1 Dhe kur ata iu afruan Jeruzalemit, në Bethfik dhe Betani, te mali i Ullinjve, ai dërgon dy nga dishepujt e tij,
2 Dhe u thotë: Shkoni në fshatin përballë; dhe porsa të hyni në të, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hypur njeri; zgjidheni atë, dhe silleni.
3 Dhe nëse ndokush ju thotë juve: Pse e bëni këtë? Thoni që Zoti ka nevojë për të; dhe menjëherë ai do ta dërgojë këtu.
4 Dhe ata shkuan, dhe e gjetën kërriçin të lidhur te një derë jashtë në një vend ku takohen dy rrugë, dhe e zgjidhën.
5 Dhe disa nga ata që qëndruan atje u thanë: Çfarë bëni ju, duke e zgjidhur kërriçin?
6 Dhe ata u thanë atyre ashtu siç i kishte urdhëruar Jezusi; dhe ata i lanë të shkonin. 7 Dhe ata e sollën kërriçin te Jezusi, dhe i hodhën rrobat e tyre mbi të; dhe ai u ul mbi të.
8 Shumë i hodhën rrobat e tyre në rrugë; dhe të tjerë prisnin degë prej pemëve, dhe i shpërndanin në rrugë.
9 Dhe ata që ecnin para, dhe ata që shkuan pas, bërtisnin, duke thënë: Hosana; I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit;
10 Qoftë e bekuar mbretëria e Davidit atit tonë, që vjen në emër të Zotit; Hosana në më të lartat.
11 Dhe Jezusi hyri në Jeruzalem, dhe në tempull; dhe pasi kishte parë gjithçka rreth e rrotull, dhe tani u ngrys, ai doli për në Bethani bashkë me të dymbëdhjetët.
12 Dhe të nesërmen, kur ata erdhën nga Bethania, ai ishte i uritur;
13 Dhe duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, ai erdhi, nëse mund të gjente rastësisht ndonjë gjë në të; dhe kur erdhi te fiku, ai nuk gjeti gjë veç gjetheve; sepse ende s’ishte koha e fiqve.
14 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: Që sot e tutje, përjetë mos ngrëntë njeri frut prej teje. Dhe dishepujt e tij e dëgjuan atë.
15 Dhe ata erdhën në Jeruzalem; dhe Jezusi hyri në tempull, dhe filloi t’i dëbojë ata që shisnin dhe blinin në tempull, dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shisnin pëllumba;
16 Dhe nuk lejoi ndokënd të mbarte ndonjë enë nëpër tempull.
17 Dhe ai jepte mësim, duke u thënë atyre: A nuk është shkruar: Shtëpia ime do të quhet shtëpia e lutjeve prej gjithë kombeve? Por ju e keni bërë atë strofkë hajdutësh.
18 Dhe skribët dhe kryepriftërinjtë e dëgjuan atë, dhe kërkonin si mund ta vrisnin atë; sepse ata i trembeshin atij, për shkak se gjithë populli çuditej me doktrinën e tij.
19 Dhe kur erdhi mbrëmja, ai doli jashtë qytetit.
20 Dhe në mëngjes, ndërsa po kalonin, ata e panë fikun të tharë që nga rrënjët.
21 Dhe Pjetri duke u kujtuar i thotë atij: Mësues, ja, fiku që ti mallkove është tharë.
22 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: Kini besim te Perëndia.
23 Sepse me të vërtetë unë ju them: Se kushdo që do t’i thotë këtij mali: Largohu, dhe hidhu në det; dhe nuk do të dyshojë në zemrën e tij, por do të besojë që ato gjëra që ai thotë do të ndodhin; atij do t’i bëhet çdo gjë që të thotë.
24 Prandaj unë ju them: Çfarëdo gjëra që ju dëshironi, kur luteni, besoni se i merrni ato, dhe ju do t’i keni ato.
25 Dhe kur ju qëndroni duke u lutur, falni, nëse keni ndonjë gjë ndaj ndokujt; që edhe Ati juaj që është në qiell të mund t’jua falë juve shkeljet tuaja.
26 Por nëse ju nuk falni, as Ati juaj që është në qiell nuk do t’jua falë shkeljet tuaja.
27 Dhe ata vijnë përsëri në Jeruzalem; dhe ndërsa ai ishte duke ecur në tempull, erdhën tek ai kryepriftërinjtë, skribët, dhe pleqtë,
28 Dhe i thonë atij: Me ç’autoritet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta dha ty këtë autoritet që t’i bësh këto gjëra?
29 Dhe Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: Edhe unë do t’ju bëj një pyetje juve, dhe m’u përgjigjni, dhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.
30 Pagëzimi i Gjonit, ishte prej qiellit, apo prej njerëzve? Përgjigjmuni.
31 Dhe ata arsyetonin midis tyre, duke thënë: Nëse do të themi: Prej qiellit; ai do thotë: Atëherë përse nuk i besuat atij?
32 Por nëse do të themi: Prej njerëzve; ata kishin frikë nga populli; sepse të gjithë njerëzit e llogarisnin Gjonin me të vërtetë profet.
33 Dhe ata u përgjigjën dhe i thanë Jezusit: Ne nuk e dimë. Dhe Jezusi duke u përgjigjur u thotë atyre: As unë nuk do t’ju them se me ç’autoritet i bëj këto gjëra.