1 Atëherë u mblodhën tek ai farisenjtë, dhe disa prej skribëve, që erdhën nga Jeruzalemi.
2 Dhe kur panë disa nga dishepujt e tij të hanin bukë me të papastër, domethënë, me duar të palara, dhe ata i fajësuan.
3 Sepse farisenjtë, dhe të gjithë judejtë, nëse nuk i lajnë duart shpesh, nuk hanë, duke ruajtur traditën e pleqve.
4 Dhe kur kthehen nga pazari, nëse nuk lahen, nuk hanë. Dhe janë shumë gjëra të tjera, që ata i kanë marrur për t’i ruajtur, si larja e kupave, dhe tenxhereve, enëve prej tunxhi dhe të tryezave.
5 Atëherë farisenjtë dhe skribët e pyetën atë: Përse nuk ecin dishepujt e tu sipas traditës së pleqve, por hanë bukë me duar të palara?
6 Ai u përgjigj dhe u tha atyre: Bukur ka profetizuar Isaia për ju hipokritë, siç është shkruar: Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre është larg meje.
7 Prapëseprapë ata kot më adhurojnë, duke mësuar si doktrina urdhërimet e njerëzve.
8 Sepse duke lënë mënjanë urdhërimin e Perëndisë, ju ruani traditën e njerëzve, si larjen e tenxhereve dhe kupave; dhe bëni shumë gjëra të tilla.
9 Dhe ai u tha atyre: Ju mirë e hidhni poshtë urdhërimin e Perëndisë, që të mund të mbani traditën tuaj.
10 Sepse Moisiu tha: Ndero atin tënd dhe mamanë tënde; dhe: Kushdo që mallkon atin ose mamanë, le të dënohet me vdekje;
11 Por ju thoni: Nëse dikush i thotë atit të tij ose mamasë: Është Kurban, domethënë, një dhuratë, prej çfarëdo që ti të mund të fitosh prej meje; ai do të jetë i lirë.
12 Dhe ju nuk e lejoni më atë të bëjë gjë për atin e tij ose nënën e tij;
13 Duke e shfuqizuar fjalën e Perëndisë përmes traditës suaj, që ju keni trashëguar; dhe ju bëni shumë gjëra të tilla.
14 Dhe pasi thirri të gjithë njerëzit tek ai, u tha: Më dëgjoni ju të gjithë, dhe kuptoni;
15 Nuk ka ndonjë gjë nga jashtë njeriut, që duke hyrë brenda tij të mund ta fëlliqë atë; por gjërat që dalin jashtë prej tij, janë ato që e fëlliqin atë.
16 Nëse ndokush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
17 Dhe pasi hyri në shtëpi larg njerëzve, dishepujt e tij e pyetën në lidhje me shëmbëlltyrën.
18 Dhe ai u thotë atyre: Edhe ju jeni kështu që nuk merrni vesh? A nuk kuptoni, që çdo gjë nga jashtë që hyn brenda njeriut, nuk mund ta fëlliqë atë;
19 Sepse nuk hyn në zemrën e tij, por në barkun e tij, dhe del jashtë në gjiriz, duke pastruar gjithë ushqimet?
20 Dhe ai tha: Ajo që del nga njeriu, ajo e fëlliq atë.
21 Sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin mendimet e këqija, shkeljet e kurorës, kurvërimet, vrasjet,
23 Të gjitha këto gjëra të këqija vijnë nga brenda, dhe e ndotin njeriun.
24 Dhe ai u ngrit prej andej, dhe shkoi brenda kufijve të Tyrusit dhe Sidonës, dhe hyri në një shtëpi, dhe nuk donte që asnjë njeri ta dinte, por ai nuk mund të fshihej.
25 Sepse një grua, bija e së cilës kishte frymë të papastër, dëgjoi për të, dhe erdhi dhe ra te këmbët e tij;
26 Gruaja ishte një greke, një sirofinikase sipas kombit; dhe ajo iu lut atij që ta dëbonte djallin prej bijës së saj.
27 Por Jezusi i tha asaj: Lëri që fëmijët të ngopen së pari; sepse nuk është mirë ta marrësh bukën e fëmijëve, dhe t’ua hedhësh qenve.
28 Dhe ajo u përgjigj dhe i tha atij: Po, Zot; megjithatë qentë poshtë tryezës hanë prej thërrimeve të fëmijëve.
29 Dhe ai i tha asaj: Për këtë fjalë shko; djalli është larguar prej bijës sate.
30 Dhe kur ajo mbriti në shtëpinë e saj, ajo gjeti që djalli ishte larguar, dhe bija e saj ishte shtrirë mbi shtratin.
31 Dhe përsëri, duke u larguar prej kufijve të Tyrusit dhe Sidonës, ai erdhi te deti i Galilesë, duke kaluar midis kufijve të Dekapolit.
32 Dhe ata i sjellin atij një që ishte i shurdhër, që kishte pengesë në të folurin e tij; dhe ata iu lutën atij të vinte dorën mbi të.
33 Dhe ai e mori mënjanë larg turmës, dhe vendosi gishtrinjtë e vet në veshët e tij, pështyu dhe i preku gjuhën;
34 Dhe duke vështruar qiellin, ai psherëtiu, dhe i tha atij: Efatha, domethënë: Hapu.
35 Dhe menjëherë veshët e tij u hapën, dhe nyja e gjuhës së tij iu zgjidh, dhe ai foli qartë.
36 Dhe ai i urdhëroi ata që të mos t’i tregonin njeriu; por sa më shumë që i urdhëronte, aq më shumë ata e përhapën atë;
37 Dhe ata ishin të habitur jashtë mase, duke thënë: Ai i ka bërë të gjitha gjërat mirë; ai e bën edhe shurdhin të dëgjojë, edhe memecin të flasë.