1 Në ato ditë turma duke qenë shumë e madhe, dhe duke mos pasur gjë për të ngrënë, Jezusi thirri pranë dishepujt e tij, dhe u thotë atyre:
2 Unë kam dhembshuri për turmën, sepse ata tani kanë qenë me mua tri ditë, dhe nuk kanë gjë për të ngrënë;
3 Dhe nëse unë i dërgoj në shtëpitë e tyre duke agjëruar, atyre do t’iu bjerë vilani rrugës; sepse disa prej tyre erdhën nga larg.
4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: Nga do të mundë dikush t’i ngopë me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?
5 Dhe ai i pyeti ata: Sa bukë keni? Dhe ata thanë: Shtatë.
6 Ai i urdhëroi njerëzit të uleshin përdhe; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu, dhe ua dha dishepujve të tij t’i vinin para tyre; dha ata i vunë ato para njerëzve.
7 Dhe ata kishin disa peshq të vegjël; ai i bekoi, dhe urdhëroi t’i vinin para tyre edhe ata.
8 Kështu ata hëngrën, dhe u ngopën; dhe mblodhën shtatë shporta me copërat e mbetura të ushqimeve.
9 Dhe ata që kishin ngrënë ishin rreth katërmijë; dhe ai i largoi ata.
10 Dhe ai menjëherë hyri në barkë bashkë me dishepujt e tij, dhe erdhi në krahinat e Dalmanuthës.
11 Dhe farisenjtë erdhën, dhe filluan ta pyesin atë, duke kërkuar prej tij një shenjë prej qiellit, duke e tunduar.
12 Ai psherëtiu thellë në shpirt, dhe thotë: Pse kërkon një shenjë ky brez? Me të vërtetë unë ju them: Këtij brezi nuk do t’i jepet shenjë.
13 Dhe ai i la ata, dhe duke hyrë përsëri në barkë shkoi në anën tjetër.
14 Tani, dishepujt kishin harruar të merrnin bukë, as në barkë nuk kishin me vete më shumë se një bukë.
15 Dhe ai i urdhëroi, duke thënë: Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve, dhe majaja e Herodit.
16 Dhe ata arsyetonin midis tyre, duke thënë: Kjo sepse ne nuk kemi bukë.
17 Dhe kur Jezusi e kuptoi, ai u thotë atyre: Pse arsyetoni, për shkak se nuk keni bukë? Ende nuk kuptoni, as merrni vesh? Akoma e keni zemrën të ngurtësuar?
18 Duke pasur sy, a nuk shikoni? Dhe duke pasur veshë, a nuk dëgjoni? Dhe a nuk mbani mend?
19 Kur i ndava pesë bukët midis pesëmijëve, sa shporta plot me copëra buke mblodhët? Ata i thonë: Dymbëdhjetë.
20 Dhe kur shtatë midis katërmijëve, sa shporta plot me copëra buke mblodhët? Ata thanë: Shtatë.
21 Dhe ai u tha atyre: Si është kjo që nuk kuptoni?
22 Dhe ai vjen në Betsaida; dhe i sjellin një të verbër, dhe iu lutën ta prekte.
23 Dhe ai e mori për dore të verbërin, dhe e nxori jashtë qytetit; dhe pasi kishte pështyrë mbi sytë e tij, dhe kishte vënë duart e tij mbi të, ai e pyeti nëse shikonte gjë.
24 Ai ngriti sytë, dhe tha: Unë shoh njerëz si pemë, që ecin.
25 Pas asaj ai përsëri i vuri duart e vet mbi sytë e tij, dhe e bëri të ngrinte sytë; dhe ai u shërua, dhe shikonte qartë çdo njeri.
26 Dhe ai e dërgoi atë në shtëpinë e vet, duke thënë: As mos shko në qytet, as mos ia trego njeriu në qytet.
27 Dhe Jezusi doli, dhe dishepujt e tij, në qytetet e Cezarisë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet, duke thënë: Kush thonë njerëzit se jam unë?
28 Dhe ata u përgjigjën: Gjon Pagëzori; por disa thonë: Elia; dhe të tjerë: Një nga profetët.
29 Dhe ai u thotë atyre: Po ju kush thoni se jam? Pjetri përgjigjet dhe i thotë: Ti je Krishti.
30 Dhe ai i urdhëroi ata që të mos i tregonin njeriu për të.
31 Dhe ai filloi t’u mësojë atyre, që Biri i njeriut duhet të vuajë shumë gjëra, dhe të hidhet poshtë nga pleqtë, dhe nga kryepriftërinjtë, dhe skribët, dhe të vritet, dhe pas tri ditësh të ngjallet përsëri.
32 Dhe ai e tha këtë fjalë hapur. Dhe Pjetri e mori, dhe filloi ta qortonte.
33 Por kur ai u kthye dhe pa dishepujt e vet, ai e qortoi Pjetrin, duke thënë: Shko prapa meje, Satana; sepse ti nuk pëlqen gjërat që janë të Perëndisë, por gjërat që janë të njerëzve.
34 Dhe pasi thirri pranë njerëzit bashkë me dishepujt e tij gjithashtu, ai u tha atyre: Kushdo që do vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, dhe të marrë kryqin e vet, dhe të vijë pas meje.
35 Sepse kushdo që do ta shpëtojë jetën e vet do ta humbasë atë; por kushdo që do ta humbasë jetën e tij për hatrin tim dhe të ungjillit, ai do ta shpëtojë atë.
36 Sepse çfarë dobi do të ketë njeriu, nëse fiton gjithë botën, dhe të humbasë shpirtin e vet?
37 Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim për shpirtin e vet?
38 Prandaj kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez kurorëshkelësish dhe mëkatarësh; për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të vijë në lavdinë e Atit të vet me engjëjt e shenjtë.