1 Dhe Jezusi duke qenë i mbushur me Frymën e Shenjtë u kthye prej Jordanit, dhe u drejtua prej Frymës në shkretëtirë,
2 Duke qenë dyzet ditë i tunduar prej djallit. Dhe në ato ditë ai nuk hëngri gjë; dhe kur ato mbaruan, pastaj ishte i uritur.
3 Dhe djalli i tha atij: Nëse ti je Biri i Perëndisë, urdhëroje këtë gur që të bëhet bukë.
4 Dhe Jezusi iu përgjigj, duke thënë: Është shkruar: Se njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por prej çdo fjale të Perëndisë.
5 Dhe djalli, duke e çuar atë te një mal i lartë, i tregoi atij për një çast të gjitha mbretëritë e botës.
6 Dhe djalli i tha atij: Të gjithë këtë pushtet unë do të ta jap ty, dhe lavdinë e tyre; sepse kjo më është dhënë mua; dhe unë ia jap kujtdo që dua.
7 Prandaj nëse ti do të më adhurosh mua, të gjitha do të jenë të tuat.
8 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: Shporru prapa meje, Satana; sepse është shkruar: Ti do të adhurosh Zotin Perëndinë tënd, dhe vetëm atij do t’i shërbesh.
9 Dhe ai e çoi atë në Jeruzalem, dhe e vuri mbi një pikë të lartë të tempullit, dhe i tha: Nëse ti je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë prej këtej;
10 Sepse është shkruar: Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty, të të ruajnë;
11 Dhe në duart e tyre ata do të të ngrenë lart, që në asnjë çast të mos ta përplasësh këmbën tënde në gur.
12 Dhe Jezusi duke u përgjigjur i tha atij: Është thënë: Ti nuk do ta tundosh Zotin Perëndinë tënd.
13 Dhe pasi djalli e kishte mbaruar gjithë tundimin, ai u largua prej tij për një kohë.
14 Dhe Jezusi u kthye në fuqinë e Frymës në Galile; dhe fama e tij përhapej në gjithë rajonin rrethepërqark.
15 Dhe ai dha mësim në sinagogat e tyre, duke u lavdëruar prej të gjithëve.
16 Dhe ai erdhi në Nazaret, ku ishte rritur; dhe, siç ishte zakoni i tij, ai shkoi në sinagogë ditën e sabathit, dhe u çua që të lexonte.
17 Dhe iu dha atij libri i profetit Isaia. Dhe pasi e hapi librin, ai gjeti vendin ku qe shkruar:
18 Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur mua t’u predikoj ungjillin të varfërve; ai më ka dërguar të shëroj zemërthyerit, t’u predikoj çlirimin robërve, dhe kthimin e shikimit të verbërve, t’i çliroj ata që janë të shtypur,
19 Të predikoj vitin e pranueshëm të Zotit.
20 Dhe ai e mbylli librin, dhe ia dha prapë shërbyesit, dhe u ul. Dhe sytë e të gjithë atyre që ishin në sinagogë u ngulën mbi të.
21 Dhe ai filloi t’u thoshte atyre: Këtë ditë ky shkrim u përmbush në veshët tuaj.
22 Dhe të gjithë japin dëshmi për të, dhe u habitën me fjalët plot hir që dolën nga goja e tij. Dhe ata thanë: A nuk është ky djali i Jozefit?
23 Dhe ai u tha atyre: Ju sigurisht do të ma thoni këtë fjalë të urtë: Mjek, shëro veten tënde; çdo gjë që kemi dëgjuar që është bërë në Kapernaum, bëje dhe këtu në vendin tënd.
24 Dhe ai tha: Me të vërtetë unë ju them: S’ka profet që pranohet në vendin e vet.
25 Por unë ju them me të vërtetë, shumë të veja ishin në Izrael në ditët e Elias, kur qielli ishte mbyllur tre vjet dhe gjashtë muaj, kur zia e madhe e bukës ishte gjithandej në të gjithë tokën;
26 Por Elia nuk u dërgua tek asnjëra prej tyre, përveç Sareptas, një qytet i Sidonës, te një grua që ishte e ve.
27 Dhe kishte shumë lebrozë në kohën e profetit Eliseut; dhe nuk u pastrua ndonjëri prej tyre, përveç sirianit Naaman.
28 Dhe të gjithë ata në sinagogë, kur dëgjuan këto gjëra, u mbushën me zemërim,
29 Dhe u ngritën, dhe e shporrën atë nga qyteti, dhe e çuan në buzë të një kodre mbi të cilën qyteti ishte ndërtuar, që të mund ta hidhnin kokëposhtë.
30 Por ai duke kaluar përmes tyre u largua,
31 Dhe zbriti në Kapernaum, një qytet i Galilesë, dhe u mësonte atyre në ditët e sabathit.
32 Dhe ata u habitën me doktrinën e tij; sepse fjala e tij ishte me pushtet.
33 Dhe ishte në sinagogë një njeri, që kishte një frymë të një djalli të papastër, dhe bërtiti me zë të lartë,
34 Duke thënë: Na lërë rehat; ç’kemi të bëjmë me ty, ti Jezus i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë të njoh kush je; I Shenjti i Perëndisë.
35 Dhe Jezusi e qortoi atë, duke thënë: Pusho, dhe dil prej tij. Dhe pasi djalli e kishte hedhur atë atje në mes, ai doli prej tij, dhe nuk e lëndoi.
36 Dhe të gjithë ata u habitën, dhe folën me njëri-tjetrin, duke thënë: Ç’fjalë është kjo! Sepse me autoritet dhe fuqi ai i urdhëron frymërat e papastra, dhe ato dalin.
37 Dhe fama e tij u përhap në çdo anë të vendit rrethepërqark.
38 Dhe ai u ngrit nga sinagoga, dhe hyri në shtëpinë e Simonit. Nëna e gruas së Simonit kishte ethe të mëdha; dhe ata iu lutën atij për të.
39 Dhe ai qëndroi pranë saj, dhe qortoi ethet; dhe ato u larguan prej saj; dhe menjëherë ajo u çua dhe u shërbeu atyre.
40 Tani, kur po perëndonte dielli, të gjithë ata që kishin ndonjë të sëmurë me sëmundje të ndryshme i sollën tek ai; dhe ai vinte duart e tij mbi çdonjërin prej tyre, dhe i shëronte.
41 Dhe djajtë gjithashtu dilnin prej shumë, duke klithur, dhe thënë: Ti je Krishti Biri i Perëndisë. Dhe ai duke i qortuar nuk i lejoi të flisnin; sepse ata e dinin që ai ishte Krishti.
42 Dhe kur u bë ditë, ai u largua dhe shkoi në një vend të shkretë; dhe njerëzit e kërkonin, dhe vinin tek ai, dhe rrinin me të, që ai të mos largohej prej tyre.
43 Dhe ai u tha atyre: Unë duhet t’ua predikoj mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera; sepse prandaj jam dërguar.