1 Pas dy ditësh ishte festa e pashkës, dhe e bukës së ndorme; dhe kryepriftërinjtë dhe skribët po kërkonin si të mund ta kapnin atë me dredhi, dhe ta vrisnin.
2 Por ata thanë: Jo ditën e festës, që të mos ketë trazirë nga populli.
3 Dhe duke qenë në Betani te shtëpia e Simon lebrozit, ndërsa ishte ulur për të ngrënë, hyri një grua që kishte një enë alabastri me vaj prej nardi shumë të shtrenjtë; ajo e theu enën, dhe e derdhi atë mbi kokën e tij.
4 Dhe disa në veten e tyre kishin inat, dhe thanë: Pse u bë ky shpërdorim vaji ere?
5 Sepse mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë, dhe t’u jepeshin të varfërve. Dhe ata pëshpëritën kundër saj.
6 Dhe Jezusi tha: Lëreni atë; pse e shqetësoni? Ajo ka bërë një vepër të mirë ndaj meje.
7 Sepse të varfërit ju i keni gjithmonë me vete, dhe kur të doni mund t’u bëni mirë atyre; por mua nuk më keni gjithmonë.
8 Ajo ka bërë çfarë mundi; ajo ka ardhur që përpara për të vajosur trupin tim për varrim.
9 Me të vërtetë unë ju them: Kudo që do të predikohet ky ungjill në të gjithë botën, edhe kjo që ka bërë ajo do të përmendet në përkujtim të saj.
10 Dhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë, për ta tradhtuar atë tek ata.
11 Dhe kur ata e dëgjuan, u gëzuan, dhe premtuan t’i jepnin atij para. Dhe ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar atë.
12 Dhe ditën e parë të bukës së ndorme, kur ata e therën pashkën, dishepujt e tij i thanë: Ku dëshiron që ne të shkojmë dhe të përgatisim që ti ta hash pashkën?
13 Dhe ai dërgoi dy nga dishepujt e tij, dhe u thotë atyre: Shkoni në qytet, dhe atje një burrë do t’ju takojë duke mbajtur një shtambë me ujë; shkoni pas tij.
14 Dhe ku të hyjë ai, i thoni zotit të shtëpisë: Mësuesi thotë: Ku është dhoma për mysafirë, ku do të ha pashkën me dishepujt e mi?
15 Dhe ai do t’ju tregojë një dhomë të madhe sipër të shtruar dhe gati; atje përgatitni për ne.
16 Dhe dishepujt u nisën, dhe erdhën në qytet, dhe gjetën ashtu siç u kishte thënë atyre; dhe ata e bënë gati pashkën.
17 Dhe në mbrëmje ai vjen me të dymbëdhjetët.
18 Dhe ndërsa ata ishin ulur dhe hanin, Jezusi tha: Me të vërtetë unë ju them: Njëri nga ju që ha bashkë me mua do të më tradhtojë.
19 Dhe ata filluan të trishtohen, dhe t’i thonë atij një nga një: Unë jam ai? dhe një tjetër tha: Unë jam ai?
20 Dhe ai u përgjigj dhe u tha atyre: Është njëri nga të dymbëdhjetët, që po ngjyen me mua në pjatë.
21 Biri i njeriut vërtetë po shkon, siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri prej të cilit Biri i njeriut është tradhtuar! Do të ishte mirë për atë njeri të mos kishte lindur kurrë.
22 Dhe ndërsa ata hanin, Jezusi mori bukë, dhe e bekoi, e theu, u dha atyre, dhe tha: Merrni, hani; ky është trupi im.
23 Dhe ai mori kupën, dhe pasi falënderoi, ua dha atyre; dhe ata të gjithë pinë prej saj.
24 Dhe ai u tha atyre: Ky është gjaku im i dhiatës së re, i cili derdhet për shumë.
25 Me të vërtetë unë ju them: Unë nuk do të pi më prej frytit të hardhisë, deri në atë ditë që do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë.
26 Dhe pasi kënduan një himn, ata dolën për te mali i Ullinjve.
27 Dhe Jezusi u thotë atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni për shkakun tim këtë natë; sepse është shkruar: Unë do ta godas bariun, dhe delet do të shpërndahen.
28 Por pasi të ngjallem, unë do të shkoj para jush në Galile.
29 Por Pjetri i tha atij: Edhe pse të gjithë të skandalizohen, por jo unë.
30 Dhe Jezusi i thotë: Me të vërtetë unë të them: Se këtë ditë, madje në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.
31 Por ai tha me më shumë pasion: Edhe pse të vdisja me ty, në asnjë mënyrë nuk do të të mohoja. Njësoj thanë edhe të gjithë ata.
32 Dhe ata arritën në një vend që quhej Gethsimani; dhe ai u thotë dishepujve të tij: Uluni këtu, ndërkohë unë do të lutem.
33 Dhe ai mori me vete Pjetrin, dhe Jakobin, dhe Gjonin, dhe filloi të turbullohej, dhe të rëndohej shumë.
34 Dhe u thotë atyre: Shpirti im është tepër i trishtuar deri në vdekje; qëndroni këtu, dhe rrini zgjuar.
35 Dhe ai shkoi pak përpara, dhe ra përtokë, dhe u lut që, nëse do të ishte e mundur, ora të largohej prej tij.
36 Dhe tha: Abba, Atë, për ty gjithçka është e mundur; largoje prej meje këtë kupë; megjithatë jo ç’dua unë, por çfarë do ti.
