1 Dhe ndodhi në ato ditë, që doli një dekret prej Cezar Augustit, që e gjithë bota duhet të taksohet.
2 (Dhe ky taksim u bë për herë të parë kur Kireniusi ishte qeveritari i Sirisë.)
3 Dhe të gjithë shkuan të taksoheshin, çdonjëri në qytetin e vet.
4 Dhe Jozefi gjithashtu u ngjit prej Galilesë, nga qyteti i Nazaretit, në Judea, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem; (sepse ai ishte prej shtëpisë dhe atësisë së Davidit;)
5 Të taksohej me Marinë të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë.
6 Dhe kështu ishte, që, ndërkohë që ishin atje, ditët u përmbushën që ajo të lindte.
7 Dhe ajo lindi birin e saj të parëlindur, dhe e mbështolli atë në shpargër, dhe e vunë në një grazhd; sepse nuk kishte vend për ta në han.
8 Dhe ishin në të njëjtin vend barinj që rrinin në fushë, duke ruajtur tufën e tyre gjatë natës.
9 Dhe, ja, engjëlli i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit ndriçoi përreth tyre; dhe ata u frikësuan jashtë mase.
10 Dhe engjëlli u tha atyre: Mos u trembni; sepse, ja, unë ju sjell lajme të mira të gëzimit të madh, që do të jenë për të gjithë njerëzit.
11 Sepse juve ju është lindur sot në qytetin e Davidit, një Shpëtues, i cili është Krisht Zoti.
12 Dhe kjo do të jetë një shenjë për ju; Ju do ta gjeni beben të mbështjellur në shpargër, të shtrirë në një grazhd.
13 Dhe befas bashkë me engjëllin ishte një ushtri e madhe qiellore që lavdëronin Perëndinë, duke thënë:
14 Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi tokë paqe, mirësi ndaj njerëzve.
15 Dhe ndodhi, ndërsa engjëjt ishin larguar prej tyre në qiell, barinjtë thanë me njëri-tjetrin: Le të shkojmë tani deri në Betlehem, dhe të shikojmë këtë gjë që ka ndodhur, që Zoti na e ka bërë të njohur neve.
16 Dhe ata erdhën me nxitim, dhe gjetën Marinë dhe Jozefin, dhe beben e shtrirë në grazhd.
17 Dhe pasi e panë, ata gjithandej e përhapnin fjalën që u ishte thënë atyre në lidhje me këtë fëmijë.
18 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin habiteshin me ato gjëra që thuheshin atyre prej barinjve.
19 Por Maria i ruante të gjitha këto gjëra, dhe i peshonte në zemrën e saj.
20 Dhe barinjtë u kthyen, duke madhëruar dhe duke lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin parë e dëgjuar, ashtu siç u ishte thënë atyre.
21 Dhe kur u mbushën tetë ditë për rrethprerjen e fëmijës, emri i tij u quajt JEZUS, që ishte quajtur kështu prej engjëllit para se ai të ngjizej në mitër.
22 Dhe pasi ditët e pastrimit të saj u përmbushën sipas ligjit të Moisiut, ata e sollën atë në Jeruzalem, t’ia paraqisnin atë Zotit;
23 (Siç është shkruar në ligjin e Zotit: Çdo mashkull që hap mitrën do të quhet i shenjtë për Zotin;)
24 Dhe të ofroje flijim sipas asaj që thuhet në ligjin e Zotit: Një çift turtujsh, ose dy pëllumba të rinj.
25 Dhe, ja, ishte një njeri në Jeruzalem, me emrin Simeon; dhe ai ishte i drejtë dhe besimtar, duke pritur ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.
26 Dhe atij iu shfaq prej Frymës së Shenjtë, që ai nuk do të shihte vdekje, para se të shihte Krishtin e Zotit.
27 Dhe ai erdhi prej Frymës në tempull; dhe kur prindërit sollën brenda fëmijën Jezus, që të bënin për të sipas zakonit të ligjit,
28 Atëherë ai e mori atë lart në krahët e tij, dhe bekoi Perëndinë, dhe tha:
29 Zot, tani lejoje shërbëtorin tënd të largohet në paqe, sipas fjalës sate;
30 Sepse sytë e mi e kanë parë shpëtimin tënd,
31 Që ti e ke përgatitur para fytyrës të të gjithë popujve;
32 Një dritë për të ndriçuar paganët, dhe lavdinë e popullit tënd Izrael.
33 Dhe Jozefi dhe nëna e tij u çuditën me ato gjëra që fliteshin për të.
34 Dhe Simeoni i bekoi ata, dhe i tha nënës së tij Marisë: Ja, ky fëmijë është caktuar për rënien dhe ngjalljen të shumë vetave në Izrael; dhe për një shenjë që do të përflitet;
35 (Po, një shpatë do ta shpojë edhe shpirtin tënd,) që mendimet e shumë zemrave të mund të zbulohen.
36 Dhe ishte një Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisi i Aserit; ajo ishte e madhe në moshë, dhe kishte jetuar me një burrë shtatë vjet që nga virgjëria e saj;
37 Dhe ajo ishte një vejushe prej rreth tetëdhjetë e katër vjetësh, e cila nuk ndahej nga tempulli, por i shërbeu Perëndisë me agjërime dhe lutje natë e ditë.
38 Dhe ajo duke ardhur në atë çast falënderoi njësoj Zotin, dhe u foli për atë të gjithëve që kërkonin shpengim në Jeruzalem.
39 Dhe pasi i kishin kryer të gjitha gjërat sipas ligjit të Zotit, ata u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.
40 Dhe fëmija u rrit, dhe u bë i fortë në frymë, plot me urtësi; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.
41 Tani, prindërit e tij shkonin në Jeruzalem çdo vit për festën e pashkës.
42 Dhe kur ai u bë dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem sipas zakonit të festës.
43 Dhe pasi ata i ruan ditët, ndërsa u kthyen, fëmija Jezus mbeti pas në Jeruzalem; dhe Jozefi dhe nëna e tij nuk dinin për këtë.
44 Por ata, duke menduar se ai ishte në karvan, udhëtuan për një ditë; dhe e kërkuan atë midis të afërmve dhe të njohurve.
45 Dhe pasi nuk e gjetën, ata u kthyen prapë në Jeruzalem, duke e kërkuar.
46 Dhe ndodhi, që pas tri ditësh ata e gjetën në tempull, të ulur në mes të doktorëve, duke i dëgjuar, dhe duke u bërë pyetje atyre.
47 Dhe të gjithë që e dëgjuan u habitën me zgjuarsinë dhe përgjigjet e tij.
48 Dhe kur e panë, ata u mrekulluan; dhe nëna e tij i tha: Bir, pse na ke trajtuar kështu? Ja, babai yt edhe unë të kemi kërkuar me pikëllim.
49 Dhe ai u tha atyre: Përse më keni kërkuar? A nuk kuptuat që unë duhet të merrem me punën e Atit tim?
50 Dhe ata nuk kuptuan fjalën që ai u tha atyre.
51 Dhe ai zbriti bashkë me ta, dhe erdhi në Nazaret, dhe u bindej atyre; por nëna e tij i ruante në zemrën e saj të gjitha këto fjalë.
52 Dhe Jezusi rritej në urtësi dhe në shtat, dhe në hir me Perëndinë dhe njeriun.