1 Dhe ai doli prej andej, dhe erdhi në vendin e vet; dhe dishepujt e tij shkuan pas tij.
2 Dhe kur erdhi dita e sabathit, ai filloi të jepte mësim në sinagogë; dhe shumë duke e dëgjuar habiteshin, duke thënë: Nga i ka këto gjëra ky njeri? Dhe çfarë mençurie është kjo që i është dhënë atij, që edhe çudira të tilla bëhen nga duart e tij?
3 A nuk është ky marangozi, biri i Marisë, vëllai i Jakobit, dhe i Josiut, dhe i Judës, dhe i Simonit? Dhe a nuk janë motrat e tij këtu me ne? Dhe ata u skandalizuan me të.
4 Por Jezusi u tha atyre: Një profet nuk është pa nder, përveç në atdheun e vet, dhe midis të afërmve të tij, dhe në shtëpinë e vet.
5 Dhe atje ai nuk mund të bënte ndonjë vepër të madhe, përveçse i vendosi duart e tij mbi pak njerëz të sëmurë, dhe i shëroi ata. 6 Dhe ai habitej për shkak të mosbesimint të tyre. Dhe shkonte vërdallë nëpër fshatra, duke dhënë mësim.
7 Dhe ai thirri pranë të dymbëdhjetët, dhe filloi t’i dërgonte ata dy nga dy; dhe u dha atyre fuqi mbi frymërat e papastra;
8 Dhe i urdhëroi ata që të mos merrnin ndonjë gjë për rrugën, por vetëm një shkop; as qese, as bukë, as para në kuletën e tyre;
9 Por t’i mbathnin sandalet; dhe të mos vishnin dy rroba.
10 Dhe ai u tha atyre: Kudo që të hyni në një shtëpi, atje qëndroni derisa të largoheni nga ai vend.
11 Dhe kushdo që nuk do t’ju pranojë, ose t’ju dëgjojë, kur të largoheni prej andej, shkundni pluhurin poshtë këmbëve tuaja për një dëshmi kundër tyre. Me të vërtetë unë ju them: Do të jetë më e durueshme në ditën e gjykimit për Sodomën dhe Gomorrën, se për atë qytet.
12 Dhe ata dolën, dhe predikuan që njerëzit duhet të pendohen.
13 Dhe ata dëbuan shumë djaj, dhe vajosën me vaj shumë që ishin të sëmurë, dhe i shëruan.
14 Dhe mbreti Herod dëgjoi për atë; (sepse emri i tij u përhap kudo;) dhe tha: Se Gjon Pagëzori ishte ngjallur prej së vdekurish, dhe prandaj vepra të mëdha shfaqen në të.
15 Të tjerë thanë: Se është Elia. Dhe të tjerë thanë: Se është një profet, ose si një prej profetëve.
16 Por kur Herodi dëgjoi për atë, ai tha: Është Gjoni, të cilit ia preva kokën; ai është ngjallur prej së vdekurish.
17 Sepse Herodi vetë kishte dërguar dhe e kapën Gjonin, dhe e lidhën në burg për hatër të Herodias, gruas së vëllait të tij Filipit; sepse ai ishte martuar me të.
18 Sepse Gjoni i kishte thënë Herodit: Nuk është e ligjshme që ti të kesh gruan e vëllait tënd.
19 Prandaj Herodia kishte një grindje me të, dhe do ta kishte vrarë; por ajo nuk mundte;
20 Sepse Herodi i trembej Gjonit, duke e ditur se ai ishte një njeri i drejtë dhe i shenjtë, dhe e ruante atë; dhe kur e dëgjoi atë, ai bëri shumë gjëra, dhe e dëgjonte atë me kënaqësi.
21 Dhe kur erdhi një ditë e volitshme, që Herodi në ditëlindjen e tij u shtroi një darkë dinjitarëve të tij, komandantëve të lartë, dhe të parëve të Galilesë;
22 Dhe kur vajza e asaj Herodias hyri brenda, dhe vallëzoi, dhe kënaqi Herodin dhe ata që rrinin me të, mbreti i tha zonjushës: Më kërko ç’të duash, dhe unë do të ta jap.
23 Dhe iu betua asaj: Çfarëdo që ti do të më kërkosh, unë do të ta jap, deri në gjysmën e mbretërisë sime.
24 Dhe ajo doli, dhe i tha së ëmës: Çfarë do t’i kërkoj? Dhe ajo tha: Kokën e Gjon Pagëzorit.
25 Dhe ajo menjëherë hyri brenda me nxitim te mbreti, dhe kërkoi, duke thënë: Unë dua të më japësh menjëherë në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit.
26 Dhe mbreti u trishtua shumë; megjithatë për hatër të betimit të tij, dhe për hatër të atyre që rrinin me të, ai nuk donte ta refuzonte.