37 Dhe ai vjen, dhe i gjen ata duke fjetur, dhe i thotë Pjetrit: Simon, ti po fle? Nuk mund të rrish zgjuar një orë?
38 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në tundim. Me të vërtetë fryma është gati, por mishi është i dobët.
39 Dhe ai u largua përsëri, dhe u lut, dhe tha të njëjtat fjalë.
40 Kur u kthye, ai përsëri i gjeti ata në gjumë, (sepse sytë e tyre ishin rënduar,) as nuk dinin çfarë t’i përgjigjeshin.
41 Dhe ai vjen herën e tretë, dhe u thotë atyre: Flini tani, dhe çlodhuni; mjafton, erdhi ora; ja, Biri i njeriut është tradhtuar në duart e mëkatarëve.
42 Çohuni, le të shkojmë; ja, ai që më tradhton është afër.
43 Dhe menjëherë, ndërsa ai ishte ende po fliste, vjen Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata dhe shkopinj, prej kryepriftërinjve dhe skribëve dhe pleqve.
44 Dhe ai që e tradhton u kishte dhënë atyre një shenjë, duke u thënë: Atë që do ta puth, ai është; kapeni, dhe largojeni të siguruar.
45 Dhe porsa erdhi, ai shkon drejt tek ai, dhe thotë: Mësues, mësues; dhe e puthi.
46 Dhe ata vunë duart e tyre mbi të, dhe e morën.
47 Dhe njëri nga ata që qëndronte pranë e nxori shpatën, dhe goditi një nga shërbëtorët e kryepriftit, dhe i preu veshin.
48 Dhe Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: A dolët ju me shpata dhe shkopinj të më kapni mua, ashtu si ndiqni një hajdut?
49 Unë me ju isha përditë në tempull duke dhënë mësim, dhe ju nuk më kapët; por shkrimet duhet të përmbushen.
50 Atëherë ata të gjithë e braktisën, dhe ia mbathën.
51 Dhe një djalë i ri shkoi pas, me një rrobë liri hedhur mbi trupin e tij lakuriq; dhe të rinjtë e kapën atë;
52 Dhe ai e la rrobën prej liri, dhe iku nga ata lakuriq.
53 Dhe ata e çuan Jezusin te kryeprifti; dhe bashkë me të ishin mbledhur të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë, dhe skribët.
54 Dhe Pjetri shkoi pas tij nga larg, edhe në pallatin e kryepriftit; dhe ai rrinte ulur me shërbëtorët, dhe ngrohej tek zjarri.
55 Dhe kryepriftërinjtë dhe gjithë këshilli kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë atë; dhe nuk gjetën gjë.
56 Sepse shumë jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përputheshin me njëra-tjetrën.
57 Dhe u ngritën disa, dhe dhanë dëshmi të rreme kundër tij, duke thënë:
58 Ne e dëgjuam të thoshte: Unë do ta shkatërroj këtë tempull që është bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do ndërtoj një tjetër bërë pa duar.
59 Por as dëshmitë e tyre nuk përputheshin me njëra-tjetrën.
60 Dhe kryeprifti u çua në mes, dhe e pyeti Jezusin, duke thënë: Ti nuk përgjigjesh fare? Çfarë është kjo që dëshmojnë kundër teje?
61 Por ai rrinte në heshtje, dhe nuk përgjigjej fare. Kryeprifti e pyeti përsëri, dhe i tha: Ti je Krishti, Biri i të Bekuarit?
62 Dhe Jezusi tha: Unë jam; dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e pushtetit, dhe duke ardhur në retë e qiellit.
63 Atëherë kryeprifti shqyeu rrobat e tij, dhe thotë: Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?
64 Ju e dëgjuat blasfeminë; çfarë mendoni? Dhe ata të gjithë e dënuan të jetë fajtor për vdekje.
65 Dhe disa filluan ta pështyjnë atë, dhe t’i mbulonin fytyrën, dhe ta goditnin, dhe t’i thonë atij: Profetizo; dhe shërbëtorët e qëllonin atë me pëllëmbët e duarve
66 Dhe ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, vjen një nga shërbëtoret e kryepriftit;
67 Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, ajo e vështroi, dhe i tha: Dhe ti gjithashtu ishe me Jezusin e Nazaretit.
68 Por ai mohoi, duke thënë: Unë as di, as kuptoj çfarë thua. Dhe ai doli jashtë në hajat; dhe gjeli këndoi.
69 Dhe një shërbëtore e pa atë përsëri, dhe filloi t’u thoshte atyre që ishin pranë: Ky është një nga ata.
70 Dhe ai përsëri e mohoi. Dhe pak më mbrapa, ata që qëndruan pranë i thanë Pjetrit përsëri: Sigurisht ti je një nga ata; sepse ti je një galileas, dhe e folura jote tregon këtë.
71 Por ai filloi të mallkonte e të betohej, duke thënë: Unë nuk e njoh këtë njeri për të cilin ju flisni.
72 Dhe gjeli këndoi për herë të dytë. Dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët që Jezusi i tha: Para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë. Dhe kur mendoi për këtë, ai qau.