë një llogore rreth teje, dhe do të të rrethojnë, dhe do të të mbajnë brenda nga të gjitha anët,
44 Dhe ata do të të rrëzojnë përtokë, dhe fëmijët e tu brenda teje; dhe nuk do të lënë gur mbi gur në ty; sepse ti nuk e more vesh kohën e vizitës sate.
45 Dhe ai hyri në tempull, dhe filloi t’i nxirte jashtë ata që shisnin në të, dhe ata që blinin;
46 Duke u thënë: Është shkruar: Shtëpia ime është shtëpia e lutjes; por ju e keni bërë atë një strofkë hajdutësh.
47 Dhe ai dha mësim përditë në tempull. Por krerët e priftërinjve dhe skribët dhe krerët e njerëzve kërkonin ta shkatërronin atë,
48 Dhe nuk gjenin dot çfarë mund të bënin; sepse të gjithë njerëzit e dëgjonin me vëmendje të madhe.