1 Dhe ndodhi sabathin e dytë pas të parit, që ai shkoi përmes fushave të grurit; dhe dishepujt e tij këpusnin kallinjtë e grurit, dhe hanin, duke i fërkuar në duart e tyre.
2 Dhe disa prej farisenjve u thanë atyre: Pse bëni atë që nuk është e ligjshme ta bëni në ditët e sabathit?
3 Dhe Jezusi duke iu përgjigjur tha: As kaq nuk keni lexuar, çfarë bëri Davidi, kur ai vetë ishte i uritur, dhe ata që ishin bashkë me të;
4 Se si shkoi ai në shtëpinë e Perëndisë, mori dhe hëngri bukën e paraqitjes, dhe u dha edhe atyre që ishin me të; që nuk është e ligjshme të hahet përveç për priftërinjtë?
5 Dhe ai u tha atyre: Se Biri i njeriut është Zot edhe i sabathit.
6 Dhe ndodhi gjithashtu në një sabath tjetër, që ai hyri në sinagogë dhe dha mësim; dhe aty ishte një njeri dora e djathtë e të cilit ishte tharë.
7 Dhe skribët dhe farisenjtë e vështronin atë, nëse ai do të shëronte ditën e sabathit; që ata të mund të gjenin një akuzë ndaj tij.
8 Por ai i dinte mendimet e tyre, dhe i tha njeriut që kishte dorën e tharë: Çohu, dhe qëndro përpara në mes. Dhe ai u çua dhe qëndroi përpara.
9 Atëherë Jezusi u tha atyre: Do t’ju pyes një gjë: Është e ligjshme në ditët e sabathit të bësh mirë, apo të bësh keq? Të shpëtosh jetë, apo ta shkatërrosh atë?
10 Dhe duke vështruar rrotull mbi të gjithë ata, ai i tha njeriut: Shtrije para dorën tënde. Dhe ai kështu bëri; dhe dora e tij u kthye e shëndoshë si tjetra.
11 Dhe ata u mbushën me inat; dhe diskutuan me njëri-tjetrin se çfarë t’i bënin Jezusit.
12 Dhe ndodhi në ato ditë, që ai doli në mal për t’u lutur, dhe vazhdoi gjithë natën në lutje Perëndisë.
13 Dhe kur zbardhi dita, ai thirri pranë tij dishepujt; dhe prej tyre ai zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët i emëroi edhe apostuj;
14 Simonin, (të cilin ai e quajti edhe Pjetër,) dhe Andrean vëllanë e tij, Jakobin dhe Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun,
15 Mateun dhe Thomain, Jakobin birin e Alfeut, dhe Simonin të quajtur Zelloti,
16 Dhe Judën vëllain e Jakobit, dhe Juda Iskariotin, i cili ishte edhe tradhtari.
17 Dhe ai zbriti bashkë me ta, dhe qëndroi në rrafshinën, dhe grupi i dishepujve të tij, dhe një turmë e madhe njerëzish nga gjithë Judea dhe Jeruzalemi, dhe prej bregdetit të Tyrusit dhe Sidonës, të cilët erdhën ta dëgjonin atë, dhe të shëroheshin prej sëmundjeve të tyre;
18 Dhe ata që ishin torturuar me frymëra të papastra; dhe ata u shëruan.
19 Dhe e gjithë turma kërkonte ta prekte; sepse prej tij dilte fuqi, dhe i shëronte të gjithë ata.
20 Dhe ai ngriti sytë lart te dishepujt e tij, dhe tha: Qofshi të bekuar ju të varfër; sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.
21 Të bekuar jeni ju që keni uri tani; sepse ju do të ngopeni. Të bekuar jeni ju që qani tani; sepse ju do të qeshni.
22 Të bekuar jeni ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë, dhe kur do t’ju veçojnë nga shoqëria e tyre, dhe do t’ju përflasin, dhe ta hedhin poshtë emrin tuaj si i keq, për hir të Birit të njeriut.
23 Gëzohuni në atë ditë, dhe kërceni nga gëzimi; sepse, ja, shpërblimi juaj është i madh në parajsë; sepse po kështu bënin etërit e tyre ndaj profetëve.