27 Dhe menjëherë mbreti dërgoi një xhelat, dhe e urdhëroi të sillej koka e tij; dhe ai shkoi në burg dhe i preu kokën,
28 Dhe e solli kokën e tij në një pjatë, dhe ia dha vajzës; dhe vajza ia dha atë së ëmës.
29 Dhe kur dishepujt e tij dëgjuan për këtë, ata erdhën dhe e morën kufomën e tij, dhe e vunë në një varr.
30 Dhe apostujt u mblodhën bashkë te Jezusi, dhe i treguan atij të gjitha gjërat, dhe çfarë kishin bërë, dhe çfarë kishin mësuar.
31 Dhe ai u tha atyre: Ejani mënjanë në një vend të shkretë, dhe pushoni pak; sepse kishte shumë që vinin e shkonin, dhe nuk kishin kohë të lirë as për të ngrënë.
32 Dhe ata u larguan me barkë në një vend të shkretë fshehtas.
33 Dhe njerëzit i panë ata duke u larguar, dhe shumë e njihnin, dhe vrapuan më këmbë nga të gjitha qytetet, i kaluan ata, dhe u mblodhën tek ai.
34 Dhe Jezusi, kur doli, pa shumë njerëz, dhe ishte prekur nga dhembshuria për ta, sepse ata ishin si dele pa bari; dhe ai filloi t’u mësonte atyre shumë gjëra.
35 Dhe kur u bë vonë në ditë, dishepujt e tij erdhën tek ai, dhe i thanë: Ky është një vend i shkretë, dhe është bërë shumë vonë;
36 Largoji ata, që të mund të shkojnë në krahinën rreth e qark, dhe nëpër fshatrat, dhe të blejnë bukë për veten e tyre; se ata nuk kanë gjë për të ngrënë.
37 Ai u përgjigj dhe u tha atyre: Jepuni atyre për të ngrënë. Dhe ata i thanë: Të shkojmë dhe të blejmë dyqind denarë bukë, dhe t’u japim për të ngrënë?
38 Ai u thotë: Sa bukë keni? Shkoni dhe shikoni. Dhe pasi mësuan, thanë: Pesë, dhe dy peshq.
39 Dhe ai i urdhëroi ata t’i bëjnë të gjithë të ulen në grupe mbi barin e gjelbër.
40 Dhe ata u ulën në rreshta, nga njëqind, dhe nga pesëdhjetë.
41 Dhe pasi i mori pesë bukët dhe dy peshqit, ai ngriti sytë nga qielli, dhe i bekoi, dhe i theu bukët, dhe ua dha dishepujve të tij që t’i shtronin para atyre; dhe të dy peshqit ai ua ndau për të gjithë.
42 Dhe ata të gjithë hëngrën, dhe u ngopën.
43 Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta plot me copa buke, dhe të peshqve.
44 Dhe ata që hëngrën prej bukëve ishin rreth pesëmijë burra.
45 Dhe ai menjëherë i detyroi dishepujt e tij të hynin në barkë, dhe të shkonin më parë në anën tjetër te Betsaida, ndërsa ai i largonte njerëzit.
46 Dhe pasi i largoi ata, ai iku në një mal për t’u lutur.
47 Dhe si u ngrys, barka ishte në mes të detit, dhe ai në tokë vetëm.
48 Dhe ai i pa ata që mundoheshin duke vozitur; sepse era ishte kundër tyre; dhe rreth rojës së katërt të natës ai vjen tek ata, duke ecur mbi detin, dhe donte t’i kalonte.
49 Por kur e panë atë duke ecur mbi detin, ata menduan se ishte një fantazmë, dhe bërtitën:
50 Sepse ata të gjithë e panë atë, dhe u trembën. Dhe ai menjëherë foli me ta, dhe u tha atyre: Gëzohuni; jam unë; mos u trembni.
51 Dhe ai shkoi tek ata në barkë; dhe era pushoi; dhe ata u habitën jashtë mase në veten e tyre, dhe u mrekulluan.
52 Sepse ata nuk e morën parasysh mrekullinë e bukëve; se zemrat e tyre ishin ngurtësuar.
53 Dhe pasi kaluan matanë, ata erdhën në tokën e Genesaretit, dhe iu afruan bregut.
54 Dhe pasi dolën nga barka, ata menjëherë e njohën atë,
55 Dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë përreth, dhe filluan të merrnin në vigje ata që ishin të sëmurë, ku dëgjonin se ishte ai.
56 Dhe kudo që hynte, në fshatra, ose qytete, ose vende rurale, ata i vendosnin të sëmurët në rrugë, dhe i luteshin atij që të mund të preknin edhe vetëm cepin e rrobës së tij; dhe të gjithë sa e preknin shëroheshin.