24 Por mjerë ju që jeni të pasur! Sepse ju e keni marrë ngushëllimin tuaj.
25 Por mjerë ju që jeni të ngopur! Sepse ju do të keni uri. Mjerë ju që tani qeshni! Sepse ju do të vajtoni dhe qani.
26 Por mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju! Sepse po kështu bënin etërit e tyre ndaj profetëve të rremë.
27 Por ju them juve që dëgjoni: Duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë,
28 Bekojini ata që ju mallkojnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.
29 Dhe atij që të qëllon në njërën faqe ofroji edhe tjetrën; dhe atë që të merr mantelin mos e pengo të marrë edhe rrobën tënde.
30 Jepi çdokujt që kërkon prej teje; dhe prej atij që merr gjërat e tua mos i kërko përsëri.
31 Dhe ashtu siç doni që njerëzit t’ju bëjnë juve, po kështu bëjuni edhe atyre.
32 Sepse nëse i doni ata që ju duan, ç’falënderime keni ju? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.
33 Dhe nëse ju u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë juve, ç’falënderime keni ju? Sepse edhe mëkatarët bëjnë njësoj.
34 Dhe nëse ju u jepni hua atyre prej të cilëve shpresoni se do të merrni, ç’falënderime keni ju? Sepse edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin përsëri po aq.
35 Por duajini armiqtë tuaj, dhe bëni mirë, jepni hua, duke mos pritur gjë në kthim; dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh, dhe ju do të jeni fëmijët e më të Lartit; sepse ai është i mirë ndaj mosmirënjohësve dhe të këqinjve.
36 Atëherë jini të mëshirshëm, ashtu si edhe Ati juaj është i mëshirshëm.
37 Mos gjykoni, dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni, dhe nuk do të dënoheni; falni, dhe do të faleni;
38 Jepni, dhe do t’ju jepet; masë të mirë, të ngjeshur, dhe të tundur, dhe duke derdhur nga buza, do t’ju japin njerëzit në gji. Sepse me të njëjtën masë që ju matni, njësoj do t’ju matet prapë juve.
39 Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: A mundet i verbëri të udhëdhëheqë të verbërin? A nuk do të bien që të dy në hendek?
40 Dishepulli nuk është mbi mësuesin e tij; por kushdo që është i përsosur do të jetë si mësuesi i tij.
41 Dhe përse e shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd, por nuk vëren trarin që është në syrin tënd?
42 Ose si mund t’i thuash vëllait tënd: Vëlla, lermë të të nxjerr lëmishten që është në syrin tënd, kur ti vetë nuk shikon trarin që është në syrin tënd? Ti hipokrit, nxirr trarin së pari nga syri yt, dhe pastaj do të shikosh qartë të nxjerrësh lëmishten që është në syrin e vëllait tënd.
43 Sepse një pemë e mirë nuk prodhon frutë të keqe; as një pemë e keqe nuk prodhon frutë të mirë.
44 Sepse çdo pemë njihet prej frutës së vet. Sepse prej gjembave nuk marrin fiq njerëzit, as mbledhin rrush prej një shkurre.
45 Një njeri i mirë nga thesari i mirë i zemrës së tij nxjerr atë që është e mirë; dhe një njeri i keq nga thesari i keq i zemrës së tij nxjerr atë që është e keqe; sepse goja e tij flet prej tepricës së zemrës.
46 Dhe ju pse më thirrni: Zot, Zot, dhe nuk i bëni gjërat që them unë?
47 Kushdo që vjen tek unë, dhe i dëgjon fjalët e mia, dhe i bën ato, unë do t’ju tregoj me kë ngjan;
48 Ai është si një njeri që ndërtoi një shtëpi, dhe gërmoi thellë, dhe e vuri themelin mbi një shkëmb; dhe kur përmbytja u ngrit, rryma e goditi furishëm atë shtëpi, dhe nuk mundi ta tundte atë; sepse ajo ishte vendosur mbi një shkëmb.
49 Por ai që dëgjon, dhe nuk bën, është si një njeri që pa themel ndërtoi një shtëpi mbi dheun; kundër të cilës rryma goditi furishëm, dhe ajo menjëherë u rrëzua; dhe rrënimi i asaj shtëpie ishte i madh.